Kurti dhe Vuçiqi përfundojnë takimet - tash për tash pa komente
Rajoni dhe Politika

Kurti dhe Vuçiqi përfundojnë takimet - tash për tash pa komente

26.Oct.2023 16:53
0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përfunduan takimet e parapara me udhëheqësit evropianë, në margjina të një samiti të BE-së në Bruksel, por nuk ka ende informacione për rrjedhën e tyre.

 

As Kurti, as Vuçiqi nuk dhanë ndonjë deklaratë para gazetarëve.

Në lidhje me mundësinë e ndonjë takimi tjetër gjatë ditës, burime të BE-së thanë se "asgjë nuk përjashtohet".

14:54 - Kurti përfundon takimet me udhëheqësit evropianë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takime me udhëheqësit evropianë, në margjina të një samiti të BE-së në Bruksel, por nuk ka ende informacione për rrjedhën e tyre.

Takime të ngjashme, aktualisht, po zhvillon presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

 

Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, takimet janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.

14:14 - Kurti nis takimet me udhëheqësit evropianë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nisi takimet me udhëheqësit evropianë, në margjina të një samiti të BE-së në Bruksel.

Takime të tilla pritet të zhvillojë ndaras edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. 

 

Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, ato janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.

“Ideja është që këto takime të zhvillohen në margjinat e samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’iu kthehen menjëherë dhe pa pengesa detyrimeve që dalin nga dialogu, të punohet menjëherë për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut”, tha Stano.

Kurti dhe Vuçiqi do të priten veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

Në takime do të jetë i pranishëm edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, si dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Stano tha se ndonjë takim mes Kurtit dhe Vuçiqit, tash për tash, nuk është planifikuar.

Por, disa burime diplomatike në Bruksel thanë se takimi i tyre i përbashkët do të varet nga takimi me udhëheqësit evropianë.

Përfaqësuesit e këtyre të fundit janë pjesë e “pesëshes së madhe” që vizitoi Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor dhe u paraqiti një plan për normalizimin e marrëdhënieve.

Stano konfirmoi se plani përmban një “propozim modern evropian” për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa, sipas burimeve të BE-së, nga Serbia kërkon të konfirmojë mbështetjen e saj për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.

Qeveria e Kosovës tha se Kurti është pajtuar që ky plan të jetë “korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate”.

Vuçiqi, në anën tjetër, tha se Serbia është e gatshme të bisedojë për planin, por pranoi se “takimet e planifikuara nuk do të jenë të lehta”.

Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se SHBA-ja vazhdon ta mbështesë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si “rrugën e vetme për arritjen e një marrëdhënieje paqësore dhe produktive midis Kosovës dhe Serbisë”.

Masakër në SHBA, rezervisti qëllon mbi njerëzit në restorant dhe vret 22 persona (video)
Kamberi: Mungon trysnia e BE-së, atë që quhet autonomi e pakicave në Serbi
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration