MASHT do të provojë sërish t'i dërgojë librat për shqiptarët e Luginës
Lokale

MASHT do të provojë sërish t'i dërgojë librat për shqiptarët e Luginës

16.Jul.2016 18:34
0
Ministria e Arsimit do të provojë edhe sivjet t'i dërgojë librat e shkollimit obligativ për nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, megjithëse vitin e kaluar një gjë e tillë ishte ndaluar nga autoritetet serbe.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka thënë për KosovaPress se librat të cilët nuk ishin lejuar të hyjnë në shtetin serb, janë duke u ruajtur në qytetin e Gjilanit dhe të njëjtit do të dërgohen prapë në destinacionin e paraparë.

“Përkundër vullnetit shumë të mirë të MASHT-it që këto tekste të dërgohen në destinacion, atje ku janë të nevojshme dhe atje në rrugë ligjore, jo të kontrabandohen siç ka ndodh por të dërgohen me procedura ligjore, qeveria serbe ka qenë përsëri në pozicione të vjetra, do me thënë akoma në pozicione të vazhdimit të diskriminimit ekstrem të nxënësve tanë dhe përkundër përpjekjeve tona maksimale dhe përpjekjeve ndërkombëtare, por edhe përkundër disa takimeve në Bruksel, ato tekste nuk kanë mund të shkojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Megjithatë, ato tekste tani janë duke u ruajtur në komunën e Gjilanit, në DKA dhe janë tekste të destinuara për Luginën e Preshevës dhe do të provojmë që sivjet t’i dërgojmë në destinacion në mënyrë që nxënësit tanë të kenë literaturën e duhur. Jemi duke biseduar edhe me partnerët ndërkombëtarë që të shtrojnë një trysni që nëse nuk kanë mundur vitin e kaluar për shkak të qëndrimit nacionalist dhe diskriminues atëherë sivjet ato tekste të shkojnë në destinacion dhe nxënësit tanë atje të kenë libra të përshtatshme”, ka deklaruar Bajrami.

Ministri e ka përmendur se si kundërpërgjigje e kësaj, MASHT-i menjëherë kishte marrë masa të reciprocitetit, por ka pranuar gjithashtu se librat që hyjnë nga Serbia në mënyrë ilegale nuk kanë mundur të ndalohen tërësisht asnjëherë.

“E keni përcjellë me kohë vendimin tim si ministër për vendosjen e reciprocitetit, tri ditë pasi që janë bllokuar tekstet tona, një vendim që i është dërguar Doganës dhe Policisë së Kosovës dhe kemi kërkuar që asnjë tekst i qeverisë serbe mos të hyjë pa lejen e qeverisë. Ne e kemi kryer punën tonë por ne nuk jemi polici dhe prokurori për ta bërë këtë ndjekje. Jemi të kënaqur që në shumicën absolute ky reciprocitet është respektuar dhe në qoftë se ka pasur shkelje, atëherë duhet të adresohet përgjegjësia. Reciprociteti vazhdon të jetë në fuqi dhe ne kërkojmë që të respektohet në mënyrë që të përdoret si një trysni ndaj qeverisë serbe që të lejoj tekstet shqip për Luginën e Preshevës në mënyrë që të lejohet edhe furnizimi i papenguar i teksteve të qeverisë serbe për nxënësit serbë në Kosovë”, është shprehur ministri.

Megjithatë, i pyetur nëse shkollat të cilat punojnë me planprogram të Serbisë në Kosovë mund të mbyllen, ministri Bajrami ka thënë se nuk mendon se mbyllja e institucioneve arsimore është zgjidhje.

Ai ka shtuar se si ministër është i interesuar që nxënësit e komunitetit serb të integrohen në sistemin e shkollimit në vendin tonë, mirëpo ka shtuar se ky komunitet duhet të heqë dorë nga secili veprim paralel që mund ta merr.

“Shkollat serbe e kanë një specifikë të paraparë me planin gjithëpërfshirës të Ahtisarit, me ligjin parauniversitar. Ne e respektojmë atë specifikë edhe sa i përket hartimit të kurrikulave edhe segmenteve tjera, por çështja e integrimit të plotë të këtyre shkollave është vendim politik, është një vendim politik që duhet të merret në nivele të larta politike sepse unë nuk e quaj zgjidhje mbylljen apo policinë apo represionin, unë e quaj zgjidhje integrimin e tyre, integrimin e tyre si një proces të pashmangshëm sepse Kosova dhe qeveria e Kosovës kanë vendosur standarde të larta për të drejtat e pakicave sidomos për komunitetin serb dhe komuniteti serb duhet të vetëdijesohet, të heqë dorë prej cilitdo organizim paralel të sistemit arsimor në Kosovë, të zhvilloj sistemin arsimor sipas diversitetit dhe specifikat që ia jep ligji dhe të integrohet brenda sistemit arsimor të Republikës së Kosovës”, është shprehur ai.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë vitin e kaluar i kishte nisur për shkollat shqipe të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës rreth 100 mijë kopje të librave shqip për nxënësit e shkollimit fillor, mirëpo të njëjtat ishin kthyer në kufi të Serbisë duke mos u lejuar të arrijnë në destinacionin e caktuar.

Kohë më parë shteti i Kosovës kishte negociuar në Bruksel për të drejtën e shkollimit të qytetarëve në gjuhën amtare të të dyja shteteve, si dhe pranimin e diplomave në mënyrë reciproke. /Titulli.com/

Arsim Sadriu nga Presheva, kandidat për deputet në kantonin Basel të Zvicrës
Shkup: Zhvillohet samiti ndërkombëtar për përvojën multikulturore në arsim, pjesëmarrës edhe mësimdhënës nga Lugina
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration