Jostabiliteti në Bosnje “ka efekt vargua” në Kosovë dhe më gjerë
Në vitin 2021, udhëheqësi nacionalist i serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, shkaktoi krizën më serioze politike që nga lufta e viteve 1992-95, kur tha se do ta tërheqë rajonin serb, të njohur si Republika Sërpska, nga institucionet shtetërore të Bosnjës: gjyqësori, sistemi i taksave dhe forcat e armatosura.
Të tria këto përfaqësojnë shtyllat kryesore të shtetit, i cili pas luftës u nda në dy rajone autonome: Republika Sërpska dhe Federata e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët.
Përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, tha atëkohë se plani i Dodikut është i barasvlershëm me ndarje.
“Perspektivat për ndarje dhe konflikt të mëtejshëm janë shumë reale. Bosnja mund të përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial që nga paslufta, nëse komuniteti ndërkombëtar nuk merr masa për t’i ndaluar separatistët serbë”, tha Schmidt.
Edhe pse vazhdimisht përsëriti kërcënimet për ndarje, Dodik nuk bëri ndonjë hap në praktikë, duke thënë se do të presë për një moment më të përshtatshëm gjeopolitikisht.
Por, inteligjenca amerikane tha se ai, në fakt, po merr hapa për shkëputjen de facto të Republikës Sërpska.
Në një raport të Zyrës së drejtorit të inteligjencës kombëtare të SHBA-së, që u bë publik këtë javë, u tha se “udhëheqësi serb i Bosnjës, Millorad Dodik, po ndërmerr hapa provokues për të neutralizuar mbikëqyrjen ndërkombëtare në Bosnje dhe për të siguruar shkëputjen de facto të Republikës Sërpska”.
“Veprimi i tij mund t’i shtyjë udhëheqësit e popullsisë boshnjake që t’i forcojnë kapacitetet në mbrojtje të interesave të veta, dhe të çojë ndoshta në konflikte të dhunshme, që mund t’i mposhtin forcat paqeruajtëse”, tha po ashtu inteligjenca amerikane.
Dodik, i cili është i sanksionuar nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për shkak të “aktiviteteve destabilizuese”, tha se Republika Sërpska “nuk planifikon ndarje apo rrezikim të paqes dhe stabilitetit”.
Në një postim në platformën X, pas publikimit të raportit të inteligjencës amerikane, Dodik tha se “Amerika do një vatër të re të nxehtë, në të cilën njëri prej presidentëve më të pasuksesshëm në historinë e Amerikës [Joe Biden] do të mund të fitonte ndonjë pikë, përpara zgjedhjeve”.
Ai tha, po ashtu, se “nuk do të lejojë të rrezikohet siguria e njerëzve”.
Por, sipas vëzhguesve, Perëndimi duhet të ketë “qasje më vigjilente” ndaj asaj që ndodh në Bosnje e Hercegovinë, sepse situata mund të dalë shpejt “jashtë kontrollit”.
Ata thonë se paralajmërimet për Dodikun nuk janë një gjë e re, por se vijnë në një moment të ri gjeopolitik - në njërën anë të botës lufta në Ukrainë, në anën tjetër lufta në Gazë.
Vesko Garçeviq, profesor i Praktikës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit, flet për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:
“Nëse diçka ndodh në Bosnje e Hercegovinë, nëse Dodik ndihet i inkurajuar për të organizuar referendum për pavarësi dhe për ta shpallur Republikën Sërpska shtet të pavarur, një gjë e tillë ka të ngjarë të çojë në një reaksion zinxhiror në rajon. Atëherë, mund të presim diçka të ngjashme, ose jostabilitet dhe përshkallëzim të situatës edhe në Kosovë”.
Dodik është aleat me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Prej se Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022, Dodik ka takuar katër herë Putinin - herën e fundit muajin e kaluar.
Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, thotë se Rusia nuk ka synime specifike strategjike në Ballkanin Perëndimor, por se është e vetëdijshme se, praktikisht, “pa përpjekje" mund ta pengojë integrimin e tij euroatlantik.
Vogel thotë se forca paqeruajtëse e BE-së në Bosnje, EUFOR Althea, nuk ka as njerëz, as pajisje, për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate dhunës së mundshme në Bosnje.
Sipas tij forcimi i këtyre forcave është parakusht për zgjidhjen e problemeve të tjera në këtë vend.
“Nëse trupat e EUFOR-it do të dislokoheshin në Bërçko [që është njësi administrative vetëqeverisëse], ato do të dërgonin një sinjal se çfarëdo që të bëni, çfarëdo lëvizjeje secesioniste që të bëni, ne jemi këtu dhe do ta ‘përgjysmojmë’ Republikën Sërpska. Do të ishte e pamundur fizikisht që Republika Sërpska të shkëputej”, thotë Vogel për REL-in.
Vogel thotë se BE-ja nuk ka “oreks” për t’i forcuar ndjeshëm këto forca, edhe pse, sipas tij, paralajmërimet e SHBA-së do të duhej të shërbenin si “thirrje zgjimi” për të.
Ai nuk mendon se përparimi i Bosnjës drejt integrimit evropian, do ta ndryshonte sjelljen e Dodikut. Sipas tij, BE-ja është fajtorja kryesore për situatën aktuale në Bosnje.
“BE-ja ka qenë lojtarja dominuese ndërkombëtare në Bosnje për gati dy dekada. Fakti që SHBA-ja, pas një periudhe kaq të gjatë, ngre alarmin për kërcënimet secesioniste, flet për dështimin e BE-së për të ndërtuar paqe konkrete”, thotë Vogel.
Por, ndryshe nga Vogel mendon Garçeviq. Sipas tij, integrimi i përshpejtuar në BE do ta ulte rrezikun e përshkallëzimit të situatës.
“Së dyti, do të duhej vigjilencë edhe ndaj sigurisë dhe inteligjencës, si dhe lidhje më e afërt me Ballkanin. Idetë ekstreme mund të çojnë në situata ekstreme. Nëse nuk i trajtojmë në mënyrë parandaluese, atëherë mund të përshkallëzohen në diçka që nuk duam ta shohim”, thotë Garçeviq.
Dodik, në disa paraqitje publike, ka shprehur mbështetje për rikthimin e Donald Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë. Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen në nëntor.
Nëse Trump fiton kundrejt presidentit aktual, Joe Biden, Vogel thotë se nuk pret ndryshime të rëndësishme në marrëdhëniet e SHBA-së me Bosnje e Hercegovinën, por se pret rikthimin e “tendencave të rrezikshme për t’i parë diktatorët si miq”.
Vogel thotë se Trump nuk ka ideologji apo strategji të qarta, por se ka, sipas tij, mbështetjen e autokratëve të ndryshëm - në mesin e tyre Putin dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban.
Garçeviq thotë se tendencat e Trumpit për zgjidhje pragmatike dhe radikale mund të përkthehen edhe në praktikë, jo vetëm në Bosnje e Hercegovinë, por në të gjithë Ballkanin Perëndimor, sipas tij.
“Nëse Trump kthehet në zyrë në SHBA, nuk mund të presim që SHBA-ja të vazhdojë të punojë në sienergji me BE-në, ashtu siç ka qenë rasti me administratën e Bidenit. Ajo që mund të presim është që SHBA-ja, për shembull, të dalë me planin e vet për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë. Një prej ideve, që është hequr nga tryeza disa vite më parë, por mund të kthehet në agjendë, është shkëmbimi territorial midis Kosovës dhe Serbisë”, thotë Garçeviq.
Në rast se ky skenar realizohet, shton ai, ndarja e Republikës Sërpska do të bëhej shumë e mundshme, dhe efekti vargua do të niste edhe në vende të tjera të rajonit.
“Ballkani Perëndimor ka gjasa të përballet me një rrezik në rritje të dhunës së lokalizuar ndëretnike, gjatë vitit 2024”, tha inteligjenca amerikane.
Në janar, Dhoma e Lordëve në Mbretërinë e Bashkuar kërkoi nga Qeveria e këtij vendi që ta rishikojë qasjen e saj ndaj Ballkanit Perëndimor.
Ajo tha se tensionet në këtë rajon janë përshkallëzuar dhe përmendi përleshjet e dhunshme në veri të Kosovës dhe protestat antiqeveritare në Serbi. Për Dodikun në Bosnje tha se ka intensifikuar retorikën e tij secesioniste, duke vënë në rrezik paqen.
Ndër rekomandimet që i bëri Qeverisë britanike ishin: t’i bëhet presion Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë obligimet e dala nga marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, si dhe të rivlerësohet mundësia për t’iu ribashkuar misionit paqeruajtës të BE-së në Bosnje.
Tash për tash, është e vështirë të shihet se si situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor mund të përmirësohet dukshëm në një të ardhme të afërt. Megjithatë, aktorë të fuqishëm, me vullnet të mjaftueshëm politik, mund ta pengojnë ndoshta rajonin që të rrëshqasë sërish në dhunë.
NATO-ja, në raportin e saj vjetor të publikuar këtë javë, tha se prania e aleancës ushtarake në Kosovë është kyçe për sigurinë e Ballkanit Perëndimor.
Bashkimi Evropian këmbëngul se e ardhmja e vendeve të këtij rajoni është në BE. Ai ka ndarë një paketë prej 6 miliardë eurosh për t’i ndihmuar ato në reforma, por se kur do të jetë gati për t’i hapur dyert për to, nuk dihet./REL/