Thaçi: I gatshëm që të dal i suksesshëm nga kjo sfidë
Rajoni dhe Politika

Thaçi: I gatshëm që të dal i suksesshëm nga kjo sfidë

13.Jul.2020 13:27
0

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi të hënën u paraqit në Hagë për intervistim, me ftesë të Prokurorit të Specializuar.

Para se të hynte në ndërtesën e Prokurorisë së Specializuar, Thaçi para mediave tha se beson që nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm.

"Sot jam këtu për të respektuar për atë që kam ëndërruar dhe kam luftuar – Kosovën e pavarur, të bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multietnike dhe sundim të ligjit. Jam i gatshëm të ballafaqohem me këtë sfidë të re dhe të dal i suksesshëm për djalin tim, familjen time, popullin tim dhe shtetin tim", tha Thaçi.

Sipas Thaçit, askush nuk mund ta rishkruajë historinë, duke shtuar se ky është "çmimi për lirinë".

"Unë besoj në paqe, të vërtetën, pajtimin dhe drejtësinë. Unë besoj në dialog dhe marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët. Kosova është storie suksesi, gjë për të cilën jam shumë krenar. E ardhmja e Kosovës është anëtarësimi në BE, NATO dhe miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës", tha Thaçi.

Kjo është hera e parë që publiku e di se një person është ftuar për intervistë, pasi që kundër këtij personi tashmë është paraqitur aktakuza për shqyrtim. Sidoqoftë, nuk dihet se në çfarë kapaciteti Thaçi ishte ftuar në këtë intervistë.

Avokati mbrojtës i presidentit Thaçi është avokati amerikan Pierre-Richard Prosper.

Prosper ka qenë prokuror në Tribunalin Ndërkombëtar të OKB-së për krime në Ruandë. Ai po ashtu për një kohë të gjatë ka shërbyer si prokuror në Departamentin amerikan të Drejtësisë, në pozita të ndryshme, si Këshilltar special dhe këshilltar politik për çështje të krimeve të luftës.

 

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Pranë Gjykatës Speciale në Hagë janë mbledhur një numër i diasporës nga Kosova për të kundërshtuar pretendimet ndaj Thaçit.
Pranë Gjykatës Speciale në Hagë janë mbledhur një numër i diasporës nga Kosova për të kundërshtuar pretendimet ndaj Thaçit.

Përmbajtja e aktakuzave është konfidenciale derisa gjyqtari t'i konfirmojë ato. Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat.

Më 29 qershor, Thaçi deklaroi se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, atëherë ai do të japë menjëherë dorëheqje nga pozita që ka.

"Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam. Nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian", ka deklaruar ai.

Pse Thaçi mori një ftesë për intervistë pasi u dërgua aktakuza kundër tij?

Nëse gjyqtari i procedurës paraprake, francezi Nikola Giju, vërteton se dyshimet e ngritura nga prokurori kanë bazë, atëherë ai e konfirmon aktakuzën. Nëse ai nuk është i bindur, aktakuza refuzohet.

Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara, gjyqtari i procedurës paraprake dhe prokurori i specializuar mund të takohen gjatë hetimit dhe para se të konfirmohet aktakuza.

 

Gjykatësi mund të kërkojë ose të lejojë prokurorin e specializuar të dorëzojë material shtesë në mbështetje të cilësdo ose të gjitha akuzave; të kërkojë prej prokurorit të specializuar që të rishikojë aktakuzën me synimin që të japë më shumë hollësi për cilëndo prej akuzave, dhe veprimet konkrete të të dyshuarit, ose të mundësojë saktësi ligjore, ose më shumë qartësi në paraqitjen e akuzave; ose t’i kërkojë prokurorit të specializuar që të pakësojë numrin e akuzave ose të zvogëlojë kuadrin e akuzave.

Si rezultat i këtij shqyrtimi, gjykatësi i procedurës paraprake konfirmon ose hedh poshtë tërësisht, ose pjesërisht akuzat, në një vendim të arsyetuar. Me konfirmimin e cilësdo prej akuzave të aktakuzës i dyshuari bëhet i akuzuar dhe gjykatësi i procedurës paraprake mund të lëshojë një fletarrestim apo një urdhërparaqitje.

Paraqitja e parë e të akuzuarit në gjykatë bëhet brenda shtatë ditësh pas dorëzimit të aktakuzës. Aktakuza është në dispozicion të publikut vetëm kur ajo konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake.

Moskonfirmimi i një aktakuze nuk e pengon prokurorin që të paraqesë një aktakuzë të ndryshuar.

Personi, kundër të cilit është konfirmuar aktakuza, në bazë të urdhrit gjyqësor, dërgohet në arrest, nëse nuk është i ndaluar. Ai menjëherë njoftohet për akuzat ndaj tij dhe sillet para Dhomave të Specializuara.

Aktakuza bëhet publike pas konfirmimit të saj, dhe në rrethana të jashtëzakonshme, nëse prokurori ka një arsye të vlefshme përpara konfirmimit, gjyqtari mund, për shkaqe sigurie, për të parandaluar arratisjen e të akuzuarit, të nxjerrë në publik një urdhër për mos zbulimin e përkohshëm të aktakuzës. Aktakuza do të publikohet jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit para gjykatës.

Çfarë ka tjetër në aktakuzë?

Në një komunikatë për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se "Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Aty është thënë se aktakuza është rezultat i një hetimi të gjatë dhe se një gjykatës i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale është duke analizuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

 

Përveç kësaj, në komunikatë është thënë se Thaçi dhe Veseli “kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë”.

“Nëpërmjet këtyre veprimeve, Thaçi dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, është thënë në njoftim./REL/

Raporti zyrtar i policisë rreth vrasjes në Bujanoc
Qeveria e Kosovës: Maskat obligative, teste negative për qytetarët e vendeve fqinje
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration