Afrikano-amerikanët dhe dezinformimi në mediat sociale
Titulli Lab

Afrikano-amerikanët dhe dezinformimi në mediat sociale

25.Feb.2020 08:18
0

Një studim nga firma Nielsen thotë se afrikano-amerikanët janë konsumatorët kryesorë të vendit në mediat sociale, veçanërisht kur bëhet fjalë për informacione rreth politikave presidenciale. Një raport i shërbimeve amerikane të inteligjencës thotë se kjo i shndërroi ata në objektivin kryesor të një fushate disinformimi të Rusisë për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016, një përpjekje të cilën Moska pritet ta përsërisë në garën presidenciale të këtij viti.

 
 
 
 

Chris Simkins i Zërit të Amerikës njofton nga Karolina e Jugut, ku afrikano-amerikanët thonë se po i ruhen materialeve me përmbajtje të rreme në mediat sociale. Studentët afrikano-amerikanë thonë se ata e marrin shumicën e informacionit të tyre politik nga mediat sociale.

“Mund të mësoni gjithçka që duhet të dini përmes mediave sociale. Kështu që unë mendoj se është platforma më e mirë për të kuptuar gjithçka”, thotë studentja Royal Clemmons. Por, këta votues thonë se po shqyrtojnë informacionin që marrin në mediat sociale për garën presidenciale të vitit 2020, duke u përpjekur të kuptojnë nëse është i vërtetë apo jo. Ndërgjegjësimi i rritur vjen pasi ekspertët e sigurisë po paralajmërojnë votuesit, veçanërisht afrikano-amerikanët, të jenë në kërkim të fushatave dezinformuese që synojnë polarizimin dhe ndarjen e elektoratit.

Ron Woods thotë se ai pikasi materiale në Facebook që synonin ta mbanin atë dhe të tjerët larg votimeve në vitin 2016. “Ata (rusët) do të bëjnë gjithçka që munden për të dekurajuar njerëzit nga votimi. Dhe nëse nuk jeni të angazhuar dhe nuk jeni të informuar, vota juaj mund të ndikohet lehtësisht”, thotë Ron Woods, votues në Karolinën e Jugut.

Një raport i Komisionit të Zbulimit të Senatit i botuar vitin e kaluar konkludoi se në mediat sociale rusët vendosën në objektiv afrikano-amerikanët më shumë se çdo grup tjetër gjatë fushatës presidenciale 2016. Garrett McDaniel, punonjës i fushatave elektorale në Karolinën e Jugut, thotë se është jetike që afrikano-amerikanët dhe të gjithë votuesit ta verifikojnë informacionin politik në marrin nga mediat sociale.

“2016-ta përfundimisht ngriti alarmin, sidomos kur pamë se si qeveria ruse po manipulonte në mënyrë specifike votën afrikano-amerikane duke krijuar faqe të rreme për grupet aktiviste, si Black Lives Matter”, thotë Garrett McDaniel, votues në Karolinën e Jugut. Zyrtarët amerikanë të sigurisë thonë se trollet ruse krijuan postime të rreme në media sociale për të ndikuar votuesit afrikano-amerikanë. Synimi ishte shfrytëzimi i përçarjeve shoqërore dhe partiake, duke dëmtuar besimin e amerikanëve tek institucionet e tyre.

“Në aspektin më të gjerë, media sociale luan rol në forcimin e pikëpamjeve të individëve. Unë mendoj se ka këtë efekt edhe tek afrikano-amerikanët. Ajo shërben jo vetëm si jehonë, por media sociale shërben për afrikano-amerikanët si një forum diskutimi për komunitetin”, thotë Todd Shaw, analist politik.

Raporti i zbulimit të Senatit konkludon se mijëra llogari në Facebook, Twitter, Instagram dhe You Tube u krijuan nga “Agjensia e Kërkimit të Internetit” me qendër në Rusi për të dëmtuar fushatën e Hillary Clinton dhe për të mbështetur Donald Trump-in. Monika Bickert, drejtuese e politikës globale për Facebook-un u shpjegoi ligjvënësve amerikanë se si kompania planifikon të mbrohet nga ndikimi rus në zgjedhjet e vitit 2020.

“Sapo zbulohet diçka nga organizatat që kontrollojnë faktet false në platformën tonë (Facebook), ne zvogëlojmë në mënyrë dramatike shpërndarjen. Dhe i vendosim bashkë artikujt e lidhur me të, kështu që kushdo që i shpërndan merr një paralajmërim se kjo është vlerësuar si e gabuar”, tha zonja Bickert. Davion Petty punon me studentët në Universitetin Shtetëror të Karolinës së Jugut se si të deshifrojnë informacionin politik në mediat sociale. Ai thotë se është optimist për të ardhmen.

“Unë mendoj se me ekspozimin nga zgjedhjet e kaluara presidenciale, nuk duhet të shqetësohemi aq shumë, pasi është vendosur nën një kontroll të shtuar”, thotë zoti Petty. Kompanitë e mediave sociale thonë se ata kanë dyfishuar masat e sigurisë që synojnë identifikimin dhe eliminimin e fushatave të koordinuara të manipulimit përpara se të përhapin përmbajtje keqdashëse. Megjithatë, shumë afrikano-amerikanë thonë se po kujdesen edhe vetë për të qenë përdoruesit më të kujdesshëm të mediave sociale./VOA

Lugina e Preshevës kërkon ndihmë, një "ÇAMËRI" e dytë mund të ndodhë para syve tanë! (video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration