Alarmon gjenerali i ushtrisë së Rumanisë: Duhet të përgatitemi për Putinin, tensione edhe në Ballkanin Perëndimor
Rumania duhet që urgjentisht të miratojë një kornizë ligjore me të cilën do t’u mundësohej ndjekja e trajnimeve ushtarake vullnetarëve civilë, sepse vendi duhet të jetë më mirë i përgatitur në rast të përhapjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës, ka paralajmëruar komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Rumanisë, gjeneral Gheorghita Vlad. Sipas tij, do të shohim tensione edhe në Ballkanin Perëndimor.
“Po, popullsia e Rumanisë, si e tërë popullsia e Bashkimit Evropian, e Evropës, duhet të jetë e shqetësuar”, tha komandanti i ushtrisë rumune në një intervistë për Radion “Evropa e Lirë”.
“Personalisht, edhe pse jo domosdo si ushtar i karrierës, konsideroj që Federata Ruse nuk do të ndalet atje [në Ukrainë]. Nëse ajo fiton në Ukrainë, caku i ardhshëm kryesor do të jetë Moldavia. Do të shohim tensione edhe në Ballkanin Perëndimor. Jam më shumë se i bindur që presidenti Putin do t’i esklaojë politikat e tij në të ardhmen e afërt”, shtoi ai.
Rumania e kishte shfuqizuar shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2007, tre vjet pas anëtarësimit në NATO, në mars të vitit 2004, duke formuar ushtri profesionale e trupa rezervë.
Gjenerali Vlad tha se një ligj i draftuar nga Ministria e Mbrojtjes tash për tash ndodhet në të dyja dhomat e Kuvendit dhe, sipas të gjitha gjasave, do të hidhet në debat pas disa rundeve të zgjedhjeve lokale, parlamentare e presidenciale të këtij viti.
“Mes tjerash, ne duam që të vendosim një shërbim ushtarak vullnetar me kohëzgjatje të prerë” – tha ai, duke shtuar se programi do të ishte i ndarë nga ushtarët profesionistë, por pjesëmarrësit do të paguheshin.
“Ne po e synojmë segmentin e moshës 18 – 35 vjeç pavarësisht nga gjinia, kombësia apo feja, të rinj që duan ta veshin uniformën ushtarake. Ne duhet ta paguajmë këtë lloj shërbimi dhe t’i trajnojmë pjesëmarrësit për rregullat themelore të luftës” – tha më tej komandanti i ushtrisë rumune.
“Imagjinojeni një person 50-vjeçar duke bartur një çantë shpine me 80 litra [vëllim]” – tha oficeri më i lartë ushtarak në Rumani.
Rumania, anëtare kyçe e NATO-s në krahun lindor të aleancës, ka kufi të përbashkët prej 650 kilometrash me Ukrainën, ndërsa numëron 80 mijë ushtarë profesionistë.
Gjenerali Vlad, i cili e mori detyrën e udhëheqësit të ushtrisë në nëntor, thotë se kjo shifër është e pamjaftueshme në mjedisin e tanishëm gjeopolitik dhe se ajo duhet të rritet për deri në 50 për qind.
“Një numër i duhur për një ushtri rumune profesionale duhet të jetë rreth 120 mijë” – vlerësoi ai.
Për pasoja të mundshme në Ballkan në rast të dështimit të Ukrainës ditë më parë paralajmëroi tërthorazi edhe presidenti amerikan, Joe Biden.
“Nëse ne largohemi dhe Rusia arrin që ta vazhdojë sulmin e ta rrëzojë Ukrainën, çfarë mendoni se do t’u ndodhë vendeve të Ballkanit. Kjo e ndryshon dinamikën” – tha ai muajin e kaluar.