Tre shqiptarë dhunohen barbarisht nga një grup personash në Mal të Zi, me lëndime të rënda (video)
Rajoni dhe Politika

Tre shqiptarë dhunohen barbarisht nga një grup personash në Mal të Zi, me lëndime të rënda (video)

07.Jan.2024 08:22
0

Tre shtetas shqiptarë janë dhunuar këtë të shtunë barbarisht nga një grup i madh personash në Herceg Novi të Malit të Zi.

Doris Kopaci, Azem Dervishi dhe Klodjan Meaj kanë marrë plagë në fytyrë dhe në trup, ndërsa ngjarja ka bërë që autoritetet shqiptare të alarmohen dhe të kërkojnë informacione nga pala malezeze.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla raportohet të ketë kontaktuar me ministra të qeverisë së Malit të Zi, ndërsa vetë kryeministri i vendit fqinj, Milojko Spajiç ka reaguar pas dhunimit të 3 shqiptarëve, nëpërmjet një postimi në platformën X.

Ai ka shprehur keqardhje për ngjarjen dhe bën me dije se njëri nga autorët është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij.

“Më vjen shumë keq për ngjarjet e sotme që ndodhën të ftuarit tanë të dashur nga Shqipëria. Theksoj se Mali i Zi duhet dhe do të jetë një oaz paqeje dhe sigurie për të gjithë. Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit dhe ne po punojmë për t’i ofruar të gjithëve sigurinë dhe mikpritjen që meritojnë. Një autor është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij. Së shpejti të gjitha informacionet do të bëhen të ditura për të tjerët”, shkruan Spajiç.

 

Sakaq, policia e shtetit nëpërmjet një komunikate për mediat ku bën me dije se krerët më të lartë të Uniformave Blu janë në komunikim të vazhdueshëm me homologët malazezë, sqaron edhe detaje nga ngjarja.

“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, në vendin e quajtur “Zelenika”, në afërsi të qytetit të Herceg Novit. Shtetasit shqiptarë K. M., A. D. dhe D. K. kanë qenë duke lëvizur  me një automjet me targa gjermane dhe befas janë sulmuar pa asnjë shkak, nga një grup prej 6 ose 7 personash, të cilët kanë goditur fillimisht automjetin dhe më pas kanë sulmuar fizikisht shtetasit shqiptarë, duke iu shkaktuar dëmtime fizike në pjesë të ndryshme të trupit.     Të tre shtetasit shqiptarë janë  paraqitur në Policinë lokale, në Herceg Novi, ku fillimisht janë  trajtuar nga ana e mjekut ligjor, i cili ka konstatuar dëmtime të shkaktuara nga goditjet fizike. Nga ana e Policisë malazeze iu është kërkuar shtetasve shqiptarë që të bënin kallëzim për ngjarjen, por fillimisht ata nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim.”

Pas interesimit të Ministrit të Brendshëm dhe të drejtuesve të Policisë së Shtetit, të tre shtetasit kanë pranuar të bëjnë kallëzim vetëm në prezencë të avokatit, që është vënë në dispozicion të tyre nga Ambasada e vendit tonë në Podgoricë.

Ndërkohë, Ambasada bën me dije se sapo janë njoftuar për ngjarjen kanë kontaktuar me tre shqiptarët e dhunuar dhe i kanë marrë në mbrojtje.

“Po i ofrojmë çdo shërbim të nevojshëm, përfshirë edhe atë ligjor. Një përfaqësues i ambasadës ka udhëtuar drejt zonës, ndërsa kemi kërkuar nga policia dhe autoritetet ligjzbatuese zbardhjen e ngjarjes dhe ndëshkimin e autorëve”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Sakaq, policia malazeze ka siguruar homologët shqiptarë se po kryhen hetime intensive për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, për të cilën, deri tani, janë shoqëruar disa shtetas.

 

Tre shqiptarëve të dhunuar pas kallëzimit do t’iu vihen në dispozicion fotografi të autorëve të dyshuar, me qëllim identifikimin e tyre dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes..

 

Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi, pa arsye dhe çmim të qartë
Ministri i Mbrojtjes së Serbisë vizitoi bazën ushtarake në Medvegjë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration