Gazetarët e Luginës në ndarjen e çmimeve të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (Foto)
Në një ceremoni mbajtur në Prizren, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) me seli në Tiranë, ka bërë ndarjen e çmimeve në dhjetëvjetorin e veprimit të saj.Në këtë ceremoni në të cilën morën pjesë gazetarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, për herë të parë prezantuan edhe gazetarët nga Lugina e Preshevës.
Me këtë rast UGSH nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Unionin e Gazetarëve të Luginës së Preshevës (UGLP), ndërsa kjo ngjarje nga të pranishmit u vlerësua si historike.
Aleksandër Çipa, kryetar i UGSH-së, për ngjarjen në fjalë ka thënë se përveç që është profesionale, ajo është edhe shpirtërore, pasi më nuk ekzistojnë barrierat.
Në këtë ngjarje u bë ndarja edhe e çmimeve, të cilat ndër të tjera i ndanë dy ish kryetarët, ai i Shqipërisë, Aleksandër Mojsiu si dhe i Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Çmimi gazetare e vitit 2015 iu nda gazetares së BIRN-it nga Shqipëria, Lindita Çela, ndërsa çmimet e karrierës i takuan: Besnik Dizdari (gazetar sportiv me karriere të gjatë nga Shqipëria), Behlul Jashari dhe Zenun Çela nga Kosova, kurse Flutura Tota (korrespondente nga Kukësi) dhe Engjëll Seriani (nga Gjirokastra) morën çmime speciale, raporton Titulli.com.
Çmimi “Vangjush Gambeta”, çmimi ekonomik, iu nda Kreshnik Kuçaj, Ola Xama (nga Shqipëria ) dhe Parim Olluri dhe Laura Papraniku (nga Kosova).
Duhet theksuar se çmimet u nxorën nga konkursi i cili ishte hapur nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.
Portali informativ Titulli.com, me një pjesë të stafit mori pjesë në ndarjen e çmimeve, ndërsa gazetarët e këtij mediumi kërkuan shtrirjen e bashkëpunimit me kolegët nga trojet shqiptare.
Nga zyrtarët e UGSH-së u tha se që nga viti i ardhshëm në konkurs do të mund të marrin pjesë edhe gazetarët nga Lugina e Preshevës. /Titulli.com/