Fondi Humanitar Komunal në Preshevë, për refugjatët me kapacitete të limituara
Fondi humanitar që funksionon në kuadër të kuvendit komunal të komunës së Preshevës nuk ka buxhet të mjaftueshëm për aktivitete dhe situata të paparashikueshme siç është edhe arritja e refugjatëve.Albina Bajrami, drejtuese e këtij fondi thotë se gjatë vitit 2015 ka pasur aktivitet të shumta dhe deri në një farë mase ju ka përgjigjur kërkesave të qytetarëve.
“Kemi pasur të planifikuara aktivitete te shumta kundrejt vlerës për secilin, përfshirë këtu ndihmat për familjet në kushte të rënda ekonomike, nënave kryefamiljare, fëmijëve jetim, studentëve, fëmijëve me aftësi të kufizuar, ndihmë në mjete materiale për familjet që jetojnë në malësi të Preshevës e shumë të tjera të cilat tashmë i kemi realizuar pothuajse të gjitha“, është shprehur Bajrami për Titulli.com.
Sipas saj për fat të keq nuk ka buxhet te caktuar për situata paparashikueshme mirëpo duke i falënderuar donatorëve vendas kanë arritur të shtrijnë aktivitetin edhe ndaj refugjatëve.
“Kemi arritur të gjejmë donator vendas, të cilët kanë bërë të mundur që disa herë të jemi në terren për t’i ofruar ndihmën tonë refugjatëve, duke iu dhuruar veshmbathje të siguruara nga bashkëqytetarët tanë si dhe ushqime”, ka thënë Bajrami.
Ajo më tej la të kuptohet se për shpërndarjen e ndihmave që po iu afrohet refugjatëve janë vullnetarë të shumtë që ndihmojnë në terren.
“ Janë pesë anëtarë të këshillit drejtues të fondit për qëllime humanitare, të cilët janë të gatshëm gjithmonë të punojnë edhe në terren, por vlen të theksohet se në çdo aktivitet të zhvilluar na bashkëngjiten qytetarë të rinj, vullnetarë të shumtë, të cilëve u jemi gjithmonë shumë mirënjohës”, theksoi Albina Bajrami.
Përveç sigurimit të ndihmave për familjet në nevojë, nga Fondi Humanitarë thonë se për refugjatët janë siguruar veshmbathje si për fëmijë ashtu edhe për të rritur, të cilat do ti shpërndahen së shpejti sigurisht bashkë me një racion ushqimor./Titulli.com/