Nisma franko-gjermane ‘pa garanci’ për Kosovën dhe Serbinë
Rajoni dhe Politika

Nisma franko-gjermane ‘pa garanci’ për Kosovën dhe Serbinë

11.Oct.2022 14:18
0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kanë marrë mesazhet nga nivelet e larta politike dhe diplomatike të Bashkimit Evropian, në veçanti Gjermanisë dhe Francës, për t’iu qasur seriozisht arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht obliguese ndërmjet dy vendeve, vlerësojnë njohësit e proceseve politike, në Kosovë dhe Serbi, Agon Maliqi dhe Dushan Janjiq.

Sipas tyre, këtë e dëshmojnë edhe deklaratat e ditëve të fundit të Kurtit dhe Vuçiqit lidhur me nismën franko-gjermane, e cila në mediat në Kosovë dhe rajon është përshkruar si dokument-propozim që përmban kornizën e re, mbi të cilën do të bisedohet për arritjen e marrëveshjes që do të zgjidhë kontestin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

 

Ky dokument-propozim, siç komentojnë ata, Kurtit dhe Vuçiqit u ka arritur përmes këshilltarëve Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emanuel Macron.

Ambasada e Gjermanisë dhe ajo e Francës në Kosovë, nuk kanë konfirmuar nëse nga ana e vendeve të tyre ka një iniciativë apo dokument-propozim, që mund të jetë kornizë e re e dialogut Kosovë-Serbi për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese, e cila do të zgjidhte kontestin ndërmjet dy vendeve.

Propozimi franko-gjerman “udhëzues dhe sugjerues”

Njohësi i proceseve politike, Agon Maliqi, bashkëthemelues i blogut “Sbunker”, thotë për Radion Evropa e Lirë se deklaratat e Kurtit dhe Vuçiqit, drejtpërdrejt apo tërthorazi, konfirmojnë se ekziston propozimi francezo-gjerman. Por, sipas tij, ky propozim nuk duket të jetë i detajuar krejtësisht, por jep një kornizë të përafërt të asaj që është e mundshme.

 

“Dokumenti më shumë është si udhëzues, si sugjerues dhe palët po kapen për elementet e saj, për sfera që duken të dobishme në këtë moment për komunikim strategjik. Kosova besoj që ndoshta sheh hapësirë për optimizëm, për faktin se në këtë formulë - ku sipas të gjitha gjasave nuk parashihet njohja e drejtpërdrejtë, por më shumë implicite - ulet edhe presioni për Kosovën për ta bërë ndonjë kompromis të madh në lidhje me Asociacionin [e komunave me shumicë serbe]. Kështu që, ndoshta aty [në dokument] Kosova e sheh një lloj hapësire për një marrëveshje që së brendshmi mund të jetë më e pranueshme”, thotë Maliqi.

“Testim për të definuar zgjidhjen përfundimtare”

Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga nënshkrimi Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, janë zhvilluar përgjithësisht bisedimet teknike. Por, sipas tij, dokument propozimi franko-gjerman synon që dialogun ta ngritë në nivelin krejtësisht politik.

“Është lëshuar vetëm si një testim i çështjes- nuk e di se me marrëveshjen e kujt është bërë kjo – pra, të çështjes së statusit, çështjes së definimit të zgjidhjes përfundimtare. Dhe, ajo sillet nëpër opinion. Unë, me sa di, ka mjaft çështje brenda, përndryshe kjo letër do të ishte e padobishme".

"Së pari, duhet ta dimë se kjo letër bart qëndrimin e Gjermanisë dhe Francës. Për të duhet të deklarohen Prishtina dhe Beogradi, por do të shohim reagime edhe të Britanisë (së Madhe). Do të ishte ideale që një ditë, nga ky proces, të shndërrohet në platformë të përbashkët për negociata”, thekson Janjiq.

Iniciativë apo dokument-propozim?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kuti, më 10 tetor, ka deklaruar se ekziston “një iniciativë franko-gjermane, e cila dëshiron që t’i japë edhe më shumë fuqi (të dërguarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Mirosllav) Lajçakut, sikurse që i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane”.

 

“Diskutohen modele të ndryshme. Por, nuk ka diçka përfundimtare dhe aq më pak vendimtare që do të mund të thuhej se ky është propozimi francezo-gjerman dhe rrjedhimisht ‘diskutojeni tash dhe jepni vërejtjet. Më shumë ka, si të them, ide që qarkullojnë, Berlin, Bruksel, Uashington, por edhe Londër, Romë e Paris, si dhe Beograd dhe Prishtinë”, tha Kurti dhe shtoi se për shkak të konfidencialitetit të bisedimeve, nuk mund t’i hedhë në opinion idetë, me të cilat testohen palët nga zyrtarët dhe diplomatët e ndryshëm.

Kosovës nuk mund t’i garantohet ulësja në OKB, sepse aty nuk është çështja vetëm te Serbia, por aty është Rusia dhe Kina".

Një ditë më herët, më 9 tetor, Kurti kishte deklaruar se është optimist që në muajt vijues do të mund të arrihet një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 8 tetor, kishte thënë se arkitektura e dialogut po ndryshon në esencë, për shkak se ‘kemi në tavolinë propozimin e dy fuqive më të mëdha evropiane, Gjermanisë dhe Francës”.

 

Franca dhe Gjermania, siç ka theksuar ai, kanë propozuar që Serbia të lejojë Kosovën të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Për Serbinë, për shkak të Kushtetutës, por jo vetëm për shkak të saj, është e papranueshme që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së dhe kjo do të bartë pasojat e veta”, ka thënë Vuçiq.

Më 9 nëntor, ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, ka thënë se deklarata e Vuçiqit rreth ulëses në OKB për Kosovën nuk është e vërtetë, sepse propozimi francezo-gjerman “është i ndërtuar me një qëllim krejtësisht tjetër” dhe “është vetëm bazë për të biseduar”.

Maliqi: Kosovës nuk i garantohet ulësja në OKB

Njohësit e proceseve politike vlerësojnë se propozimi franko-gjerman mund të shihet “me një dozë të matur të optimizmit”, se mund të lëvizë përpara procesin e dialogut Kosovë-Serbi drejt një marrëveshje që zgjidhë kontesti ndërmjet dy vendeve.

Serbisë nuk mund t’i garantohet përshpejtimi i hyrjes në BE, sepse nuk është kushti i Kosovës i vetmi, por ka të bëjë edhe me standardet e qeverisjes dhe me reforma".

Agon Maliqi vlerëson se në konstelacionin aktual ndërkombëtar, Serbia nuk ka hapësirë t’i rezistojë presionit të Perëndimit, pa mbështetjen e mjaftueshme të Rusisë, e cila ka pozicion të pas pushtimit të Ukrainës.

Po ashtu, sipas tij, Kosova e ka të pamundur të ecë përpara në integrimet evropiane dhe organizata ndërkombëtare pa mbështetjen e Perëndimit.

 

Këto situata, siç thotë ai, mund t’i detyrojnë liderët e të dy vendeve që të hapin mundësinë për një proces politik që çon drejt një marrëveshjeje.

“Sfida kryesore e këtij propozimi ndërkombëtar është se ai bazohet në shumë supozime dhe rrethana hipotetike, që kanë të bëjnë sidomos me garancitë e ndërmjetësuesve. Pra, në asnjë rrethanë, sidomos sikurse kjo e sotmja, Kosovës nuk mund t’i garantohet ulësja në OKB, sepse aty nuk është çështja vetëm te Serbia, por aty është Rusia dhe Kina. Ndërkohë, Serbisë nuk mund t’i garantohet përshpejtimi i hyrjes në BE, sepse për hyrje në BE nuk është kushti i Kosovës i vetmi, por ka të bëjë edhe me standardet e qeverisjes dhe me reformat”, vlerëson Maliqi.

Janjiq: Modeli i dy Gjermanive – s’ka ofertë më të mirë

Dushan Janjiq shpreh mendimin se në dokument-propozimin franko-gjerman “nuk ka hapësirë për tregti, siç kalkulon Vuçiqi para opinionit”, se në rast se Serbia pranon propozimin, atëherë i përshpejtohet anëtarësimi në BE.

“Mendoj se ky është fillimi i fushatës që të pranohet ky model. Cili është ky model? Disa e quajnë si modeli i ‘dy Gjermanive’ dhe kjo është e mira e kësaj letre. Mendoj se në këto rrethana as Prishtina dhe as Beogradi nuk do të marrin ofertë më të mirë. E ajo është që Serbia të pranojë ekzistencën e Republikës së Kosovës. Pra, që Serbia të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës (në organizata ndërkombëtare) dhe të bashkëpunojë me Kosovën, kur kanë interesa të përbashkëta në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Kombet e Bashkuara”, thekson Janjiq.

“Modeli i dy Gjermanive” nënkupton marrëveshjen e arritur në vitin 1972 ndërmjet ish-Republikës Federale të Gjermanisë (që njihej si Gjermania Perëndimore) dhe ish-Republikës Demokratike të Gjermanisë (që njihej si Gjermania Lindore). Përmes kësaj marrëveshjeje, të dy vendet normalizuan marrëdhëniet, pa e njohur formalisht njëra-tjetrën.

Janjiq thekson se megjithatë, nuk pret që së shpejti të ketë ndonjë takim ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, përveç në rast se Bashkimi Evropian detyrohet të organizojë një takim të tillë. Shkas për një takim të tillë të detyruar, sipas tij, mund të jenë tensionet eventuale në veri të Kosovë në rast se nuk arrihet një marrëveshje teknike për targat ose nuk shtyhet zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për këtë çështje.

Qeveria e Kosovës ka dhënë afat prej 1 shtatorit e deri më 31 tetor që të gjitha automjetet në Kosovë, që kanë targa të lëshuara nga Serbia, me akronimet e vendbanimeve të Kosovës, t’i riregjistrojnë ato me targa RKS (Republika e Kosovës).

 

Dialogu Kosovë-Serbi ka nisur në Bruksel, në vitin 2011, fillimisht për çështje teknike, për të evoluar më pas, në vitin 2012, në dialog politik. Qëllimi i dialogut që lehtësohet nga Bashkimi Evropian, është normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq u takuan për herë të fundit në Bruksel më 18 gusht.

Palët kanë dallime të mëdha sa i përket përfundimit të procesit të dialogut. Kosova kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Serbia ka thënë se dëshiron një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se çfarë do të nënkuptonte një zgjidhje e tillë./REL/

Certifikohet me numër 3 lista "Lëvizja e Progresit Demokratik-Shqiprim Musliu" për zgjedhjet e Këshillit Kombëtar Shqiptar
Bujanoc: Këshilli Komunal për Siguri mban seminar
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration