Hill: Herët të thuhet se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i pasuksesshëm (video)
Rajoni dhe Politika

Hill: Herët të thuhet se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i pasuksesshëm (video)

27.Oct.2023 18:51
0

Është shumë herët të thuhet se dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është i pasuksesshëm, tha Christopher Hill, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Beograd.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), Hill tha se nuk e priste "suksesin e plotë" të negociatave dhe se pritja e tij ishte kthimi në tryezën e bisedimeve.

"Tani duhet të shohim [vazhdimin]", tha ai.

Synimi i dialogut, siç thekson ai, është një zgjidhje politike që pret “dhënie e marrje” nga të dyja palët.

"A mund të arrijmë një situatë ku serbët në Kosovë të ndihen rehat dhe të kenë një lloj Asociacioni të Komunave me shumicë serbe. Dhe së dyti, a mund të arrijë Prishtina atë që dëshiron, që është një rrugë e qartë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare", tha Hill.

Ai theksoi se sulmi i armatosur ndaj policisë së Kosovës në Banjskë është pengesë e madhe për negociatat në Bruksel. Sipas tij, SHBA-ja është duke i monitoruar nga afër hetimet në Beograd dhe Prishtinë.

"Fokusi është të zbulohet saktësisht se çfarë ka ndodhur, kush është përgjegjës. Dhe së fundi, të krijohen rrethana, ku kjo nuk mund të ndodhë më", theksoi ambasadori amerikan.

 

Radio Evropa e Lirë: Zoti ambasador, le të nisim me bisedimet e djeshme [të Kosovës dhe Serbisë] në Bruksel. Duket se kanë përfunduar pa sukses. A e keni pritur një rezultat të tillë?

Christopher Hill: Nuk kam pritur ndonjë sukses të plotë. Por, sigurisht, kam pritur ca përpjekje për t’u kthyer në elementet thelbësore të dialogut. Në këtë kuptim, ka qenë një takim i rëndësishëm, të dyja palët kanë qenë në takim. Kështu që, do të shohim. Tani për tani, megjithatë, është e qartë se nuk i ka zgjidhur të gjitha problemet që mbeten në dialog. 

 


Radio Evropa e Lirë: Diplomatët e BE-së dhe SHBA-së thonë gjithashtu se është e rëndësishme që udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës të kthehen në rrugën e duhur, të kthehen në tryezë. Por, a është tani koha për një lloj të ri formati, duke qenë se ky nuk po jep shumë rezultate? Pra, si duhet të duket procesi?

Christopher Hill: Nuk dua ta hamendësoj procesin që Bashkimi Evropian ka krijuar. Mendoj se ka marrë shumë vëmendje të madhe në Bashkimin Evropian. Ka qenë e rëndësishme të shihet pjesëmarrja e presidentit të Francës, e kancelarit të Gjermanisë... Pra, mendoj se evropianët kanë kontribuar me një nivel të rëndësishëm përpjekjesh.

 

Çështja e vërtetë është thelbi i dialogut. A mund të arrijmë në një situatë ku serbët në Kosovë ndihen rehat me rrethinën e tyre dhe kanë një lloj asociacioni të komunave [me shumicë] serbe? Dhe, së dyti, a mund ta arrijë Prishtina atë që do, që është një rrugë e qartë drejt më shumë ndërkombëtarizimi?

Këto janë çështje komplekse, probleme të vështira, sigurisht të trashëguara. Por, gjithashtu, shpresoj se do të ketë një frymëzim për të ardhmen. Është shumë herët për të pretenduar se ky është dështim. Le të shohim se si shkon prej këtu.

Radio Evropa e Lirë: Por, sa afër jemi?

Christopher Hill: Do ta di kur të jemi atje. Është shumë e vështirë ta matësh se sa afër je kur nuk je atje. Ajo që di është se ky proces dialogu është ndërprerë nga një situatë shumë, shumë e vështirë dhe, në fakt, diçka që ka qenë mjaft e dëmshme për procesin e përgjithshëm. Këto janë ngjarjet që kanë ndodhur në Banjskë.

Radio Evropa e Lirë: Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Serbisë që të marrë pjesë në hetimin e sulmit në Banjskë. Por, a janë hetimet paralele në Serbi dhe në Kosovë - pa bashkëpunim - rrugë e mirë për ta sqaruar atë që ka ndodhur?

 

Christopher Hill: Unë mendoj se çështja është që të përqendrohemi në atë që ka ndodhur saktësisht, kush është përgjegjës, pse e kanë bërë dhe, në fund, të krijohen rrethana ku kjo nuk mund të ndodhë më. Unë mendoj se kjo përfshin shumë struktura të ndryshme. Çfarë mund të bëjë KFOR-i, kontingjenti i NATO-s, në këtë drejtim? Cilat aspekte të tjera duhet të trajtohen?

Nuk është e lehtë, por mendoj se është një proces që duhet të jetë i plotë, duhet të jetë i qartë për njerëzit dhe, në fund, duhet të jetë efektiv dhe të sigurojë që kjo të mos ndodhë më kurrë.

Radio Evropa e Lirë: Si të arrihet ky bashkëpunim, duke qenë se të dyja palët kanë interpretime krejtësisht të kundërta?

Christopher Hill: Po, ky është padyshim problem. Kjo është arsyeja përse duhet ndërmjetësim për ta arritur këtë. Është e qartë se po zhvillohen hetime... Pala serbe ka thënë se do ta bëjë një hetim të plotë. Të njëjtën gjë po e bën edhe pala kosovare. Mendoj se SHBA-ja po vëzhgon me shumë vëmendje.E gjitha - me qëllim që të sigurohemi se ka përgjegjësi dhe nuk përsëritet më. Pra, është një faktor i madh.

Por, në fund, ajo që na duhet, është një proces dialogu që synon një zgjidhje politike. Pra, nuk mund ta harrojmë kurrë dialogun. Dhe, në këtë aspekt, jam i lumtur që zoti [Mirosllav] Lajçak [përfaqësuesi i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi] i ka mbledhur palët, ka marrë një vëmendje të lartë evropiane. Gjëja më e mirë që mund të bëjmë, është ta mbështesim procesin e zotit Lajçak dhe të përpiqemi të sigurohemi se ai është përfundimisht i suksesshëm.

Këto gjëra nuk ndodhin në kohën që të gjithë duan që të ndodhin e, sidomos, kur keni pengesa të mëdha, siç është ajo që ka ndodhur në Banjskë.

 

Radio Evropa e Lirë: Në atë proces, në procesin e Brukselit, Prishtina bëri thirrje për sanksione ndaj Serbisë. Pra, cilat do të ishin pasojat nëse autoritetet në Beograd shpallen përgjegjëse për sulmin?

Christopher Hill: Epo, përsëri, nuk dua ta marr përsipër këtë pyetje. Natyrisht, ka shumë hetime, kështu që nuk mund, në të vërtetë, të futem në hipoteza për këtë.
Dua të theksoj edhe një herë, duke rrezikuar të tingëlloj tmerrësisht përsëritës, se ky është një problem që ka nevojë për një zgjidhje politike, jo një zgjidhje ushtarake. Dhe duhet të ketë një respekt për opinionet e secilës palë dhe të shihet nëse disa nga këto probleme mund të adresohen përmes një procesi dialogu. Nuk di një mënyrë më të mirë për ta bërë këtë.

Unë nuk mendoj se do ta keni një situatë ku njëra palë të jetë në gjendje thjesht ta diktojë palën tjetër. Mendoj se duhet të ketë një proces të dhënies dhe të marrjes. Dhe, unë mendoj se kjo është ajo që zoti Lajçak po përpiqet të bëjë. Dhe, që ai të punojë shumë... ju e dini, ai ka pasur shumë arritje në jetën e tij dhe po punon për një çështje shumë të vështirë dhe mendoj se ai e meriton mbështetjen tonë.

 

 
 
PVD: Prijësi i qeverisjes në Bujanoc të koordinohet dhe ruaj shumicën shqiptare
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi: Pasivizimi i adresave për të ndryshuar strukturën etnike në Luginën e Preshevës
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration