Kurti: Nuk do të tolerojmë prekjen e pavarësisë, sovranitetit e integritetit territorial të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ka thënë se nuk do të lejohet kurrë që të preket pavarësia, sovraniteti e integriteti territorial i Kosovës.
“Menduam se me përfundimin e luftërave që i shkaktoi Serbia në Ballkan, erdhi një paqe e qëndrueshme në Evropë, por ja që siç veproi Serbia dje po vepron Rusia sot. Këto dy shtete kanë një lidhje historike e kulturore me njëra-tjetrën, në linjat e autokracisë e despotizmit, agresionit dhe gjenocidit. Kosova në aspektin ndërkombëtar po e bën detyrën e vet, duke u rreshtuar menjëherë e pa asnjë kusht në radhën e vendeve që dënuan Rusinë e që mbështesin pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Natyrisht, le ta dinë të gjithë, kur kërkojmë të respektohet pavarësia dhe integriteti territorial i Ukrainës, as që bëhet fjalë të mendohet se do tolerojmë prekjen e pavarësisë, sovranitetit apo integritetit territorial të Kosovës. Këto nuk janë të diskutueshme asnjëherë, askund për neve”, tha Kurti.
Ai ka thënë se Vetëvendosja është partia e vetme parlamentare që përqafon një politikë progresiste, socialdemokrate dhe aktiviste kundër diskriminimeve.
“Është sot me rëndësi strategjike të mendojmë në mënyrë afatgjate për organizatën tonë. Jo sot për nesër, as për javën, muajin apo vitin e ardhshëm, por për një qëndrueshmëri edhe dhjetë, apo njëzet vjeçare. Ndryshimet e vërteta, kërkojnë qëndrueshmëri. Qëndrueshmërinë do të na e japë vetëm organizata”, tha Kurti.
Ai ka thënë se si Qeveri gjatë vitit 2021 kanë ndarë 300 milionë euro, si pjesë e pakos së ringjalljes ekonomike, e sivjet bashkë me pakon e inflacionit kanë dhënë një mbështetje rreth 350 milionë euro. Ai ka premtuar përkrahje tjetër.
“Përkrahja për ekonominë do të vazhdojë, në forma të ndryshme. Do të ketë mbështetje për individët, për familjet, për ndërmarrjet. Për të varfrit, për të papunët, për punëtorët, për pensionerët, për ndërmarrësit. Për amviset, për lehonat, për nënat e vetmuara. Do të kemi mbështetje për vajzat studente në STEM, për bizneset që punësojnë gra, dhe për bizneset e grave. Për personat me aftësi të kufizuara, për prodhuesit, për eksportuesit, për fermerët, për studentët, për stafin shëndetësor, për mësimdhënësit, për kursyesit e energjisë, për punëtorët e sektorit privat e atij publik, për kuzhinat popullore, etj. Unë e di se kjo mbështetje që ne e kemi dhënë nuk e ndal krizën globale dhe nuk ia zgjidh të gjitha hallet askujt. Por është mbështetje për të gjithë, e më shumë për ata më nevojtarët, dhe të gjithëve jemi përpjekur t´ua lehtësojmë nga pak jetën dhe problemet. Natyrisht, krizën ekonomike globale, inflacionin dhe problemet e tjera, të gjitha do t´i përballim e do t´i kapërcejmë, pa u ndalur, duke punuar, e duke qenë pranë njëri-tjetrit”, tha Kurti.
Kurti ka thënë se momente jo të mira për Vetëvendosjen ka qenë ndër të tjera paraqitja në zgjedhjet lokale. Vetëvendosja ka fituar katër komuna, Podujevën me Shpejtim Bulliqin, Gjilanin me Alban Hysenin, Shtimen me Qemajl Aliun dhe Kamenicën me Kadri Rrahimajn.
Kryeministri i Kosovës ka folur edhe për zgjedhjet e vitit 2019 dhe koalicionin që në vitin 2020 kishte formuar me LDK-në.
“Për këto ne kemi diskutuar gjatë në mbledhjet e KP, në mbledhjet me qendrat e Lëvizjes sonë, në kryesi të VETËVENDOSJE!-s kemi bërë vetëkritikë e kritikë, dhe kemi punuar drejt zgjidhjes së problemeve. Pikërisht duke patur ndërmend forcimin e organizatës dhe rritjen e pjesëmarrjes demokratike, kemi punuar për themelimin dhe funksionalizimin e dy organizatave të reja që tash e tutje do të funksionojnë brenda LVV. Ato janë Gratë për VETËVENDOSJE!, me në krye Albulena Haxhiun, dhe Rinia për VETËVENDOSJE! me në krye Behar Jasharin. Jo për të krijuar ndonjë hapësirë të veçantë për gratë e për të rinjtë ndaras prej Lëvizjes, por vetëm si çelës që ata të jenë prezentë gjithnjë e më shumë në të gjitha nivelet dhe strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Sepse sot, meqë ra fjala, ende nuk kemi një numër të mjaftueshëm grash e të rinjsh edhe në këtë Këshill të Përgjithshëm. Kjo gjë megjithatë do të rregullohet shpejt, pikërisht si rezultat i punës së GVV dhe RVV”, tha Kurti.
“Në tetor të vitit 2019 dolëm të parët në zgjedhje, dhe në shkurt të vitit 2020 e krijuam qeverinë e parë të udhëhequr nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, qeveria Kurti 1 siç po e quajnë ata që kanë qejf të numërojnë. Kjo qeveri nuk zgjati shumë sepse na qëlloi partneri jo i qëndrueshëm për interesa shtetërore e kombëtare. Por, gjatë atyre muajve që qëndruam në drejtim, e luftuam drejtpërdrejt korrupsionin, e mbrojtëm Kosovën, duke hequr nga bordet ata që s´e meritonin, duke rezistuar suksesshëm projektin për shkëmbim territorial, dhe duke vendosur gjithandej profesionistë të ndershëm e duke e afruar popullin i cili e donte Republikën më shumë se çkado tjetër. Në shkurt të vitit 2021, fituam sërish zgjedhjet, kësaj radhe me një rezultat historik, që nuk ka precedent në Kosovë. E sot e kemi qeverinë sërish nën drejtimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në aleancë me Guxo e Alternativën, që po e quajnë qeveria Kurti 2, ata që kanë qejf të numërojnë. Nuk do t´ua prishim qejfin, nuk do t´ua ndalim numërimin”, tha Kurti.
Kurti ka folur edhe për ish-deputetin e ish-gjeneralin e UÇK-së, Rexhep Selimi, që gjendet në Hagë, ku po akuzohet për krime lufte. Selimi së bashku me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin, janë në mesin e eprorëve të UÇK-së që po akuzohen për krime lufte. Në Hagë po mbahen edhe Sali Mustafa, Pjetër Shala, ndërsa aktvendime dënuese për pengim të drejtësisë kanë marrë ish-krerët e OVL UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaju.
“Rexhep Selimi, aktivisti ynë, deputeti në Kuvendin e Repulikës, gjenerali i UÇK-së, që e kishim anëtar kryesie, e kishim edhe kryetar të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të cilin kemi shumë krenari dhe mall, paçka se çmallemi kur kontaktojmë me të. Por jam i sigurt se shpejt do ta kemi sërish, teksa urojmë që të lirohet nga ato akuza të pabaza që i janë bërë atij dhe të tjerëve. UÇK-ja ishte dhe është e drejtë dhe do të dalë e pastër, edhe nga gjyqet e imponuara padrejtësisht nga politikanë të cilëve u mungonte largpamësia”, tha Kurti.