Rikthehet ndërrimi i pasditës, tani me terminë
Shërbimi mjekësor i pasdites i hequr nga dy qershori i është rikthyer qytetarëve të fshatit Tërnoc të komunës së Bujanocit.
Pacientët të cilët u ankuan më 23 qershor për mungesë të mjekëve në ndërrimin e pasditës në ambulancën e Tërnocit tashmë nga 1 korriku i është mundësuar kontrollimi në ordinancat e këtij institucioni shëndetësor.
Risi për nga mënyra e pranimit të pacientëve është caktimi i termineve për kontrollim përmes telefonit (017/656 033).
“Nga 1 korriku pacientët i kanë dyert të hapura edhe pasdite në këtë ambulancë, mirëpo tani duhet të caktojnë termin për kontrollim mjekësor. Pa termin të caktuar pranohen vetëm rastet urgjente”, i tha me anonimitet portalit informativ Titulli, motra kujdestare në ambulancën e Tërnocit.
Titulli kishte raportuar për pakënaqësitë e pacientëve për shkak të heqjes së shërbimit të pasdites.
Tani për të kryer një kontrollim mjekësor në ordinancat e këtij institucioni paraprakisht duhet të caktohet vizita duke thirrur në telefonin kujdestar nga ora 7:30 deri në 19:00./Titulli.com/