Takimi Haxhinasto-Beqiri: Kërkohet eliminimi i pengesave për biznes Luginë-Shqipëri dhe anasjelltas
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, ka pritur sot përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) nga Lugina e kryesuar nga Galip Beqiri.
Në takim u diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e Transportit me qëllim nxitjen e zhvillimit ekonomik të këtij rajoni.
Sipas njoftimit të Ministrisë në fjalë, gjatë takimit, Haxhinastos iu prezantuan disa problematika që hasin bizneset e shqiptarëve në Luginën e Preshevës në transportin e mallrave të eksportit nga Shqipëria, transmeton Titulli.
Haxhinasto garantoi angazhimin e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës për kapërcimin e pengesave jofizike të shfaqura gjatë transportit të mallrave dhe lehtësimin e mëtejshëm të shkëmbimeve tregtare dhe sociale mes dy vendeve, si dhe premtoi zgjidhje të shpejtë të problematikës.
Në këtë takim në Tiranë, përveç përfaqësuesve të KKSH-së morën pjesë edhe përfaqësues të bizneseve nga Lugina e Preshevës./Titulli.com/