Qindra të vrarë nga një sulm në një spital në Gazë, Izraeli e mohon përfshirjen (video)
Rajoni dhe Politika

Qindra të vrarë nga një sulm në një spital në Gazë, Izraeli e mohon përfshirjen (video)

17.Oct.2023 22:24
0

Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha të martën se Ushtria e Izraelit e ka bombarduar një spital në Qytetin e Gazës, i cili ishte i mbushur me të plagosur dhe me palestinezë të tjerë që po kërkonin strehim, duke i vrarë qindra prej tyre, raporton Associated Press (AP).

Izraeli i ka mohuar pretendimet se e ka bombarduar spitalin.

Në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale shihet zjarr i madh në dhomat e Spitalit al-Ahli, xhama të thyer dhe copa të trupave të njerëzve nëpër zonë.

Ministria tha se të paktën 500 persona janë vrarë.

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, e ka anuluar një takim të planifikuar për të mërkurën me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në Aman të Jordanisë.

"Presidenti është shumë i zemëruar me lajmin për masakrën izraelite në spital në Gazë, dhe ai vendosi të kthehet menjëherë në Ramallah", tha një zyrtar palestinez.

Ushtria e Izraelit tha të martën vonë se "të dhënat e inteligjencës tregojnë se grupi xhihadist palestinez është përgjegjës për sulmin ndaj spitalit".

Reagimet pas sulmit

Organizata Botërore e Shëndetësisë e dënoi sulmin ndaj spitalit në jug të Rripit të Gazës të martën, si dhe kërkoi mbrojtjen e menjëhershme të civilëve dhe kujdesit shëndetësor në enklavën palestineze.

"Ne e dënojmë fuqishëm sulmin ndaj Spitalit Al-Ahli Arab", tha drejtori i organizatës së OKB-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në një reagim në rrjetin social X, i njohur më parë si Twitter.

Emiratet e Bashkuara dhe Rusia kanë kërkuar takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 18 tetor, pas sulmit vdekjeprurës në spitalin e qytetit të Gazës.

Mbreti Abdullah i Jordanisë e cilësoi sulmin ndaj spitalit si “masakër” dhe “krim luftë” për të cilin nuk mund të heshtet.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e dënoi sulmin, duke e cilësuar si “shembulli më i freskët se sulmeve të Izraelit u mungojnë vlerat më themelore njerëzore.

“E ftoj gjithë njerëzimin të ndërmarrë veprime për ta ndaluar këtë brutalitet të paparë në Gaza”, tha Erdogani në X.

 
Shumë spitale në Qytetin Gaza janë shndërruar në kampe refugjatësh për qindra njerëz, të cilët shpresojnë se Izraeli do t’i kursejë nga bombardimet, pasi i kishte urdhëruar të gjithë banorët e këtij qyteti dhe zonave përreth të largoheshin në drejtim të pjesës jugore të Rripit të Gazës.

Zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, Daniel Hagari, tha se ende nuk ka hollësi rreth vdekjeve gjatë sulmit në spital.

“Ne do t’i mësojmë hollësitë dhe do ta njoftojmë publikun. Nuk e di a të them se ishte një sulm ajror izraelit”, tha ai.

Në jug, të martën bombardimet e pareshtura izraelite i vranë dhjetëra civilë dhe të paktën një komandant të lartë të grupit militant, Hamas, të cilat Izraelit thotë se për cak i kanë militantët.

Zyrtarët amerikanë janë duke punuar për ta bindur Izraelit të lejojnë furnizimin brenda Gazës për civilët, grupet humanitare dhe spitalet.

 

Izraeli e ka rrethuar Rripin e Gazës dhe nuk po lejon futjen e ushqimit, ujit, karburantit dhe rrymës që nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit më 7 tetor.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u mor vesh me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, për të biseduar për krijimin e një mekanizmi për dërgimin e ndihmave në territorin e 2.3 milionë palestinezëve. Zyrtarët amerikanë thanë se përparimi në bisedime mund të duket modest, por theksuan se është hap i rëndësishëm përpara.

Megjithatë, nuk ka marrëveshje për këtë as të martën në mbrëmje.

Një zyrtar i lartë izraelit tha të martën se vendi i tij është duke kërkuar garanci se militantët e Hamasit nuk do t’i shfrytëzojnë këto ndihma.

 

Tzahi Hanegbi, kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, la të kuptohej se futja e ndihmave në Gaza do të varet nga lirimi i pengjeve që po mbahen nga Hamasi.

“Kthimi i pengjeve, që është i shenjtë në sytë tonë, është komponent kyç në çfarëdo përpjekje [për marrëveshje] humanitare”, tha ai, pa shpjeguar nëse Izraeli do të kërkonte lirimin e të gjitha 200 pengjeve që Hamasi i rrëmbeu, para se të lejojë futjen e ndihmave në Gaza.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është i gatshëm të niset për Izrael, në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e konfliktit në rajon.

Dhuna u rrit të martën në kufirin e Izraelit me Libanin, ku veprojnë militantët e Hezbollahut, të cilët mbështeten nga Irani./REL/

Investitorët Europianë në kriptoasete nuk do të mbrohen nga rregullorja e re MiCA deri në 2026
Reagime të ashpra pas shpërthimit vdekjeprurës në spitalin në Gazë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration