Shqiptarët e Luginës, nuk kthehen dhe po vazhdon shpërngulja e qetë nga vendlindja
Vështrime

Shqiptarët e Luginës, nuk kthehen dhe po vazhdon shpërngulja e qetë nga vendlindja

07.Aug.2018 11:45
0
«Më 1 mars fillon zbatimi», thoshte me entuziazëm ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, lidhur me marrëveshjen e re për diplomat, të nënshkruar në Bruksel me zyrtarët e Qeverisë së Serbisë.

Shkruar nga: Belgzim Kamberi-Preshevë; 

"Kjo marrëveshje i jep fund periudhës së dështimit të njohjes së diplomave universitare nga ana e Serbisë, dhe kërkon që brenda afatit prej pesë muajsh të njihen të gjitha diplomat e certifikuara nga ana e AUE në një numër prej mbi 400 diploma të certifikuara të cilat Serbia ka dështuar t’i njohë deri më tani", krenoheshin asokohe zyrtarët qeveritarë pas nënshkrimit. 

Sot, në fillim shtatori 2016, asnjë diplomë e vetme e Republikës së Kosovës nuk është njohur nga Serbia!

Çështja e «njohjes reciproke» të diplomave ishte ndoshta një nga çështjet ku mendohej se do të mund të përfitonin më shumë shqiptarët, në këtë rast, ata të Luginës së Preshevës. Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, të rinjtë shqiptarë të Luginës së Preshevës, të diplomuar në universitetet e Kosovës, vazhdojnë të sillen kot nëpër zyrat administrative të ministrive respektive të arsimit në Prishtinë dhe në Beograd.

Disa muaj më parë, Ministria e Arsimit e Kosovës pati dërguar rreth 100 mijë tekste mësimore në Luginën e Preshevës. Më 10 shtator të vitit të kaluar, ministri i Arsimit Bajrami deklaronte: «Kemi zhvilluar një proces të konsultimeve që tekstet të mos konfiskohen.

Për qëllimin e dërgimit të teksteve kemi njoftuar Ministrinë e Arsimit të Republikës së Serbisë dhe ka disa ditë që kam nisur një letër për ministrin Verbic, ku i kam kërkuar që të mos pengohen, sepse tekstet që nxënësit shqiptarë i kanë në përdorim janë joprofesionale dhe shumë të vjetra».

Pas 7 muajve qëndrimi në terminalin doganor në Preshevë, Serbia ktheu tekstet në Kosovë! Asnjë marrje e përgjegjësisë në Prishtinë! Përkundrazi, Qeveria e Kosovës vazhdoi të trumbetojë masa reciprociteti në çështjet e arsimit midis Kosovës dhe Serbisë; ani se është e vetëdijshme se ligji për arsimin në komuna i Republikës së Kosovës lejon përdorimin e kurrikulave dhe librave shkollorë nga Republika e Serbisë, si rezultat i Pakos së Ahtisaarit; përderisa Serbia nuk i pranon tekstet shqipe që burojnë nga kurrikulat e Kosovës dhe Shqipërisë.

Ndonëse pa fakte, nuk janë të paktë ata që mendojnë se edhe shpallja e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Luginën e Preshevës - në shtator të vitit të kaluar - ishte inkurajuar nga qarqe të caktuara të Qeverisë së Kosovës, për ta «amortizuar» kundërshtimin popullor në Kosovë, në raport me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë.

Siç dihet, Asociacioni i Luginës ngeli një «tigër prej letre», përderisa nëpër zyrat e Bashkimit Evropian në Bruksel, po sorollaten aktualisht negociatorët dhe grupet punuese të Serbisë dhe/apo Kosovës, për hartimin e Statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, të shpallur si kundërshtues nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Në ndërkohë, diku në lindje të Kosovës dhe në jug të Serbisë; Lugina e Preshevës po vazhdon të shtypet paqësisht nga Qeveria e Aleksandër Vuçiqit e mbështetur nga qeveritë perëndimore për arsye gjeostrategjike dhe gjeopolitike. Ky diskriminim shtetëror me format e «padukshme» bashkëkohore të shtypjes, të maskuar me një diskurs «demokratik» dhe «evropian», po vazhdon të kombinohet me instrumentalizimin mashtrues të Prishtinës zyrtare, që manipulon me Luginën e Preshevës, për ta legjitimuar procesin e saj negociues të disfavorshëm me Serbinë; siç shpërfaqet më së miri sot nga kjo distancë kohore, me deklaratën e atëhershme të zyrës së kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafës se: «Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave do të ndihmojë në veçanti popullatën shqiptare që jeton në Luginën e Preshevës në [Serbinë jugore] e cili ka studiuar kryesisht në Kosovë dhe të cilët duhet të kthehen dhe… të ndihmojnë në zhvillimin e komunitetit shqiptar në [Preshevë] Luginë”.

Sot, përderisa po negociohet autonomia e ardhshme politike dhe territoriale e Serbisë në Kosovë; shqiptarët e Luginës, jo që nuk kthehen, por po vazhdon shpërngulja e qetë e tyre nga vendlindja.  Dëbimi i të diplomuarve të tyre. Trurit që nuk i njihet. Sepse shihen vetëm si trup. Trup për lozje. Trup i huaj.  

Zeri: (Autori është kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginën e Preshevës. Opinionet janë personale)

Preshevë: Qeverisja e re lokale nuk arriti të largoj bërllokun, të sigurojë ujin e pijshëm për qytetarët...?
Të jesh politikan publik, në Luginë të Preshevës!
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration