“Konflikti i ngrirë”, si pengesë për marrëveshjen Kosovë-Serbi
Vështrime

“Konflikti i ngrirë”, si pengesë për marrëveshjen Kosovë-Serbi

03.Nov.2019 08:01
0

Në shkurt 2008 u shpall pavarësia e shtetit më të ri të Evropës, Republika e Kosovës. Një republikë e themeluar jo si rezultat vetëm i shprehjes së vullnetit të popullit për vetëvendosje, por si rrjedhojë e vullnetit politik të komunitetit ndërkombëtar për të ndaluar ushtrimin e spastrimit etnik dhe gjenocidit kundër një popullsie të pambrojtur dhe humbjes të së drejtës së Serbisë për të ushtruar sovranitetin. Nëse për komunitetin ndërkombëtar ky realitet ishte një rast sui generis, për Serbinë – shtetin që krijoi konfliktin – ishte një shkëputje e padrejtë dhe e papranuar prej saj. Ndërsa legjitimiteti i këtij procesi është i padiskutueshëm, për vetë faktin e trajtimit të çështjes në mënyrë të strukturuar nga Kombet e Bashkuara dhe Këshilli i Sigurimit, ku një konsensus ndërkombëtar pothuajse ishte pranuar, fakti që Kosova ishte shkëputur nga Serbia ishte i papranueshëm në ambientin nacionalist serb.

 

Dy dekada pas një zgjidhjeje të pranueshme nga shumica e shteteve anëtare të OKB-së, Serbia kërkon ta rikthejë çështjen për një trajtim të ri ndërkombëtar, kur të dyja palët të dalin të fituara pas një “operacioni me dhimbje për të dyja palët”, me arsyetimin se kjo do të çonte në njohjen reciproke të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Po përse një subjekt i ri ndërkombëtar, ku akti i themelimit të tij nuk ka rënë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare (Opinioni Këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë) dhe ndërtimi i institucioneve është bërë nën mbikëqyrjen ndërkombëtare- UNMIK, Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara – të pranojë ridiskutimin e një çështjeje që i takon tashmë historisë?

Për Kosovën, kjo çështje është presion përpara një realiteti të ri, ku një botë e re multipolare po thyen rregullat e konsensusit të rendit liberal botëror. Për Serbinë, kjo është një politikë aktive për të fituar në pozicionin e saj në të ardhmen; midis Lindjes dhe Perëndimit, asnjanëse apo e angazhuar me të dyja palët. Për Serbinë, ridiskutimi i çështjes është dhe një lehtësim për të hequr Kosovën nga preambula e Kushtetutës së saj dhe për të evituar ‘vdekjen’ politike të çdo politikani që pranon këtë realitet. Por, rihapja e çështjeve të mbyllura ndërkombëtare kërkon minimalisht një argument të ri politik, të mbështetur në frymën e së drejtës ndërkombëtare.

Nëse Bashkimi Evropian kërkon marrëveshjen e qëndrueshme mes dy vendeve si zgjidhje për të ardhmen, Serbia kërkon ta trajtojë si një konflikt të ngrirë për t’i dhënë një zgjidhje të re në favor të ambicieve nacionaliste të saj. Përpjekjet për ta ndërkombëtarizuar çështjen me fuqitë e mëdha jashtë Bashkimit Evropian, është një përpjekje për t’u fokusuar në zgjidhjen e konfliktit të ngrirë.

Në të drejtën ndërkombëtare nuk ka një përkufizim të konceptit të konfliktit të ngrirë, por përmenden si të tilla disa raste në Euro-Azi si konfliktet e Nagorno-Karabakh, Transnistria, Osetia e Jugut dhe Abkhazisë. Në trajtimin e tyre veçohen nga studiuesit disa tipare karakteristike të përbashkëta, si: veprimet ushtarake të armatosura mes një shteti dhe separatistëve; ndryshim në kontrollin efektiv të territorit si rezultat i veprimeve të armatosura separatiste; linja ndarëse me stabilitet efektiv dhe juridik; pretendimet për vetëvendosje shoqërohen me krijimin e një shteti të supozuar; asnjë shtet nuk e njeh shtetin e pretenduar; një proces sporadik dhe jo përfundimtar për zgjidhjen e konfliktit.

A i plotëson Kosova këto veçori si një konflikt i ngrirë?

Së pari, veprimet ushtarake të armatosura nga separatistët për territoret mungojnë në Kosovë, pasi stabilitetin e vendit e mbikëqyrë një forcë ndërkombëtare si NATO.

 

Së dyti, Kosova njihet nga 116 shtete, ndërsa entitetet e cilësuara si konflikt i ngrirë nuk njihen ose njihen vetëm nga një numër shumë i kufizuar shtetesh.

Së treti, në Kosovë nuk ka ndryshim të kontrollit efektiv të territorit nga veprimet ushtarake separatiste. Veprimet e fundit ushtarake kanë qenë veprimi i koalicionit të vullnetit të mirë për shpëtimin e popullsisë shqiptare nga gjenocidi dhe shmangien e një katastrofe humanitare me pasoja jo vetëm rajonale, që përbënin kërcënimin për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Së fundmi, shteti i ri i Kosovës ka njohje ndërkombëtarisht të territorit, në bazë të parimit utti possidetis të konfirmuar nga Komisioni Badinter për shkëputjen e republikave të ish-Jugosllavisë në bazë të linjave administrative. Kosova ka një territor unik të përcaktuar qartë në Kushtetutë, pavarësisht se vuan nga territore të vogla të manipuluara nga projekti i shtetit paralel brenda Republikës së Kosovës. Gjithashtu, në rastin e Kosovës, procesi i zgjidhjes ka marrë formë përfundimtare me krijimin e shtetit të pavarur sipas kushteve të përcaktuara nga Grupi i Kontaktit, përfshirë edhe Federatën Ruse.

Pra, Kosova nuk është një konflikt i ngrirë, por përcaktohet dhe po etiketohet si i tillë për interesat politike të Serbisë për të rihapur çështjen e Kosovës. Në fakt, deri në vitin 2017 nuk është pranuar si e tillë nga autoritetet serbe.

Me përpjekjet për të sfiduar rendin liberal botëror nga lindja e fuqive të reja rajonale dhe mundësitë për ndarje të reja të zonave të influencës, i ashtuquajturi ‘konflikt i ngrirë’ midis Kosovës dhe Serbisë po devijohet në një konflikt të ngrirë midis dy vendeve për Veriun e Kosovës. Ndryshimi i kufijve, sado minimal, e kthen Serbinë në një situatë fituese dhe i jep precedentin për të realizuar Serbinë e Madhe me Republikën Srpska. Dërgimi i trenit rus në Mitrovicë me mbishkrimet ‘Kosova është Serbi’, zbarkimi i trupave serbe në kufi me Kosovën, si dhe shtimi i influencës në strukturat e minoritetit serb në Veri të Kosovës i shërben këtij qëllimi.

Deklaratat e presidentit Vuçiq se ndodhemi para dy opsioneve – të normalizojmë marrëdhëniet duke arritur marrëveshje apo të vazhdojmë me një konflikt të ngrirë – është një presion jashtë realitetit objektiv. Normalizimi i marrëdhënieve nëpërmjet një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme Serbi-Kosovë është i nevojshëm jo vetëm për të përparuar të dyja shtetet në integrimin evropian, por edhe për të sjellë paqen e stabilitetin e qëndrueshëm rajonal. Insistimi i tepërt për një marrëveshje të gjerë paqeje, që përfshin ridiskutimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, është rikthim në kushtet e një konflikti të ngrirë. Kërkesa për normalizim marrëdhëniesh e ka tejkaluar tashmë nevojën për një marrëveshje të tillë paqeje, e realizuar përmes procesit të monitorimit ndërkombëtar të krijimit të Kosovës, si një shtet i pavarur demokratik multietnik, por edhe avancimit të Serbisë drejt institucioneve evropiane e ndërkombëtare.

Shkruar nga: Elvina Jusufaj

Thirrja emocionuese nga Presheva: Kosova është nëna jonë (video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration