Përfundon me kokën lart aventura e Kombëtares në Euro 2024
Shqipëria është përshëndetur nga Kampionati Evropian i Futbollit 2024 në Gjermani, pasi u mposht 1:0 nga Spanja në ndeshjen e fundit dhe vendimtare të Grupit B të hënën mbrëma në Dyzeldorf.
Kjo ishte hera e dytë që Shqipëria mori pjesë në një evropian, pas debutimit dhjetë vjet më parë, kur gjithashtu kishte dështuar të kalonte në fazën e eliminimit direkt.
Me gjithë përpjekjet dhe faktin se Spanja vendosi në fushë tërë ekipin e dytë, duke i pushuar titullarët, Shqipëria nuk ia doli ta marrë një fitore që do të kishte qenë historike për të, për të kaluar në rrethin e 16 më të mirëve në Euro 2024.
Ferran Torres shënoi pas vetëm 13 minutave lojë në Dyzeldorf, kur e mposhti Thomas Strakoshën me një goditje të përkryer nga afërsia pasi u shërbye nga Dani Olmo, duke i dhënë furisë së kuqe fitoren e tretë në po aq ndeshje në grup – një rekord i përkryer.
Shqipëria e mbylli grupin në vendin e fundit me vetëm një pikë, pas dy humbjeve dhe një barazimi.
Spanja si lidere e grupit dhe Italia kalojnë në rrethin e ardhshëm të garës, ndërsa Kroacia i bashkohet Shqipërisë si dy kombëtaret e eliminuara nga Grupi B.
Shqipëria, e drejtuar nga ish-futbollisti i Brazilit, Barcelonës dhe Arsenalit, Sylvinho, shkoi në Euro 2024 shumë më e përgatitur se dhjetë vjet më parë dhe pas një fushate kualifikuese shumë më të mirë.
Por, ajo nuk e pati fatin që do ta kishte dëshiruar në shortin e fazës grupore, pasi shorti e vuri përballë tri herë kampiones, Spanjës, dy herë kampiones Italisë, dhe një Kroacie të fuqishme në vitet e fundit.
Me gjithë këtë, Shqipëria shfaqi lojën e saj të përmirësuar, pavarësisht se ajo ishte e pamjaftueshme për ta mbajtur atë më gjatë në garën e Euro 2024.
Kuqezinjtë gëzuan një mbështetje të jashtëzakonshme nga tifozët në Gjermani. Shqipëria pati mbështetjen edhe të shumë shqiptarëve të Kosovës, posaçërisht të atyre në diasporë.
Por, tifozëria e saj solli edhe polemika, pasi Federata e Futbollit e Shqipërisë u dënua me dy gjoba dhjetëra mijëra euroshe për shkak të sjelljes së tifozëve të saj në dy ndeshjet e para.
Shqipërisë i mungoi edhe sulmuesi i saj kosovar, Mirlind Daku, në ndeshje kundër Spanjës, pasi ai u pezullua për dy ndeshje në fundjavë, për shkak se UEFA gjeti se ai bëri sjellje të pahijshme pas barazimit 2:2 me Kroacinë në ndeshjen e kaluar, duke nxitur kritika nga Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut.