Pahor porosit Brukselin: Mund të jem ‘ndryshues i lojës’ në dialogun Kosovë – Serbi
Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, ka thënë se mund të jetë ‘ndryshues i lojës’ në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në rast se emërohet emisar i posaçëm i Bashkimit Evropian.
Pahor ishte prej kandidatëve të përmendur për zëvendësimin e Miroslav Lajçakut si i dërguar i BE-së për dialogun. Por Këshilli i Ministrave të BE-së vendosi t’ia zgjasë mandatin Lajçakut deri në janar të vitit 2025.
Vetë Pahor nuk e ka të qartë se çka ndodhi në Bruksel kur u vendos t’i zgjatej mandati Lajçakut, i cili i skadoi në maj.
“Në mars, u ftova në Bruksel nga i dërguari i posaçëm, Miroslav Lajçak, i cili më pyeti nëse do të isha i gatshëm të konsideroja vazhdimin e punës së tij nëse do të më jepej mandati i Këshillit të BE-së. Mora pak pushim. Edhe atëherë isha i vetëdijshëm për të gjitha grackat që e presin atë që merr përsipër këtë detyrë, por vendosa ta bëj. E dija se nuk do të funksiononte pa mbështetjen e aktorëve kryesorë në politikën sllovene. E mora mbështetjen, për të cilën i jam mirënjohës. Por më pas diçka ndryshoi në Bruksel. Nuk i di të gjitha arsyet pse. Procesi i përzgjedhjes nuk përfundoi në maj, siç u tha fillimisht, por Këshilli i BE-së vendosi në qershor ta zgjasë mandatin e Lajçakut për gjysmë viti, pra deri më 31 janar”, ka thënë ai për “N1”-shin slloven të martën, intervistë e cila është publikuar të shtunën [sot]. Është hera e parë që Pahor flet rreth kësaj çështje.
Ish-presidenti slloven ka porositur BE-në se është i gatshëm ta marrë rolin e Lajçakut. Për këtë ka përmendur punët e tij për “paqe e pajtim” në Ballkanin Perëndimor.
“Mbetem i gatshëm ta plotësoj këtë pozicion nëse emërohem. Megjithatë, bazuar në më shumë se 30 vjet përvojë vendase dhe ndërkombëtare, e kam të qartë se do të ishte më e lehtë për mua nëse do isha përzgjedhur në maj. Në të njëjtën kohë, i them Brukselit: Jam këtu me përvojën time, arritjet, njohuritë dhe autoritetin e dikujt që pranohet si ndërmjetës i ndershëm në Kosovë, Serbi dhe Ballkanin Perëndimor. Si dikush që e zgjidhi problemin me Kroacinë në mënyrë paqësore, normalizoi marrëdhëniet me Serbinë kur Sllovenia njohu Kosovën dhe si dikush që themeloi dhe udhëhoqi procesin Brdo-Brionit. Mendoj se dikush me atë lloj përvoje që vjen nga afërsia e këtij rajoni mund të bëjë ndryshim dhe mund të jetë 'ndryshues i lojës’”, u shpreh Pahor.
60-vjeçari ka thënë se do ta respektonte vendimin e BE-së edhe nëse nuk do të jetë i zgjedhuri për dialogun Kosovë – Serbi.
“Por nëse vendosin ndryshe, nëse gjykojnë se një politikan me përvojën e kryeministrit dhe presidentit mund të jetë i tepërt, ose se nuk është i përshtatshëm sepse është politikan dhe do të mbështeten te një diplomat, do t’i kuptoj, respektoj dhe vazhdoj punën time tjetër. Do të qëndroj deri në fund, por do ta kuptoj rezultatin. Unë nuk jam nga ata që tërhiqen. Kam kandiduar sepse mendoj se kam referencat që më bëjnë më të mirin në këtë rast”, ka deklaruar Pahor, i cili ka falënderuar kryeministrin, presidentin dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme sllovene që i kanë dhënë mbështetje për këtë rol.
Sa i përket sulmit në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, Pahor ka thënë se do të ishte shumë shqetësuese nëse pas këtij sulmi qëndron shteti i Serbisë. Sipas tij, kjo do ta vështirësonte arritjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Por ish-kryeministri slloven ka thënë se ende duhet pritur "pasi s'ka raport përfundimtar për Banjskën".