Rritet trysnia për ta pranuar propozimin e fundit për marrëveshje Kosovë-Serbi
Është shtuar trysnia ndërkombëtare që palët ta pranojnë planin e Gjermanisë dhe Francës për një zgjidhje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, tha se të dyja vendet duhet ta shqyrtojnë seriozisht ofertën, pasi konsideroi se mund të ndodhë që oferta e ardhshme të mos jetë më e mirë. Në një intervistë për gazetën “Nova” të Beogradit, ajo tha se Kosova e Serbia duhet të gjejnë një kompromis të qëndrueshëm dhe të vazhdojnë rrugën e përparimit.
Ndërkaq, lehtësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, qëndroi të hënën për vizitë në Beograd. Ai shkroi në Twitter se në agjendë ishte çështja e energjisë dhe targave.
Para takimit me të, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se shteti që përfaqëson po i dërgohen mesazhe se duhet të heqë dorë nga Kosova, për të marrë, siç tha, një dhuratë të vogël.
“Të kuptohemi, askush nuk më kërcënon si Aleksandar Vuçiqi, ata kërcënojnë haptazi gjithë vendin tonë dhe mbijetesën e tij. Unë vetëm dua që ta dini këtë të gjithë ju dhe këtë po e them për herë të parë”, tha Vuçiqi.
Vuçiqi foli edhe për planin e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe të presidentit francez Emmanuel Macron. Sipas tij, këtë plan nuk e ka parë ndokush.
“Të gjithë kanë një mendim dhe kanë deklaruar publikisht për qëndrimin e tyre. E pastaj e dini sa e vështirë është të punohet. Asnjëri nuk e ka idenë se çfarë shkruhet në të, por mjafton të shprehen”, shtoi ai.
E, bisedën me Lajçakun, Vuçiqi e përshkroi serioze dhe të përgjegjshme, dhe tha se në të është diskutuar për çështje të hapura.