Vuçiq takon Von der Leyen: Avokimi për një Serbi evropiane, shumë i rëndësishëm
Rruga evropiane dhe avokimi për një Serbi evropiane janë shumë të rëndësishme për përparimin e vendit, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas një takimi me presidenten e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, të premten në Beograd.
Ai theksoi se Serbia do të punojë “me përkushtim” në rrugën drejt integrimit evropian.
Vuçiq u takua me shefen e KE-së Von der Leyen, e cila po qëndron në Serbi si pjesë e turneut të saj në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjatë takimi, ata diskutuan edhe për situatën gjeopolitike, për çështjen e Kosovës dhe për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE).
Presidenti serb tha gjithashtu se Von der Leyen i kërkoi Serbisë të ketë "përputhje shumë më të madhe me politikat e jashtme të BE-së".
Megjithatë, Vuçiq e përsëriti gjithashtu se Serbia do të mbajë marrëdhënie tradicionalisht të mira edhe me vendet e tjera.
Negociatat për anëtarësim mes Beogradit dhe Brukselit janë praktikisht të ngrira tash e disa vite, për shkak të mosvendosjes së sanksioneve kundër Rusisë.
Serbia thotë se e mbështet integritetin territorial të Ukrainës, por ajo nuk po pranon të rreshtohet përkrah Bashkimit Evropian për të vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, ndërsa përfaqësuesit e autoriteteve në Beograd vazhdojnë të mbajnë lidhje me Kremlinin.
Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian prej vitit 2012. Ajo filloi negociatat e anëtarësimit në janar 2014, por prej dhjetorit 2021, ajo nuk ka hapur asnjë grupim.
Vendeve kandidate u kërkohet t’i përputhin politikat e veta të jashtme dhe të sigurisë me ato të Bashkimit. Në momentin e anëtarësimit në BE, harmonizimi duhet të jetë i plotë.
Ursula von der Leyen deklaroi se Serbia është "një nga vendet më të përparuara në procesin e anëtarësimit" dhe se ka një "bazë të fortë për t'u bërë anëtare e BE".
Ajo shtoi se prania e saj në Beograd “është një shenjë e qartë se unë besoj se e ardhmja e Serbisë është në BE”.
Deri më tani, Serbia ka hapur 22 nga gjithsej 35 kapituj të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nga ata 22, ajo i ka mbyllur përkohësisht 2.
Por, Vuçiq paralajmëroi se deri në fund të vitit është e mundur hapja e një kapitulli të ri.
“Ky do të ishte një sinjal i rëndësishëm se Serbia po përparon në rrugën evropiane”, tha Vuçiq.
Vuçiq gjithashtu njoftoi tha se së shpejti do të rihapet Ambasada e Serbisë në Kiev.
Ambasada e Serbisë në Ukrainë mbyllet përkohësisht në fillim të marsit 2022, për shkak të mbrojtjes së sigurisë së personelit./REL/