"Ushtria serbe" marshon nëpër Prijedor pa lejen e Presidencës së Bosnjës Pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë duke kaluar nëpër Prijedor, Bosnje e Hercegovinë, 7 korrik 2024.
Rajoni dhe Politika

"Ushtria serbe" marshon nëpër Prijedor pa lejen e Presidencës së Bosnjës

08.Jul.2024 07:45
0

Pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë kanë parakaluar të dielën në një paradë ceremoniale nëpër qytetin veriperëndimor boshnjak, Prijedor, më sa duket pa pëlqimin paraprak të shtetit të Bosnje e Hercegovinës, raportoi Radio dhe Televizioni i Republikës Sërpska (RTRS), entitetit serb të Bosnjës.

Sipas RTRS-së, ata që parakaluan ishin kadetë dhe veteranë të Akademisë Ushtarake në Beograd.

Kryesuesi i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviq, tha se Presidenca nuk e miratoi hyrjen e pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Serbisë territorin e vendit.

Ai theksoi gjithashtu se as plani i bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Bosnje e Hercegovinës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë nuk ka paraparë asnjë aktivitet i tillë.

Beqiroviq shtoi se institucionet kompetente shtetërore të BeH, veçanërisht Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes, duhet sa më parë të vërtetojnë të gjitha rrethanat dhe faktet në lidhje me këtë ngjarje.

Ai tha se ka caktuar një takim për 8 korrik me përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, i cili mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit. 

Më herët, Zheljko Komshiq, zyrtar i Presidencës së BeH reagoi në Facebook duke thënë se “duhet të mësohet menjëherë se kush e ka lejuar ushtrinë serbe të hyjë në territorin e shtetit të Bosnje e Hercegovinës”.

"Presidenca e BeH nuk e bëri këtë. A e bëri Ministria e Mbrojtjes? Kjo duhet të mësohet menjëherë. Nëse nuk ishte as Ministria e Mbrojtjes, atëherë është një akt klasik agresioni," tha Komshiq, i cili është përgjegjës për politikë të jashtme dhe siguri.

Ministri i Mbrojtjes i Bosnje e Hercegovinës, Zukan Helez, dhe zëvendësi i tij, Aleksandar Goganoviq, nuk iu përgjigjën thirrjeve të Radios Evropa e Lirë për koment.

Më 31 maj të vitit 1992, autoritetet serbe të Bosnje e Hercegovinës në Prijedor lëshuan një urdhër, përmes radios lokale, për popullatën joserbe që t’i shënojnë shtëpitë e tyre me flamuj ose çarçafë të bardhë dhe të vendosin shirita të bardhë rreth mëngëve kur të dalin nga shtëpia.

Pas kësaj, më shumë se 3.000 civilë u vranë. Më shumë se 32.000 joserbë nga Prijedori u mbajtën ilegalisht në rreth 60 kampe përqendrimi, përfshirë në Omarska, Keraterm dhe Manjaça.

Në atë qytet në veri të Bosnjës, në zonën e ish-minierës së Tomashicës, u gjet varri më i madh masiv që nga Lufta e Dytë Botërore.

 

Autoritetet e qytetit në Prijedor, në entitetin serb të Bosnjës që qeveriset nga Republika Sërpska, nuk lejojnë asnjë memorial në kujtim të qytetarëve të vrarë të Prijedorit.

Më 7 korrik, ushtria serbe parakaloi nëpër Prijedor si pjesë e përkujtimit të Betejës së Kozarës të vitit 1942 gjatë Luftës së Dytë Botërore. Parada dhe përkujtimi u organizuan nga qeveria e Republikës Sërpska.

Në paradë morën pjesë edhe zyrtarë të Republikës Sërpska dhe të Serbisë.

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, shfrytëzoi këtë ngjarje për ta shtyrë përpara përsëri synimin e tij për shkëputjen e entitetit serb nga Bosnja "nëse Sarajeva, me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, përpiqet t'ia marrë pronën e saj".

Ndër të tjera, ai përsëriti se Republika Sërpska nuk do të lejojë që Bosnja e Hercegovina t’i bashkohet NATO-s./REL/

WhatsApp duke zhvilluar një gjenerues AI të avatarëve
Serbia rrit çmimet e taksës rrugore, Beograd-Bujanoc 1.790 dinarë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration