Shaban Xheladini, rrëfim në vetën e parë:
Lokale

Shaban Xheladini, rrëfim në vetën e parë:

27.Jan.2017 19:20
0
Shaban Xheladinin, nga Tërrnoci i Bujanocit, mësues në pension, e që opinioni i gjerë shqiptar e kosovar e njeh për prind të Arben Xheladinit, të cilin më 10 shkurt të vitit 2007, gjatë protestave të Lëvizjes Vetëvendosja, policia e UNMIK-ut, e vrau në qendër të Prishtinës.

Në një ndejë rasti, Bajram Bajrami nga fshati Tërrnoc i Komunës së Bujanocit, (ish punëtor në NGBG Rilindja, tani në pension) në Prishtinë, më rrëfen një ngjarje që kish ndodh 40 vjet më parë. Përkatësisht, fjala është për vitin 1968, kur në Prishtinë e në qytete të tjera të Kosovës kishin shpërthyer demonstratat e studentëve shqiptarë. Menjëherë pas këtyre ngjarjeve historike, në tërë ish Jugosllavinë ishin mbajtur mbledhje të Organizatave Bazë të Lidhjes së Komunistëve. Një mbledhje e tillë ishte organizuar edhe në fshatin Tërrnoc të Komunës së Bujanocit. Rendi i ditës ishte i njëjtë me mbledhjet e qendrave të tjera të ish Jugosllavisë: Shqyrtimi i situatës së krijuar politike pas demonstratave të studentëve të Prishtinës dhe gjykimi i tyre...

Në atë mbledhje (ku ishin të pranishëm rreth 90 anëtarë), ishte zhvilluar një diskutim i gjatë dhe i mundimshëm, sepse përfaqësuesit - delegatët e Komitetit Komunal të LK të Bujanocit, duket të kishin ardhur me detyrë speciale, të porositur nga “bosët” e tyre, për të gjykuar me çdo kusht demonstratat, pa marrë parasysh natyrën e kërkesave të demonstruesve. Në pjesën dërmuese të diskutimeve ishte shfaqur gatishmëria për një gjykim të porositur të demonstratave të studentëve.

Diskutimi i vetëm që ishte krejt ndryshe nga të tjerët ishte ai i Shaban Xheladinit.

Në diskutimin e tij, z. Shaban Xheladini kishte theksuar se do të duhej bërë ndarja e organizimit të demonstratave si formë dhe e kërkesave të arsyeshme. Ai, kishte pranuar të jetë kundër demonstratave si formë e paraqitjes së kërkesave, por kërkesat e arsyeshme e me vend i përkrahte plotësisht. Bile, - kishte shtuar më pas - do të duhej kërkuar përgjegjësi nga përfaqësuesit shqiptarë në organet përfaqësuese, që nuk kanë qenë vigjilentë t’i nuhasin më herët pakënaqësitë që e mundojnë popullin.

Përkitazi me këtë, biseduam me Shaban Xheladinin, mësues veteran në Shkollës fillore të Tërrnocit, e më vonë edhe themelues dhe përgjegjës i Gjimnazit në atë fshat, (Gjimnazi i Tërrnocit ishte paralele e ndarë e Gjimnazit “Skënderbeu” të Preshevës), e që më vonë transferohet në Bujanoc.

Ai, tani është pensionist dhe jeton në lagjen Dragodan të Prishtinës. Më 10 shkurt 2007, gjatë protestave të Lëvizjes Vetëvendosja djalin e vetëm, Arbenin, policia e UNMIK-ut, ia vrau në qendër të Prishtinës. Ajo që na interesonte për fillimin e bisedës ishte mu ajo mbledhje e OB LK të Tërrnocit dhe vijimësia e saj. Sepse, diskutimet që ishin bërë atëherë, duke marrë parasysh kohën, jo që ishin shumë të guximshme, por edhe të rëndësishme.

 

Kërkohej nga ne që këto ngjarje të gjykoheshin si armiqësore, e të drejtuara kundër Jugosllavisë 

Në fillim, z. Xheladini, hezitoi t’u përgjigjej pyetjeve që i parashtroja, por, më në fund u dorëzua dhe nisi rrëfimin. E unë atë rrëfim të tijin e titullova: Rrëfim në veten e parë.

“Delegati i KK të LKS në Bujanoc, njoftoi Organizatën Bazë për demonstratat e studentëve në Prishtinë”. nisi rrëfimin z. Shaban Xheladini.

“Këto demonstrata, pa hezituar fare ishin cilësuar antishtetërore dhe si të tilla ishin armiqësore. Pastaj, sipas udhëheqësve partiak, ishin tentim i prishjes së rendit shoqëror, të drejtuara kundër vëllazërim-bashkimit të popujve të Jugosllavisë dhe irredentiste. Prandaj, kërkohej që këto ngjarje të gjykoheshin edhe nga Organizata Bazë e LK së Tërrnocit”. përfundoi mendimin z. Xheladini.

Për lexuesin e ri, kjo mbase duket qesharake, por koha ishte e tillë. Sistemi monist kishte krijuar mekanizma të tillë që, nganjëherë dukej që të tradhtonte edhe hija.

“Gjatë asaj mbledhjeje - vazhdoi rrëfimin z. Shaban Xheladini, - u zhvillua një diskutim i gjatë dhe i mundimshëm dhe me tone të larta e kërcënuese e besa edhe frikësuese. Disa anëtarë të partisë, nga frika se do të gjykoheshin për mendimet dhe diskutimet e tyre, sikur shfaqnin një pasiguri, apo më mirë të them sikur pajtoheshin me fjalët kërcënuese të delegatëve të KK të LKS të Bujanocit. Duke parë një atmosferë të tillë e të tendosur, u paraqita për diskutim. Në fillim të fjalës sime, theksova që kisha biseduar me kunatin tim, Hedvig Kadriun, nxënës i Shkollës së Mesme të Medicinës në Prishtinë, nga i cili kisha marrë informacionin se, ai duke u kthyer nga Prishtina për në Bujanoc, në Ferizaj kishte parë demonstruesit me pankarta, në të cilat kishin shkruar: “Rroftë shoku Tito”; “Rroftë LKJ”; “Rroftë Vëllazërim-Bashkimi”; “Rroftë barabarësia”; “Duam Universitet”; “Duam më shumë shkolla të mesme”; “Duam punë” etj.

Bazuar në këto shkrime nëpër pankarta, mua më duhet të ju kundërshtoj dhe të mos i gjykoj këto demonstrata. Sepse, ato nuk ishin drejtuar kundër sistemit shtetëror, nuk ishin armiqësore e aq më pak irredentiste. Studentët pra, kërkuan drejtësi, punësim, universitet, vëllazërim-bashkim dhe shkolla. Kur, dikush kërkon gjëra të tilla, s’ka sesi ta kualifikojmë si armik të shtetit apo të partisë”.

 

Nuk i frikësoheshim tankeve të APJ-së 

“Ende pa e përfunduar fjalën time, reagoi delegati i KK të LKS të Bujanocit dhe me një ton kërcënues mu drejtua se ato demonstrata ishin armiqësore dhe të tilla do të kualifikohen. Më tutje, duke u dridhur i tëri dhe duke mos e kontrolluar veten, tha se demonstratat janë shkatërruese, prandaj Tanket janë nisur nga Shkupi, Vraja, Nishi, Kraleva, e Titogradi (Podgorica e sotme) dhe do të bëhet alamet shkatërrimi nëse nuk qetësohet situata”.

“Unë sërish e kërkova fjalën duke ua bërë me dije që nuk duhet të frikësoheshim nga tanket, sepse ato drejtohen nga Armata popullore dhe një e treta e ushtarëve janë vëllezërit e tanë. Ushtria nuk mund të jetë kundër popullit, por për të mos lënë situatën të eskalojë e të infiltrohen faktorë destabilizues nga jashtë, ajo do të reagojë për të kryer detyrën e vet. Mbrojtjen e integritetit shtetëror.

Andaj, unë edhe një herë po e theksoj se ato demonstrata nuk janë të drejtuara kundër shtetit dhe nuk janë armiqësore, sepse në to nuk pati parulla armiqësore, prandaj si anëtar partie, unë nuk mund t’i gjykoj. Por, vazhdova unë fjalën time, do të shtroja tani një ndër problemet që janë shtruar në ato demonstrata.

A kemi shkolla të mesme të mjaftueshme në gjuhën shqipe?

Pa pritur përgjigjen tuaj, do të them:

JO! - nuk kemi.

A duhet pasur Universitet?

Duhet pasur.

A duhet të kemi më shumë vende pune (fabrika ose reparte punuese)?

Sigurisht që duhet pasur, ku do të punësoheshin të rinjtë e të rejat tona që po enden rrugëve.

Prandaj, po e theksoj edhe një herë që unë i përkrah ato kërkesa, sepse edhe intenca e shoqërisë sonë është zhvillimi i pjesëve të pazhvilluara të vendit. Mirëpo, le të sqarojmë diçka. Nuk pajtohem me demonstratat si formë e paraqitjes së kërkesave legjitime, sepse ende nuk janë shter të gjitha veprimet e përfaqësuesve të popullit në organet përfaqësuese të Krahinës, Republikës e Federatës së Jugosllavisë. Bile mendoj që duhet kërkuar përgjegjësi nga përfaqësuesit tanë në ato organe që nuk kanë qenë vigjilentë e t’i nuhasin me kohë kërkesat e rinisë dhe të popullit shqiptar e t’i paraqesin këto shqetësime në organet përkatëse”. - sikur u lirua nga një ankth z. Xheladini. Më pas ai vazhdon:

“Mendoja që, nëse kërkohet përgjegjësi prej tyre, për ta do të ishte një përkrahje dhe stimulim që më me guxim dhe më me kurajë do të përgatiteshin për t’i shtruar çështjet që kërkonin zgjidhje”.

 

Më akuzuan dhe më paditën pse nuk isha shpërngulur me gjyshin dhe me xhaxhanë tim në Turqi 

Duke pasur për bazë rrezikun që në atë kohë ishte prezentë, kërkuam nga ai të na sqarojë prej nga ai guxim të kundërshtonte delegatët e partisë për të mos gjykuar demonstratat dhe t’i vlerësojë legjitime kërkesat e studentëve. Ishte kohë e pa kohë. Ishin bërë vetëm dy vjet nga rënia e Rankoviqit dhe ende nuk ishin larguar nga aparatura shtetërore të gjithë bashkëpunëtorët dhe përkrahësit e politikës së tij, z. Shaban Xheladini, sikur e përqendroi shikimin poshtë dhe duke sjellë kryet herë në të djathtë e herë në të majtë, shfryu dhe vazhdoi. Mua mu duk që nisi një rrëfim që kish ndodh diku në një vend a në një kohë, e të ishte përrallë që e kishte dëgjuar me mijëra herë.

“Ekzistonte rreziku, si jo. - vazhdoi ai – unë e kisha një eksperiencë personale. Isha arrestuar dhe burgosur në vitin 1960 për një vepër penale, pa kurrfarë faji, dhe në burg qëndrova tre muaj, për shkak të një padie dhe të një dëshmie të rrejshme, kinse, nuk qenkam shpërngulur me gjyshin dhe me xhaxhanë tim në Turqi, me pretekst të shkollimit të më shumë të rinjve shqiptarë, për të pritur Shqipërinë. Kjo ishte një ndër paditë që më kishin bërë. Unë nuk e mohova akuzën, sepse shkollimi fillor ishte i ligjshëm. Kështu, pasi nuk gjetën prova të tjera që do të më ndërlidhnin me prishjen rendit shtetëror, më liruan, dhe në vitin 1966 më rehabilituan. Andaj, kishte mundësi ta pësoja, por duke u nisur nga fakti që mund të pësonin studentët, pësimi im ishte më pak i rëndësishëm në krahasim me arrestimet, burgosjet, maltretimet e dënimet që do të pasonin, pasi të gjykonim demonstratat si armiqësore dhe të drejtuara kundër rendit shoqëror. Pra, pritej vetëm një kiks i vogël i shqiptarëve dhe burgjet të mbusheshin me të rinj shqiptarë. Shpresa ime ishte se do të arrinim t’i bindnim ata, të deleguarit e KK të LKS, se ato demonstrata nuk ishin armiqësore dhe kjo çështje do të ngrihej më lart e do të vinin të tjerë aktivistë, mbase nga Leskoci a Beogradi, për të dëgjuar zërin tonë dhe gjykimi nuk do ishte në bllok, siç pritej nga Partia Komuniste. Mirëpo, edhe pse insistova, nuk munda t’i hiqja frikën anëtarëve të tjerë të OB të LK (kjo organizatë ishte ndër më të mëdhatë në Komunën e Bujanocit)”. 

 

Insistova të shënohej se i përkrahja kërkesat e demonstruesve 

“Duke parë një situatë të tillë, theksova se do të jemi dëshmitarë të kohës kur do të fillojnë arrestimet dhe burgosjet e mijëra studentëve që do të gjykoheshin e të dënoheshin për veprat që s’i kanë bërë. (P.sh. nuk ishte qëllimi i tyre – thyerja e xhamave). Me insistimin e sekretarit të Partisë, pjesa dërmuese votuan për të gjykuar demonstratat si armiqësore dhe antipopullore. Isha i vetmi që nuk u pajtova me një cilësim të tillë dhe nuk e çova dorën. Pos kësaj, kërkova të shënohej në procesverbal se isha kundër demonstratave si formë e paraqitjes së kërkesave pa i paraqitur paraprakisht në organet legjitime nga përfaqësuesit e popullit; Insistova gjithashtu të shënohej se i përkrahja kërkesat. Me propozimin tim u pajtuan vetëm Bajram Bajrami, Beqir Beqiri dhe Ukshin Fejzullahu”. Përfundoi rrëfimin për atë ngjarje të vitit të largët 1968, z. Shaban Xheladini. Nuk di në e lehtësoi paksa ky rrëfim, apo mbase ia hapi dritaren e kujtimeve të hidhura të asaj kohe, kur as hijes nuk i besohej.

Vlen të theksohet që ky kundërshtim i z. Shaban Xheladini, njihet si rast unik, sepse në Komunën e Bujanocit, por edhe më gjerë, (në mbledhje të tilla nuk ka ndodhur ndonjë kundërshtim tjetër, ky ishte i vetmi. vërejtje e Sh. Xh) nuk ka ndodh që ndonjëherë të refuzohet nga ndonjë anëtar kërkesa e partisë ose e përfaqësuesve partiak.

 

Dyzet vjet më vonë... 

Ky kundërshtim, atij i kushton shtrenjtë. Menjëherë pas asaj ngjarjeje, pushteti e merr në sy të keq dhe ai, pas disa viteve detyrohet që me familje të ndërrojë vendbanim. Vjen në Prishtinë dhe fillon një jetë të re. Sepse, jeta për të, në Tërrnoc e Bujanoc ishte e padurueshme. Tetë vjet pasi kishte ndërruar vendbanimin nga Tërrnoci në Prishtinë, një nga delegatët e atëhershëm të Komitetit Komunal të Partisë Komuniste të Bujanocit, në një takim me z. Shaban Xheladini, në Prishtinë, kishte kërkuar edhe një herë t’i sqaronte se ç’kishte dashur të thoshte në atë mbledhje të vitit 1968. ky ia kishte sqaruar se kërkesat e studentëve në ato demonstrata ishin konstruktive dhe të pranueshme dhe nuk ishin të drejtuara kundër Jugosllavisë.

Përndryshe, po të ishin të tilla, atëherë, nuk do të lejohej themelimi i Universitetit të Prishtinës në vitin 1970 e as do të krijoheshin vende të  lira pune për rininë dhe popullatën shqiptare. Këto fjalë, z. Xheladini ia kishte thënë delegatit disa vjet pas themelimit të Universitetit. Mirëpo, për atë (delegatin) ishte tejet vonë të kuptuarit e diskutimit të z. Xheladini në mbledhjen e 28 nëntorit të vitit 1968. dhe...

Në kohën kur pretendonte që duhej jetuar një jetë të rehatshme, pas afërsisht 40 viteve të ndërrimit të vendbanimit, (në vitin 2007, pas çlirimit të Kosovës nga Serbia) policia e UNMIK-ut i vrau të vetmin djalë, Arbenin. Sot, z. Shaban Xheladini, jeton në lagjen Dragodan të Prishtinës. Ditët pensioniste i kalon me shpresë që do ta rrit nipin e vetëm, Oltin, (djalin e Arbenit) ta edukojë në frymën patriotike, e që ai, pasi të rritet, të vazhdojë rrugën e gjyshit e të babit: ta dojë e ta respektojë shtetin e Kosovës.

E përgatitur nga Ferid Selimi- Prishtinë, 18 janar 2010

 

Komuna e Bujanocit pranon donacion prej 110 mijë euro nga populli japonez (foto&video)
Serbia nuk i nostrifikon diplomat e të rinjve të Luginës të diplomuar në Kosovë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration