Lajçak: Diskutime të gjata me Vuçiqin për situatën komplekse të serbëve në Kosovë
I dërguari i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, e ka çmuar gatishmërinë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për, siç ka thënë ai, të kontribuuar në gjetjen e një zgjidhjeje politike për tensionet në veri të Kosovës.
Lajçak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, qëndrojnë të mërkurën në Beograd, për të diskutuar me autoritetet atje, për rëndësinë e uljeve të tensioneve në veri të Kosovës.
“Në Beograd, Escobari dhe unë kemi pasur diskutime të gjata me presidentin Vuçiq, lidhur me situatën komplekse të serbëve në Kosovë. Dhuna nuk është kurrë e pranueshme, dhe kemi nevojë urgjente për zgjidhje politike për krizën aktuale”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në Twitter.
Serbët lokalë janë duke protestuar rregullisht prej 29 majit në komunat në veri të Kosovës: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.
Pjesëtarë të komunitetit serb i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit, të cilat i kanë fituar kandidatët shqiptarë.
Më 29 maj, protesta ka përshkallëzuar në dhunë, mes pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe protestuesve serbë.
Escobar dhe Lajçak kanë qëndruar më 5 dhe 6 qershor në Kosovë, dhe janë takuar me zyrtarë të lartë shtetërorë.
Escobar ka thënë për gazetarët në pasditen e së martës se Uashingtoni qëndron me popullin e Kosovës, por ka shtuar se nuk mbështet një individ që “nuk ka instinkt bashkëpunimi” - duke aluduar te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Ne po e shohim që po merren vendime, pavarësisht partneritetit tonë, dhe ky është sinjal për ne - ne nuk mund ta pranojmë këtë gjë. Prandaj, në një pikë, kur të duam ta rikthejmë koordinimin dhe partneritetin me këtë Qeveri, ne jemi të gatshëm, sepse ne gjithmonë do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që duhet ta mbështesim një individ që nuk e ka atë instinkt të bashkëpunimit dhe koordinimit”.
Faktori ndërkombëtar e ka shtuar presionin ndaj Qeverisë së Kosovës, duke i kërkuar tërheqjen e kryetarëve nga ndërtesat komunale dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë dhënë shenja se mund të organizohen ato.
Sa i përket Serbisë, faktori ndërkombëtar ka kërkuar nga ky shtet që të ulë gjendjen e gatishmërisë ushtarake, dhe që të ndihmojë në uljen e tensioneve në mesin e protestuesve serbë në veri.
Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësim të BE-së, i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve, më 2011.
Palët i kanë nënshkruar disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar./REL/