Vuçiq: Po propozohet anëtarësimi i Kosovës në OKB për hyrjen e shpejtë të Serbisë në BE
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 8 tetor se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë Kosovën të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.
“Kërkohet që Serbia të lejojë Kosovën që të bashkohet në të gjitha institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara. Për këtë gjë, Serbisë do t’i garantohej anëtarësim i shpejtë në BE, dhe ndoshta edhe përfitime tjera të mëdha ekonomike”, ka thënë Vuçiq në një adresim para gazetarëve.
Sipas tij, një propozim i tillë është i papranueshëm për Serbinë.
“Për Serbinë, për shkak të Kushtetutës, por jo vetëm për shkak të saj, është e papranueshme që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, sepse diçka e tillë do të kishte pasoja”, ka thënë mes tjerash ai.
Sipas tij, gabimi më i madh që ka bërë Serbia është kur ka pranuar që BE-ja të menaxhojë procesin e zgjidhjes së statusit final të Kosovës.
“Prej atëherë, pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel, ne nuk kemi qenë në gjendje të fusim në agjendë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Vuçiq.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 7 tetor, se mbështet “çdo iniciativë që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.
“Komunave tashmë u lejohet që të bashkohen në asociacione multietnike, pa kompetenca ekzekutive, pra si OJQ”, ka thënë mes tjerash ajo, teksa ka komentuar çështjen e Asociacionit.
Presidenti serb ka thënë se pozicioni i Serbisë në relacion me Kosovën është duke u komplikuar secilën herë më shumë.
“Sepse shtetet e Perëndimit do të tentojnë, siç besojnë ato, të zgjidhin problemin e Kosovës në një mënyrë apo tjetër përmes anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe sepse besojnë se në atë mënyrë janë duke zgjidhur çështje brenda-evropiane”.
Një tjetër arsye, sipas tij, lidhet me përpjekje e Perëndimit që presidenti rus, Vladimir Putin të mos ketë argument Kosovën për synimet e tij në Ukrainë.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e saj nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Kosova thotë se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, por Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.
"Tetë njoftime për tërheqje të njohjes së Kosovës”
Presidenti serb ka thënë se Serbia ka momentalisht tetë njoftime për tërheqje të njohjes së Kosovës.
Ai ka përmendur se shumë shpejt pritet të nisë edhe shqyrtimi i pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Ne po presim që më 2 apo 3 nëntor, të fillojë procedura për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ata po presin që të largohet anëtari hungarez nga Byroja e Komitetit të Ministrave dhe të zëvendësohet me një anëtar lituanez, dhe më pas të nisë procedura që mund të zgjasë shumë”, ka thënë ai.
Sipas tij, qëllimi i gjithë kësaj është që Beogradi të pranojë pavarësinë e Kosovës në aspektin formal.
“Në këtë moment, udhëheqësia serbe nuk ka gatishmëri për të pranuar pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, ka thënë mes tjerash ai.
Kosova edhe në të kaluarën e ka akuzuar Serbinë se po zhvillon fushatë të ashpër për tërheqjen e njohjeve të shtetësisë së saj.
Serbia edhe më herët ka pretenduar se disa shtete kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, por në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë figurojnë 117 shtete që e kanë njohur këtë shtet./REL/