Amerikanët të bindur se keqinformimi nxit ekstremizmin dhe urrejtjen
Rajoni dhe Politika

Amerikanët të bindur se keqinformimi nxit ekstremizmin dhe urrejtjen

14.Oct.2022 08:43
0

Shumica e madhe e të dyja partive amerikane – 80% e demokratëve dhe 70% e republikanëve – thonë se keqinformimi rrit pikëpamjet ekstreme politike, sipas sondazhit. Në mënyrë të ngjashme, 85% e demokratëve dhe 72% e republikanëve thonë se keqinformimi rrit krimet e urrejtjes, duke përfshirë dhunën e motivuar nga gjinia, feja ose raca.

Amerikanët nga i gjithë spektri politik thonë se dezinformimi po rrit ekstremizmin politik dhe krimet e urrejtjes, sipas një sondazhi të ri që pasqyron shqetësime të gjera dhe domethënëse rreth pretendimeve të rreme dhe mashtruese përpara zgjedhjeve afatmesme të muajit të ardhshëm. 

Rreth tri të katërtat e të rriturve amerikanë thonë se keqinformimi po çon në pikëpamje dhe sjellje më ekstreme politike, siç janë rastet e dhunës bazuar në racë, fe ose gjini. Kjo është sipas sondazhit nga Instituti Pearson dhe Qendra Associated Press-NORC për Kërkimin e Çështjeve Publike.

"Ne jemi në një pikë tani ku keqinformimi është aq i keq sa mund t'i besoni shumë pak asaj që lexoni në media ose rrjete sociale", tha 49-vjeçari republikan, Brett Reffeitt nga Indianapolis, i cili mori pjesë në sondazh. “E gjitha ka të bëjë me marrjen e klikimeve, jo të vërtetën, dhe janë ekstremet që tërheqin vëmendjen”.

Sondazhi i Institutit Pearson/AP-NORC tregon se pavarësisht nga ideologjia politike, amerikanët pranojnë se keqinformimi po lë gjurmë në vend. 

Në përgjithësi, 91% e të rriturve thonë se përhapja e dezinformatave është një problem, me 74% që e quajnë atë një problem madhor. Vetëm 8% thonë se keqinformimi nuk është aspak problem. 

Shumica e madhe e të dyja partive amerikane – 80% e demokratëve dhe 70% e republikanëve – thonë se keqinformimi rrit pikëpamjet ekstreme politike, sipas sondazhit. Në mënyrë të ngjashme, 85% e demokratëve dhe 72% e republikanëve thonë se keqinformimi rrit krimet e urrejtjes, duke përfshirë dhunën e motivuar nga gjinia, feja ose raca. 

Në përgjithësi, 77% e të anketuarve mendojnë se dezinformimi rrit krimet e urrejtjes, ndërsa 73% thonë se rrit pikëpamjet ekstreme politike.

Rreth gjysma thonë se besojnë se keqinformimi i shtyn njerëzit të angazhohen më shumë politikisht.

Përafërsisht 7 në 10 amerikanë thonë se janë të paktën disi të shqetësuar se kanë qenë të ekspozuar ndaj dezinformatave, megjithëse më pak se gjysma thanë se janë aq të shqetësuar se ata ishin përgjegjës për përhapjen e tij.

Kjo është në përputhje me sondazhet e mëparshme që kanë gjetur, se njerëzit kanë më shumë gjasa të fajësojnë të tjerët sesa të pranojnë përgjegjësinë për përhapjen e dezinformatave.

Tkurrja e besimit

Gjysma e të rriturve amerikanë gjithashtu besojnë se keqinformimi redukton besimin në qeveri.

“Vetëm sepse është në internet nuk do të thotë se është e vërtetë”, tha 74-vjeçarja, Shirley Hayden, një republikane nga Orange, Teksas. “Shumë prej tyre janë opinione dhe shumë prej tyre janë thjesht telashe. Nuk besoj më asgjë”.

Sondazhi zbulon se amerikanët që e vlerësojnë dezinformimin si një problem madhor, kanë më shumë gjasa të thonë se ai kontribuon në besime ekstreme politike dhe mosbesim ndaj qeverisë sesa ata që nuk e bëjnë këtë. Ata gjithashtu kanë më shumë gjasa të përpiqen të zvogëlojnë përhapjen e dezinformatave duke kontrolluar pretendimet nga burime të shumta ose faqe interneti për kontrollimin e fakteve.

Në përgjithësi, afërsisht tri të katërtat e të rriturve thonë se kanë vendosur të mos ndajnë diçka në mediat sociale të paktën disa herë, sepse nuk donin të përhapnin dezinformata, duke përfshirë rreth gjysmën që e bëjnë këtë shumicën e kohës. Përqindje të ngjashme kontrollojnë rregullisht burimet e lajmeve me të cilat ndeshen dhe kontrollojnë burime të tjera informacioni për t'u siguruar që nuk po ndeshen me dezinformata.

“Faqja ime në Facebook është e ngarkuar me këto gjëra. E shoh në TV. E shoh kudo”, tha demokrati 63 vjeçar, Charles Lopez nga Florida Keys për dezinformatat që has. "Askush nuk e bën hulumtimin për të zbuluar nëse diçka është e rreme apo jo".

Qoftë gënjeshtra për zgjedhjet e vitit 2020 apo 6 janarin e vitit 2021, sulmi në Kapitolin e SHBA-së, teoritë e konspiracionit për COVID-19 apo dezinformatat rreth pushtimit rus të Ukrainës, keqinformimi në internet është fajësuar për rritjen e polarizimit politik, mosbesimit ndaj institucioneve dhe madje edhe dhunës reale në botë.

Ndikimi i rrjeteve sociale

Përhapja e dezinformatave në dekadat e fundit ka përkuar me rritjen e mediave sociale dhe rënien në mediat tradicionale, shpesh lokale të gazetarisë.

Rezultatet e sondazhit të Institutit Pearson/AP-NORC nuk e befasuan Alex Mahadevan, drejtor i MediaWise, një iniciativë e edukimit mediatik e nisur nga Instituti Poynter që punon për të pajisur individët me mbrojtje në luftën kundër dezinformimit.

"Ju keni pasiguri, polarizimin, rënien e lajmeve lokale: është një stuhi e përsosur që ka krijuar një përmbytje të dezinformatave", tha Mahadevan.

Njerëzit mund të mësojnë veten se si të dallojnë dezinformatat dhe të shmangin pretendimet e dyshimta, sipas Helen Lee Bouygues, themeluese dhe presidente e Fondacionit Reboot me bazë në Paris, i cili hulumton dhe promovon të menduarit kritik në epokën e internetit.

Së pari, mbështetuni në një shumëllojshmëri burimesh të besueshme dhe të vendosura për lajme dhe kontrolle të fakteve, tha Bouygues.

Ajo gjithashtu inkurajoi njerëzit që të kontrollojnë dy herë pretendimet që duken të dizajnuara për të luajtur me emocione si zemërimi ose frika, dhe të mendojnë dy herë për ripostimin e përmbajtjes që mbështetet në gjuhë të ngarkuar, sulme personale ose krahasime të rreme.

"Ka hapa që njerëzit mund të ndërmarrin - hapa të thjeshtë - për ta mbrojtur veten", tha Bouygues.

Përktheu: Forca Jashari

Lajçak: Të mos shpërdoret mundësia për arritjen e normalizimit
Ambasadori amerikan në Serbi: Mirë që u inkuadruan zyrtarët e lartë evropian në dialogun Kosov-Serbi
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration