Grubi mbështet draftin e Ramës: Mund të çojë në njohjen reciproke Kosovë-Serbi
Zëvendëskryeministri shqiptar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, në një intervistë për “EuronewsAlbania”, e ka mbështetur dhe thotë se e ka lexuar draftin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe që u propozua nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke shtuar se është një përpjekje për të kaluar krizën në Veri të Kosovës, pas tensioneve të krijuara atje.
“E lexova draftin, kisha komunikime dhe me autoritetet në Shqipëri dhe jap përkrahje të plotë për çdo përpjekje për të tejkaluar këtë situatë të krijuar në Veri të Kosovës, por edhe midis Kosovës dhe Serbisë si dy shtete, por edhe midis Kosovës dhe bashkisë ndërkombëtare dhe veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrethanat e reja të krijuara”, ka deklaruar Grupi.
Ai theksoi se çdo iniciativë apo nismë mbi të cilën mund të ndërtohen marrëveshjet në mes të Kosovës dhe Serbisë “janë të mirëpritura”, duke shtuar se qëndrimi i shtetit që ai përfaqëson është njohja reciproke në mes të dy shteteve respektive.
“Përgëzoj kryeministrin Rama për gatishmërinë që t’i prijë këtij procesi për të ofruar një zgjidhje të qëndrueshme. Për ne zgjidhja e vetme është njohja reciproke mes dy shteteve dhe këtë e përkrahim dhe ky është qëndrimi ynë shtetëror”, potencoi ai.
Zëvendëskryeministri shqiptar në qeverinë e Maqedonisë së Veriut nuk ka preferuar që të flasë për detajet që përmban drafti, mirëpo ai vlerëson se është një nismë e mirë që mund të çonte në njohjen reciproke në mes Prishtinës dhe Beogradit.
“E kam lexuar dhe kam komunikuar me autoritetet shqiptare dhe kam përkrahje të plotë për iniciativën e kryeministrit Rama, si një nismë e mirë për të vijuar drejt zgjidhjes së problemit në Veri, por edhe përfundimisht mes Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke”, pohoi Grubi.
Ndryshe, në duart e krerëve evropianë ka përfunduar një draft i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Dorëzuesi dhe kontribuuesi ka qenë pikërisht kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, që janë dy kumbarët e propozimit franko-gjerman një draft të asociacionit, për të cilën kam vënë në dijeni edhe Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, si dhe palën amerikane”, pohoi fillimisht Rama gjatë një konference për shtyp.
Sipas tij, bëhet fjalë për një draft të punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikan dhe evropian prej kohësh, “gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë”.
“Për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës dhe jo i Serbisë që e përsëris, bën atë që ka bërë dhe herë të tjera, palët nuk po merren dot vesh as se kush duhet ta shkruajë këtë tekst e jo më të merret vesh se çfarë duhet të ketë teksti”, shtoi kreu i Qeverisë.
Për Ramën, “nyja Gordiane e dialogut” do të ishte Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“E kam ditur me kohë që nyja Gordiane e dialogut do të ishte deri në fund asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe bindja ime është se asnjëra nga palët nuk e do asociacionin dhe do të bëjë çmos që ta shtyjë atë në pafundësi, duke mbajtur të hapur krizën me lloj-lloj artificash politike apo teknike”, theksoi në vijim kryeministri.
Kryeministri shqiptar vërejti se bëhet fjalë për një dokument konfidencial, i cili pa diskutim nuk pretendon të jetë “zgjidhja ideale”.
“Ju siguroj që është një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e asociacionit dhe patjetër merr në konsideratë që asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës duke adresuar të gjithë rekomandimet apo konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, shtoi ai.