
Përfundon votimi në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri
Ka përfunduar votimi në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë të dielën, pas një fushate të zhurmshme të mbizotëruar nga përpjekjet e vështira të vendit për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe nga synimet e kryeministrit Edi Rama për një mandat të katërt.
Qendrat e votimit u mbyllën në orën 19:00 dhe numërimi i votave pritet të përfundojë brenda 48 orëve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri thotë se procesi zgjedhor u zhvillua normalisht dhe se dalja në votime deri në orën 18:00 ishte 41.39 për qind.
Kjo është një rënie krahasuar me zgjedhjet e kaluara parlamentare më 2021, kur dalja në votime në kohën e njëjtë ishte 45.48 për qind.
Qytetarët e Shqipërisë, vend me 2.8 milionë banorë, votuan për t'i zgjedhur 140 deputetë për një mandat katërvjeçar, nga 2.046 kandidatët që përfaqësuan 11 grupe politike, përfshirë tri koalicione.
Të drejtë vote në këto zgjedhje kishin rreth 3.7 milionë votues të regjistruar, përfshirë ata nga diaspora.
Në këto zgjedhje u përballën kryeministri në largim, Edi Rama, dhe kundërshtari i tij i përbetuar Sali Berisha, një politikan i djathtist që kryeson një aleancë të partive opozitare.
Zgjedhjet e këtij viti janë parë si vendimtare për të matur zhvillimin demokratik të vendit dhe për ta përcaktuar synimin e madh për një të ardhme evropiane.
Rama e kaloi javën e fundit duke përsëritur premtimin e tij se do ta anëtarësojë Shqipërinë në BE-në deri në fund të kësaj dekade, edhe pse disa ekspertë dyshojnë se ky afat kohor është i mundur për shkak të reformave që kërkohen për t’u bashkuar me bllokun, përfshirë çrrënjosjen e korrupsionit.
“Sot populli shqiptar do të vendosë të shtyjë fuqishëm përpara dhe të na japë të gjithë forcën që na duhet për ta bërë Shqipërinë shtetin e ardhshëm anëtar të BE-së”, tha Rama për gazetarët pranë një qendre votimi, pasi e hodhi votën.
Edhe Berisha mbështet synimet e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e BE-së dhe ka premtuar se do ta luftojë korrupsionin dhe se do t’i rrisë pagat.
“Do të jetë një ditë e re vere për shqiptarët”, tha Berisha për Reuters pasi votoi. “Votoni, votoni, votoni”.
Sondazhet e opinionit tregojnë se Rama mund t'i fitojë deri në 50 për qind të votave dhe Berisha deri në 35 për qind.
Rama mund të ketë nevojë për ndihmën e partive më të vogla për të ruajtur një shumicë të ngushtë në Kuvendin me 140 ulëse./REL/