Dhuna e shfrenuar sllavomaqedone kundër protestuesve shqiptarë
Lëvizja e Progresit Demokratik dhe lideri i saj Jonuz Musliu, i cili njëherit është edhe kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit, ka shprehur shqetësim dhe ka reaguar ashpër lidhur me dhunën e shfrenuar të policisë speciale të Maqedonisë, ndaj protestuesve shqiptarë në Shkup.
“Rastit “Monstra”, është një monstrum i montuar gjyqësor, i cili dënon me burgim të përjetshëm shqiptarët në Shkup, I njëjti skenar me proceset e montuara politike të Beogradit ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Dënimet drakonike të gjyqësorit maqedon nxorën në rrugë shqiptarët për ta shprehur mllefin e tyre kundër regjimit totalitar të Maqedonisë”, thuhet në reagimin e kryetarit Musliu.
LPD vlerëson se dhuna e egër e pushtetit maqedon kundër shqiptarëve, thuhet më tej në reagim, nuk garanton një proces të drejtë gjyqësor, por ngatërron edhe më shumë marrëdhëniet ndëretnike, duke prodhur tensione politike.
LPD, duke i ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit në Maqedoni, kërkon nga spektri politik shqiptar unitet në këto momente dramatike nëpër të cilat po kalon shteti i tyre.
Vakumi i krijuar institucional pas zgjedhjeve në Kosovë, pastaj fokusimi i shtetit amë në shfarosjen e bimëve narkotike në Lazarat, ka bërë që faktori shqiptar të jetë i papërgatitur dhe jo efektiv në presionet ndaj vendit të tyre fqinj Maqedonia, e cila po i diskriminon shqiptarët mbi baza etnike dhe politike.
“Shkupi i përgjakur nga dhuna e shfrenuar e policisë speciale maqedone, kundër protestuesve shqiptarë në mbrojtje të drejtësisë, nuk do t’i lë rehat shqiptarët jo vetëm në Maqedoni, po gjithandej ku ka shqiptarë, thuhet në reagimin e Jonuz Musliu, njofton Qendra për Informim e LPD-së. /Titulli.com/