Shala: Serbia vazhdueshëm insiston për shkëmbim territoresh me Kosovën?
Blerim Shala, këshilltar politik i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpjeguar Platformën shtetërore për Dialogun Kosovë-Serbi.Shala ka treguar në emisionin “Pressing”, me Leonard Kerqukin, në televizionin T7, se kur u diskutua ndarja e Kosovës me Serbinë.
Në negociatat mes Kosovës e Serbisë, dhe ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, në vjeshtën e vitit 2007 është diskutuar edhe modeli i ndarjes së Kosovës, ka bërë të ditur Shala.
“Por, ndarja ishte refuzuar në mënyrë kategorike nga të dy palët”, ka treguar Shala, raporton Gazeta Express.
“Ka qenë në Vjenë takimi, në tetor apo nëntor, tha: ‘Mirë, çka mendoni për ndarjen?’. Të dy palëve u drejtua”, ka rrëfyer këshilltari i Thaçit në “Pressing”.
Shala ka kujtuar se i menjëhershëm ka qenë reagimi i Serbisë, por edhe i Kosovës.
“Delegacioni i Serbisë reagoi… Edhe ne nuk donim të diskutonim fare”, ka thënë Shala.
Këshilltari i Thaçit ka treguar se në aspekt joformal, nëpër korridore, në Bruksel, pala serbe vazhdueshëm ka insistuar dhe insiston për shkëmbim territoresh.
“Ne mendojmë se është opsion i gabuar dhe shumë i rrezikshëm për raportet Kosovë-Serbi dhe për stabilitetin në Ballkan”, ka deklaruar Shala.