Raporti i Freedom House: Dialogu Kurti-Vuçiç ishte pa efekt
Organizata Freedom House në raportin e këtij viti të titulluar “Nations in Tranzit” që analizon zhvillimet e vitit 2022 thekson se 29 vendet nga Evropa Qendrore dhe nga Azia Qendrore në vend që t’i forconin lidhjet në rajon, kërcënimet e sigurisë, kriza historike e refugjatëve dhe problemet ekonomike të lidhura me konfliktin, kanë thelluar hendekun mes autokracive dhe demokracive dhe kanë shkaktuar ndryshime përçarëse në politikat e jashtme të qeverive të veçanta.
Sipas raportit të Freedom House marrëdhëniet e tensionuara prej kohësh në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë minuar përparimin demokratik në të dyja vendet.
Përpjekjet e jashtëzakonshme të shoqërisë civile në Kosovë për të realizuar ndryshime pozitive të politikave mbi dhunën me bazë gjinore dhe ndarjet etnike, sipas raportit të Freedom House, u lanë nën hije gjatë vitit nga një rritje e dhunës në Veri të Kosovës, ku ndikimi dhe veprimet e qeverisë serbe, vazhduan të cenojnë autoritetin e Kosovës mbi territorin e saj.
Raporti përmend edhe mungesën e suksesit në negociatat mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Shohim se janë dy persona që e drejtojnë këtë proces: Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç. Mendoj se BE-ja mund të bëjë shumë më tepër. BE-ja në procesin e negociatave duhet të sjellë zërat e shoqërisë civile dhe perspektivën e qytetarëve të zakonshëm, veçanërisht atyre në Veri”, ka thënë Alexandra Karrpi një nga autoret e raportit të Fredom House për Zërin e Amerikës.
Po ashtu, shtohet se negociatat mes Kurtit dhe Vuçiç’it ishin pa efekt, përkundër përpjekjeve të forta të zyrtarëve amerikanë dhe evropianë për të zgjidhur mosmarrëveshjen e kahershme për sovranitetin e Kosovës.
Raporti i Freedom House vë në pah se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë regjime hibride ose demokraci në tranzicion.
Raporti thekson gjithashtu se te gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor institucionet demokratike vazhdojnë të jenë të brishta në vitin 2022.
“Në gjithë Ballkanin Perëndimor, politika e përqendruar tek elitat dhe diplomacia, kanë përjashtuar zërat e shoqërisë civile dhe qytetarëve të thjeshtë, duke lejuar që udhëheqës anti-demokratikë dhe autoritarë kontrollojnë të ardhmen e vendit”, thuhet në raport.
Megjithatë përmirësimet modeste, sipas raportit, janë vërejtur në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.
“Përmirësimet modeste në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut ishin në barazpeshë me rëniet në Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa rezultati i Serbisë mbeti i pandryshuar”, thuhet në raport.