" Vakëfi është institucion e jo pronë komunash për privatizim!"
Shoqëria Civile "Perspektiva", në Bujanoc, me kureshtje të madhe është duke e përcjellë aferën e krijuar rreth procesit gjyqësor kundër abuzimit të vakëfit, nga ana e pushtetit lokal në Preshevë.Pushteti lokal në Preshevë, nuk është dashur fare të futet në meselet gjyqësore të Vranjës, për të gjetur zgjidhje për pronën e shenjë të Bashkësisë Islame. Ky problem është dashur të zgjidhet me kohë e jo pas kaq seancash dëgjimore, të konsideroj këtë kapitull si të mbyllur.
Një problem të ngjashëm e ka edhe pushteti multietnik në Bujanocit, i cili për të mos e prishur rehatinë e qeverisjes multi-kulti, mban peng vakëfet mbi të cilat janë ngritur objekte shoqërore e private.
Vakëfet për dallim nga godinat e pushteteve lokale dhe ndërmarrjeve shoqërore e shtetërore, janë prona që u dihet pronësia e nuk janë mall për kusuritje në emër të privatizimit.
Po a nuk u ngopën militantët e pushteteve lokale në Preshevë e Bujanoc, duke blerë e privatizuar me pak para, prona e prona me karakter lokal e shtetëror, e mundohen të zhvatin edhe pak nga pronat e shenjta?!
“Bratstvo”, “Gumaplastika”, e “bratsvo” të tjera, të cilat prej vitesh mbajnë peng vakëfet, duhet të lirohen nga haraçi e t’u kthehen Bashkësisë Islame.
Njëherë duhet ta kuptojnë pushtetet lokale se Vakëfi është institucion e jo pronë komunash për privatizim!
“Qëllimi i vakëfit është që të ndihmojë zhvillimin e jetës fetare, pastaj prosperitetin shoqëror, njëherit të ndihmojë edhe shoqërinë në aspekt humanitar. Feja zhvillohet duke lënë vakëf: xhami, mesxhide, shkolla (medrese), biblioteka etj. e jo duke i bllokuar ato me metoda antiqytetëruese.
Duke u nisur nga kjo, në regjistrat e vakëfnameve shkruhen edhe lutje, edhe mallkime. Lutja bëhet për ata të cilët i shërbejnë vakëfit me përpikëri, përderisa mallkimi bëhet ndaj atyre që e shkelin vakëfin, e keqpërdorin dhe nuk e plotësojnë qëllimin e dhurimit të vakëfit; zakonisht shkruhet ky tekst: “Mbi atë që i prish ose i ndryshon kushtet e këtij vakëfi rëntë mallkimi i Allahut, pejgamberëve, melekëve, i njerëzve dhe i të gjitha krijesave”.
Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc