Tahiri: Ne nuk po kontestojmë kufijtë, vetëm duam të na bashkohet Kosova Lindore
Ministri i Drejtësisë njëherësh anëtari i Kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri, tha se qëllimi i PDK-së në dialogun me Serbinë, është vetëm për t'u arritur një konsensus.“PDK-ja nuk negocion mbi shtetësinë dhe sovranitetin. Në asnjë rrethanë nuk e diskutojmë këtë. Duhet të jemi të vëmendshëm dhe të jemi me qëndrim të njëjtë në fazën finale. Sot vetëm kemi ripërsëritur qëndrimet tona”, tha Tahiri në Interaktiv të KTV-së.
Ai tha se në kuadër të këtij dialogu, PDK-ja do që Lugina t’i kthehet Kosovës. “Pas 62 viteve kërkesa e tyre do të parashtrohet nga ana e Kosovës. Ata padrejtësisht janë pjesë e një shteti tjetër”, tha ai, duke shtuar se nuk e di a do ta njohë Serbia pavarësinë e Kosovës.
“S’e di a do të na njohë e s’e di si do të përfundojë ky dialog, me apo pa kthimin e Luginës”, tha ai.
“Jemi të bllokuar në agjendën tonë e evropiane, duhet të punojmë më shumë”, thotë tutje Tahiri, duke shtuar se synim kanë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Tahiri tha se klasa politike në Kosovë, nuk do ta cenojë integritetin e vendit, por nuk ka treguar kur është pyetur se çka do t’i falë Kosova Serbisë, ashtu siç dihet se do kërkojë presidenti serb Aleksandër Vuçiq.
Tahiri ka mohuar se Kosova vet po konteston kufijtë e vet, ai thotë se po kërkojnë thjesht që Kosova Lindore t’i bashkohet Kosovës.
Ai ka thënë se e beson që SHBA-ja do jetë pjesë e procesit në dialogun me Serbinë, gjithashtu edhe BE-ja.
Tahiri thotë se i kanë të qarta edhe pretendimet e Serbisë, dhe duan që të dyja palët të arrijnë një marrëveshje të kënaqshme.
“Do ishim të lumtur sikur ta kemi Luginën brenda kufijve tanë. Nuk do t’ua kthejmë shpinën atyre”, tha ai.
Për kërkesën e opozitës për seancë të jashtëzakonshme më 4 shtator, Tahiri tha se ata po e kërkojnë këtë por se duhet të kenë qëndrime të përbashkëta.
“S’ka kuptim që ne të jemi me qëndrime të ndara. AAK e Nisma, nuk e di a do të votojnë kundër, por shpresoj që të jenë në përfundim me qëndrime të njëjta”, tha ai.
Nëse miratohet rezoluta në Kuvend, Tahiri tha se presidenti Thaçi duhet të respektojë Kushtetutën para çdo rezolute. Kjo i bie që më 7 shtator në Bruksel do të diskutohet për Luginën.
Tahiri tha se Isa Mustafa në vitin 2015, e ka bërë gabimin më të madh që në Bruksel ka diskutuar themelimin e statutit të Asociacionit.
Ka folur edhe për protestën që do të mbahet të mërkurën. “Arsyeja e vetme e qytetarëve tanë është për të kërkuar të drejtat e qytetarëve që gjenden në Luginë”. Sipas Tahirit, qytetarët që do të protestojnë të mërkurën, nuk kanë arsye tjera për çka të protestojnë.