Vuçiq: Të gatshëm të përmbushim gjithçka që nuk përfshin njohjen dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB
Presidenti i Serbisë, Aleksadar Vuçiq, tha për televizioni Prva të Serbisë se afatet kohore për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë më nuk kanë asnjë kuptim dhe se Serbia është e gatshme të përmbushë gjithçka që nuk përfshin njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.
Gjermania, Franca dhe Italia kanë kërkuar që Beogradi të njohë de facto pavarësinë e Kosovës dhe që Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kështu është thënë në letrën e nënshkruar nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
Kjo letër vjen pasi liderët e tri shteteve kyçe të Bashkimit Evropian zhvilluan takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel më 26 tetor.
“Unë iu thash që ne jemi të gatshëm të zbatojmë [marrëveshjet], por thash se për këtë nuk jemi pajtuar”, tha Vuçiq, duke shtuar se ka refuzuar që të nënshkruajë dokumentet e ofruara.
“U thash se ne kemi Kushtetutën e Serbisë”, tha ai.
Vuçiq po ashtu tha se nuk ka kërkuar që të pranohet asnjë letër anësore.
Pas takimeve në Bruksel, Zyra e Kurtit tha se kryeministri kosovar ka refuzuar që të pranojë një letër anësore të paraqitur nga Vuçiqi, që sipas Qeverisë së Kosovës zhbën tri parimet e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, Anekstit të saj dhe draftit të propozuar nga pesë emisarët që vizituan Kosovën dhe Serbinë më 21 tetor.
“Unë thash se ne jemi të gatshëm të përmbushim obligimet tona dhe shtova se ne nuk mund të pranojmë asgjë që lidhet me njohjen e pavarësisë së Kosovës apo anëtarësimit të saj në OKB”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se ka dëgjuar për disa afate kohore për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për më shumë se dhjetë vjet dhe më ato nuk kanë kuptim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 27 tetor se ishte i gatshëm të nënshkruante një marrëveshje për normalizimin e raporteve dhe propozimin për formimin e Asociacionit, por shtoi se “pala serbe nuk ishte e interesuar”.
Takimet e ndara në Bruksel të bartësve të dialogut me liderët kyçë evropianë përfunduan pa asnjë rezultat.
Kosova ka thënë se propozimi evropian për një draft-statut për themelimin e Asociacionit “është shkruar me kujdes” ndaj Kushtetutës së Kosovës.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik./REL/