Investitorët italian prezantojnë pesë projekte për Luginën e Preshevës (video)
Në Preshevë dje u mbajt "Forumi i zhvillimit ekonomik lokal" për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, organizuar nga Xhelal Memeti, ish kryetar i Fondit Humanitar të Kosovës Lindore (FHKL) dhe kompanisë "Medita Development" nga Venecia e Italisë, shkruan Titulli.com.Në këtë forum morën pjesë investitorë italianë nga kjo kompani, afaristë shqiptarë nga diaspora, afaristë nga komunat Bujanoc, Preshevë e Medvegjë, përfaqësues të Aleancës kosovare të biznesit, si dhe dy deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi e Shaip Kamberi.
Ish kryetari i FHKL-së, Xhelal Memeti, i cili tani është nënkryetar i PVD-së në Preshevë tha se qëllimi i këtij takimi është shkëmbimi i informatave të afaristëve vendor dhe mysafirëve nga Evropa si parakusht për zhvillim ekonomik të këtij rajoni.
Sot kemi këtu investitorët e interesuar për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e peletit, me të cilët para takimit vizituam terrenin dhe shqyrtuam mundësitë për të realizuar këto projekte, tha Memeti.
Fusha ku mund të investojmë këtu është industria e ushqimit e cila mund të jap një zhvillim ekonomik, me vende të reja pune dhe mirëqenie të popullatës, tha Luigi Nortone, bashkëpunëtor i kompanisë Medita Development.
Ndërsa përfaqësuesi tjetër i kësaj kompanie Raul Bruschi tha se janë pesë projekte që mund t’i realizojnë këtu.
Jemi të gatshëm të investojmë në projekte si prodhimi i peletit, riciklimi i mbeturinave, prodhimi i perimeve bio, investime në burime të ujit mineral dhe në gastronomi. Por ekzistojnë kushtet edhe për investime në prodhimin e verës, në energji të rinovueshme dhe fusha tjera, theksoi Bruschi.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini theksoi se janë të kënaqur që po marrin pjesë në prezantimin e këtyre projekteve që kapin vlerën mbi 10 milion euro dhe punësojnë mbi 100 qytetarë.
Sipas Xhelal Memetit, projektet riciklimi i mbeturinave, prodhimi i peletit dhe prodhimi i perimeve janë për komunën e Preshevës, ndërsa investimet në ujëra termale dhe gastronomi për komunën e Medvegjës, gjegjësisht në Banjën e Sijarinës.
Ai tha se me investitorët italianë kanë vizituar fabrikën e peletit “Univerzal” në Miratoc dhe deponinë e mbeturinave me sipërfaqe rreth dy hektarë në magjistralen Preshevë – Gjilan./Titulli.com/