Orban i lutet Vuçiqit të lirojë tre policët e Kosovës
Rajoni dhe Politika

Orban i lutet Vuçiqit të lirojë tre policët e Kosovës

21.Jun.2023 07:54
0

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i është lutur presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që të dëgjojë rekomandimin e Budapestit zyrtar dhe t’i kthejë policët e arrestuar të Kosovës në vendin e tyre.

“Me respekt, ju lus i dashur Aleksandar që ta mendoni mirë këtë. Armiqtë e Serbisë janë të etur për të dëmtuar Serbinë dhe kjo është një situatë dhe rast i tillë që mendoj se do të ishte më mirë që ju të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë për t’i kthyer ata në Kosovë”, tha Obran në Suboticë, gjatë takimit me zyrtarët e lartë të Serbisë.

Ai shtoi se kjo do t’i ndihmonte Serbisë “në kauzën e vet”.

“Prandaj, po ju kërkoj që ta mendoni këtë”, tha Orban.

Më 14 qershor, tre policë kufitarë të Kosovës u arrestuan nga forcat serbe. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

 

Policëve u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji dhe ata po mbahen në një burg në Kralevë.

Sipas autoriteteve serbe, policët dyshohet se kanë kryer veprat penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse.

Këto shkelje janë të dënueshme me deri në 12 vjet burgim.

Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kërkuar Serbisë që të lirojë policët e Kosovës, pa kushte.

Orban po ashtu tha se Hungaria, që e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe Beogradi ende refuzon ta pranojë, po përcjellë ngjarjet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne po e shohim se çfarë po iu bëhet serbëve. Mendoj se është e papranueshme që komuniteti ndërkombëtar të pranojë zgjedhje, ku kanë marrë pjesë rreth 4 për qind e votuesve, dhe t’i konsiderojë ato ligjore dhe të njohë rezultatet. Kjo është ajo që ne shohim dhe është e qartë për ne”, shtoi Orban.

Gjatë konferencës për media me Orbanin, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në rastin e tre policëve të arrestuar po punon “me autoritetet kompetente”.

Ai shtoi se do të shqyrtojë çdo kërkesë të Hungarisë.

Vuçiq përsëriti se nuk do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas ftesës që u është dërguar dy liderëve nga Bashkimi Evropian për një takim për menaxhimin e krizave.

Vuçiq i ka përmendur tri kushte për realizim eventual të takimit:

  • tërheqjen e kryetarëve shqiptarë nga ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok,
  • tërheqjen e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu dhe
  • ndërprerjen e arrestimeve të serbëve.
 

Lideri serb përsëriti kërkesat e Serbisë, në mënyrë që të zhvillohet takimi me Kurtin: tërheqjen e kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, tërheqjen e Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës dhe ndalimin e arrestimit të serbëve.

Ftesa e Brukselit për Vuçiqin dhe Kurti erdhi pas rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Më 26 maj, serbët kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Kryetarët e rinj u zgjodhën në zgjedhjet e 23 prillit që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe në veri./REL/

20 vite nga samiti i Selanikut, ku po çalon integrimi i gjashtëshes Ballkanike
Ministri i Brendshëm serb: Ne e dimë se kush e ka vrarë Oliver Ivanoviqin
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration