Halimi: Sporti në gjendje të vështirë në Luginën e Preshevës
Në debatin e zhvilluar për ligjin për sportin në Kuvendin e Republikës së Serbisë, deputeti popullor Riza Halimi e paraqiti gjendjen shumë të vështirë në fushën e sportit në Luginën e Preshevës e posaçërisht në komunën e Preshevës."Në ilustrimin e gjendjes aktuale katastrofale në sport deputeti në këtë rast theksoi se gjer sa ekipi fudbollistik i Preshevës edhe para 80 viteve kishte garuar në nivel të zonës së Nishit, tash vetwm dy-tri ekipe të komunës së Preshevës garojnë vetëm në rangun më të ultë në rrethin e Pçinjës", theksoi Halimi.
Sipas tij komuna e Preshevës jo që është e vetmja komunë që nuk ka hallë sportive por aktualisht s`ka asnjë rast në botë si rasti i kësaj komune, me mbi 30mijë banorë që të ketë vetëm një teren për fudboll në Bukuroc edhe atë të parrethuar, sepse as pushteti lokal, as Trupi Koordinues e as Ministria e Sportit nuk po i sigurojnë as mjetet minimale funksionale për këtë dedikim.
"Të gjitha këto organe shtetërore vite me rradhë nuk kanë dhënë as një dinarë, që të rregullohet parketi i dëmtuar në sallën e edukatës fizike në shkollën fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” edhe pse seriozisht është duke u rrezikuar shëndeti i 1700 nxënësve të kësaj shkolle. Gjithashtu nuk ka interesim as minimal të sigurohen paisjet e domosdoshme për punën normale në sallat e edukatës fizike në shkollat tjera", tha Halimi.
Në fund deputeti Halimi kërkoi nga Ministria e Sportit që urgjentisht të angazhohet në zgjidhjen e problemeve shumë të rënda me të cilët po ballafaqohen të rinjtë në Preshevë, si dhe në tërësi në Luginë të Preshevës.