Gjelbrim Taipi, lojtar i ri në përfaqësuesen e Kosovës
Mesfushori ofenziv Gjelbrim Taipi është lojtari i ri i radhës në përfaqësuesen e Kosovës në futboll.24-vjeçari, që është nga Tërnoci i Bujanocit, javën tjetër pritet të nisë procedurën për t'u pajisur me pasaportë të Kosovës, që është kusht për të luajtur për përfaqësuesen. Ai nuk pritet të luajë për Kosovën në ndeshjet e shtatorit ndaj Kroacisë e Finlandës, por pritet të ftohet për ndeshjet e tetorit.
Në tetor Kosova i luan ndeshjet e fundit në kuadër të eliminatoreve për botërorin “Rusia 2018”.
Taipi aktualisht luan për St. Gallenin në Superligën e Zvicrës në futboll. Ka tri paraqitje në Superligë dhe një për kupë të Zvicrës. Për Kupë e ka shënuar një gol.
Taipi është prej lojtarëve më të njohur nga Lugina e Preshevës. Ky rajon shqiptar tashmë e ka një lojtar në përfaqësuesen e Kosovës, mbrojtësin e majtë Fidan Aliti..