Mustafa e Haziri takojnë përfaqësuesit nga Bujanoci dhe Presheva
Pas vizitës në Komunën e Gjilanit, vënies së gurëthemelit të QKMF-së, vizitës në Universitetin "Kadri Zeka" e në kazermën e Batalaionin e Parë të FSK-së, kryeministri i vendit, Isa Mustafa së bashku me kryetarin Lutfi Haziri, kanë takuar përfaqësuesit e komunave të Bujanocit, Preshevës dhe Këshillin Kombëtar Shqiptar, përkatësisht Jonuz Musliun, Shaip Kamberin, Ardita Sinanin dhe deputetin Fatmir Hasanin.“Kryeministri ka kërkuar edhe nga unë personalisht, që si kryetar i Komunës më të madhe në regjion, të kujdesem dhe angazhohem në kuadër të programit të bashkëpunimit ndërkufitar dhe ndërkomunal për Prshevën, Bujanocin dhe Medvegjën sepse është interes i përbashkët dhe jetik që qytetarët të jetojnë atje, e të mos lëvizin në drejtim të Kosovës. Të shkollohen, të kontribuojnë dhe të kthehen në vendin e tyre”, ka deklaruar pas takimit kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Ndërsa, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, është shprehur se takimet e tilla mungojnë ne nivel qendror, duke vlerësuar lartë takimet e mëhershme të regjionit të organizuara nga Komuna e Gjilanit, për të cilat tha se janë arritur rezultate të mira.
“Vërtetë mund të them se neve na mungojnë takime të tilla në nivel qendror. Ka pasur takime të përbashkëta në Komunën e Gjilanit dhe me këtë regjion dhe mund të them se janë arritur rezultate të mira sepse është krijuar një komunikim. Ne jemi të interesuar që edhe më tutje ta thellojmë bashkëpunimin. Është e drejtë e jona që të ndihmojmë për zhvillimin ekonomik, arsimor e kulturor sepse ne jetojmë në Europë dhe karta europiane dhe e qeverisjes lokale përmban në vetëvete edhe këtë formë të bashkëpunimit”, ka thënë kryeministri Mustafa.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, kanë falënderuar kryeministrin Mustafa dhe kryetarin Haziri për takimin, duke thënë se ky takim ishte shumë i frytshëm, inkurajues dhe motivues për shqiptarët e Luginës së Preshevës. "‹
Përfaqësuesit e lartë politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës e njoftuan kryeministrin Mustafa për sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen./2L ONLINE/