Sekretari i NATO-s, Stoltenberg: Kosova dhe Serbia të përmbahen nga rritja e mëtejme e tensioneve
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u bëri sërish thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo gjë që mund t’i përshkallëzojë më tej tensionet mes tyre.
Stoltenberg kërkoi nga dy vendet që t’i kthehen “menjëherë” dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Dialogu, tha ai, është e vetmja rrugë përpara.
Sipas një njoftimi në ueb-faqen zyrtare të NATO-s, Stoltenberg i bëri komentet në një takim me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, të mërkurën në Bruksel.
Situata në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumë serbe - është tensionuar qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje janë vendosur në objektet komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
Tensionet kanë kulmuar edhe në përleshje të dhunshme midis protestuesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR.
Ka pasur, po ashtu, raporte për sulme me granata dore dhe mjete të tjera.
Kosova dhe Serbia kanë fajësuar njëra-tjetrën për situatën e krijuar, por komuniteti ndërkombëtar ka hedhur përgjegjësinë kryesisht mbi Kosovën.
Bashkimi Evropian është duke kërkuar prej saj që të mbajë zgjedhje të reja lokale në veri, si dhe ta tërheqë policinë speciale nga ajo zonë. Nga Serbia, në anën tjetër, kërkon që të sigurojë pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në zgjedhjet e mundshme lokale.
Serbët në veri i kanë bojkotuar zgjedhjet e 23 prillit, prej të cilave kanë dalë kryetarët shqiptarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Udhëheqësit e Kosovës janë shprehur pro mbajtjes së zgjedhjeve, por, siç kanë thënë, brenda kornizave ligjore të shtetit.
Stoltenberg foli për Kosovën edhe më 22 qershor, kur tha se situata aktuale “është dëshmi se në këtë shtet, është e rëndësishme prania e misionit paqeruajtës të aleancës, KFOR”.
Nga muaji i kaluar, NATO-ja rriti praninë në Kosovë për disa qindra ushtarë.