Bujanoc: Nisin stërvitjet, Forcat e Armatosura Shqiptare nuk marrin pjesë
Në bazën ushtarake të ushtrisë serbe “Jug”, të komunës së Bujanocit, kanw filluar stërvitjet ushtarake, ku po marrin pjesë pjesëtarë të ushtrisë serbe, amerikane (Gardës Nacionale nga Ohajo), Azerbajxhani edhe ato ballkanike si nga Kroacia, Bullgaria, Maqedonia dhe Rumania.
Shqipëria më herët kishte njoftuar se Forcat e Armatosura Shqiptare kishin refuzuar të marrin pjesë në këto stërvitje të përbashkëta me ushtrinë serbe.
“Ushtrimet do t’i zhvillojmë me armë jo-vrasëse për ruajtjen e paqes. Qëllimi është që me këto ushtrime të fitojmë aftësi shfrytëzimi të armëve jo vrasëse dhe kryerjen e detyrave në operacionet për ruajtjen e paqes në misione shumëkombëshe”, tha ndër të tjera drejtues i aktiviteteve, kolonel Sllagjan Stamenkoviq, shef i shtabit të Brigadës së katërt të trupave tokësore të Serbisë.
Togeri i marinsave amerikan Hol është shprehur se nga këto ushtrime të gjithë pjesëmarrësit do të kenë përfitime të shumta.
“Ushtrimet e përbashkëta ndërkombëtare na mundëson përmirësimin e stabilitetit dhe ndërtimin e bashkëpunimit në mes veti. Me anë të këtyre ushtrimeve do të ndajmë së bashku njohurit tona dhe kjo na mundëson që të rrisim kapacitete individuale, kjo rritje na ndihmon edhe në ngritjen e kapacitetit në misioni paqësore”, tha marinsi Hol, raporton Titulli.
Kjo stërvitje zhvillohet në kuadër të Forcës Rotacionale të Detit të Zi, me qëllim rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë me vende partnere në Kaukaz, Ballkan dhe rajonin e Detit të Zi.
Fokusi i stërvitjes ka të bëjë me aplikimin e detyrave dhe armëve jo-vrasëse brenda operacioneve paqeruajtëse.
Në këtë stërvitje marrin pjesë gjithsejtë 220 pjesëtarë të forcave të armatosura të ushtrive të lartpërmendura.
Përveç ushtrimeve në bazën “Jug” ato do të zhvillohen edhe në fshatin Borovc të komunës së Bujanocit, ndërsa do të zgjasin deri më 10 korrik./Titulli.com/