Thiem triumfon në Pekin
Sport

Thiem triumfon në Pekin

08.Oct.2019 08:13
0

Dominic Thiem koleksionoi trofeun e 15 ATP në karrierë, teksa mundi në finalen e Pekinit numrin 7 të botës Stefanos Tsitsipas. Një ndeshje e madhe, e denjë për një finale, të cilën tenisti austriak e fitoi me meritë, duke i kthyer sportistit helen disavantazhin e një seti dhe të një game me break. Një takim emocionues dhe që pati disa përmbysje, për vetë faktin që në këtë ndeshje u regjistruan plot tetë game me break, por gjithashtu edhe një sfidë spektakolare, duke patur parasysh që 58 nga 169 pikët e këtij dueli u zgjidhën pranë rrjetës, pra afërsisht 1/3 e pikëve që u luajtën gjithsej. Për hir të së vërtetës vitin e kaluar filloi një lloj rivaliteti ndërmjet tyre, me numrin 5 të botës që fitoi 3 nga 5 përballjet e sezonit të kaluar, sidoqoftë në krahun tjetër tenisti ballkanas zbriti në fushën kryesore të Qendrës Tenistike Kombëtare i ndërgjegjshëm për forcën e tij, teksa e kishte mposhtur këtë kundërshtar në turnetë Masters në Barcelonë dhe Toronto, pra në 2 nga 3 sfidat e fundit mes tyre. Ditën e shtunë 26-vjecari nga Wiener Neustadt përmbysi disavantazhin e një seti ndaj numrit 9 të botës Karen Khachanov, gjithsesi tenisti austriak e nisi ndeshjen shkëlqyeshëm, duke e thyer në servis me 0 tenistin helen që në game-n hapës.

Tsitsipas reagoi pa humbur kohë me kundërbreak, për të ndryshuar në vazhdim rrjedhën e këtij seti. Pikërisht në game-n e tetë 21-vjecari nga Athina i rrëmbeu shërbimet kundërshtarit, ndërsa në game-n pasardhës pasi i anuloi një mundësi për break tenistit austriak mbylli llogaritë e setit të parë në më pak se trecerek ore lojë. Tsitsipas qartësisht mori pikët më të rëndësishme të setit hapës, sepse tenisti helen fitoi setin e parë të ndeshjes me shifrat 6-3, në një kohë kur 21-vjecari grumbulloi vetëm 3 pikë më tepër se sa rivali i tij. Në setin e dytë sportisti grek i rrëmbeu shërbimet tenistit vjenez që në game-n e tretë, megjithatë Dominic Thiem u kthye menjëherë me kundërbreak. Pranë fundit të këtij seti falë gabimeve të tenistit austriak si dhe lojës “serve and volley”, për më tepër duke rrezikuar shpesh në shërbimin e dytë, Stefanos Tsitsipas ia doli mbanë për të anuluar plot tre mundësi për break, duke barazuar shifrat 4-4, ndërsa në game-n tjetër ishte radha e numrit 5 të botës për t’i hequr nga duart kundërshtarit një mundësi për break. Me sa duket ishte pikërisht edhe momenti që përcaktoi fatin e këtij dueli, sepse në të vërtetë pas barazimit 4-4 Dominic Thiem fitoi shtatë game rresht për të krijuar edhe shkëputjen përfundimtare.

Thiem mbylli takimin me shifrat 3-6, 6-4, 6-1 duke fituar trofeun e parë në Kontinentin Aziatik. Kështu pas turneve të fituar në Indian Ëells, Barcelonë, Kitzbuhel dhe Pekin tenisti vjenez barazoi për nga rezultatet vitin 2016, vit që përfaqësonte edhe sezonin më të suksesshëm në karrierë po me katër trofe të fituar. Pas suksesit të muajit prill në Barcelonë ky është turneu i dytë 500 i fituar për vitin 2019 për tenistin austriak.

Dominic Thiem që me praninë e tij në finalen e Pekinit siguroi përpara kohe pjesëmarrjen në turneun përmbyllës të tetë tenistëve më të mirë të sezonit, përfitoi përvec 500 pikëve gjithashtu edhe cekun e majmë me afërsisht 734.000 dollarë, ndërkaq në krahun tjetër 21-vjecari nga Athina që i shtoi vetes pothuajse gjysmën e asaj shume, regjistroi disfatën e tretë radhazi në finalet e turneve të kësaj kategorie, pas humbjeve të tjera në Barcelonë dhe Dubai, sidoqoftë pas triumfit në fazën gjysmëfinale ndaj gjermanit Alexander Zverev, që ishte edhe numri 2 i turneut të Pekinit, me 300 pikët e grumbulluara në kryeqytetin kinez numri 7 i klasifikimit të përgjithshëm ATP mund të bëhet shumë shpejt edhe tenisti i gjashtë që siguron kualifikimin për në turneun përmbyllës të Londrës, pas emrave që dihen të tenistëve të tjerë Rafael Nadal, Novak Djokovic, Roger Federer, Daniil Medvedev dhe Dominic Thiem.

Shkëndija e Tetovës pranë firmës me një trajner nga Shqipëria
Barku i fryrë nuk është gjithmonë i parrezikshëm: Pesë situata kur stomaku zbulon sëmundjen serioze
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration