Tenori korçar Toli Adham Pano, bilbili i Korit “Lira”
Kulturë

Tenori korçar Toli Adham Pano, bilbili i Korit “Lira”

07.Feb.2020 09:48
0

Midis njerëzve të shquar të fisit tonë nga ana e nënës kam pasur kushëririn Toli Adham Pano, tenori i “Korit Lira”, kor të cilin ne korçarët e rinj e quanim “Kori Karakteristik i Korçës”, ose “Kori i Pleqve”.

Ky qytetar i talentuar edhe pse është vlerësuar me titullin “Artist i Merituar” prej qeverisë së para vitit 1991, për mua është një personalitet i artit që meriton nderime e vlerësime shumë më të mëdha për kontributin vullnetar që ka dhënë për gati 60 vjet në mëkëmbjen dhe zhvilimin e artit muzikor popullor me nivel të lartë cilësor. Vlera këto që i përkasin mbarë popullit shqiptar. Edhe pse nuk jam njohës dhe specialist i historisë së muzikës, po e shkruaj këtë portret të thjeshtë për njërin prej dy solistëve të këtij kori, me synim që të nxit studiuesit e historisë së muzikës sonë popullore për të shkruar një monografi gjithëpërfshirëse për historinë dhe vlerat e “Korit Lira”, punë e cila nuk është kryer ende. E them këtë sepse përpjekjet e derisotme për të shkruar historinë e “Korit Lira” prej ish-koristit Fori Tërpini dhe vajzës së vogël të solistit Gaqo Jorganxhi, lenë për të dëshiruar. I pari shkroi e botoi një histori të këtij kori duke u ndalur kryesisht në vitet kur ishte vetë pjesëtar i tij, pra që nga vitet 1945-1947 e këtej. Kurse poetja Zhuliana Jorganxhi u ndal kryesisht në jetën dhe arritjet e babait të saj.

Në ditët tona duhet të shkruhet një studim shkencor historik gjithëpërfshirës për “Korin Lira” duke trajtuar së pari atmosferën e muzikës qytetare popullore para krijimit të këtij kori, pastaj pse dhe nga kush u krijua ky kor vullnetar, si funksionoi, si dhe nga kush u shtua, cilat ishin arritjet e tij në aspektin e muzikës dhe të tekstit, në rolin edukativ patriotik, erotik, moral e qytetar gjatë viteve para pushtimit italian, gjatë luftës Antifashiste, pas kësaj lufte deri më 1992 dhe pas ndërrimit të regjimit. Në një vepër të tillë nuk mund të lihen jashtë biografitë e secilit këngëtar dhe sidomos të solistëve, të dirigjentëve, etj. Një studim nonografik për “Korin Lira” do t’i ngjajë një lisi me rrënjë e degë të shumta, të cilat duhen studiuar e vlerësuar në veçanti dhe në kompleks…

* * *

Toli Adham Pano u lind në fshatin Panarit të Korçës më 6 shkurt 1913. Kur ushtria greke (andartët) dogjën fshatrat e Shqipërisë së Jugut më 1914 dhe më 1916, shumica e banorëve të Panaritit, Treskës, Trebickës, Katundit, Stratobërdës dhe Vithkuqit, ashtu si ato të Përmetit e Sarandës, u shpërngulën dhe u detyruan të shkonin ku kishin farë e fis, ose të njohur. Familja e Adham Panos e përbërë nga prindërit e tij, nga bashkëshortja Kristina (Kristano-ja si e quante populli) dhe katër djem: Kole, Rako, Spiro dhe Toli, u vendos në qytetin e Korçës. Këtu familja u shtua më 1917 me një djalë tjetër, Vangjalin, i cili gjatë Luftës Antifashiste doli malit partizan dhe ra dëshmor më 1944. Kristanoja, kjo vajzë nga Trebicka që ishte martuar në Panarit, u bë një burrneshë, që vepronte me kokën e saj pa pyetur se ç’ do të thoshte opinioni shoqëror, pra gratë llafazane të qytetit. Kështu i edukoi dhe djemtë e saj, të ishin trima e të vendosur në jetën e tyre. Ajo shumë shpejt u bë një grua me emër si bashkëshorte trime dhe nënë trimash, për këtë arsye djemtë e saj nuk quheshin “djemtë e Adhamit”, por quheshin “djemtë e Kristanos”.

Në të tilla kondita familjare u rrit këngëtari i ardhshëm, i cili më 1929, në moshën 16-vjeçare, u detyrua për nevoja familjare të ndërpriste studimet në “Liceu Klasik Francez” dhe të fillonte punën si ndihmës-rrobaqepës. Pikërisht në këtë kohë, kur Toli (Apostoli) ishte vetëm 16-vjeçar filloi edhe jetën e këngëtarit. Kur e dëgjoi dirigjenti i “Korit Lira”, Sotir Kozmo, i cili kishte mbaruar studimet në Konservatorin e Bukureshtit e mori menjëherë si pjesëtar të atij kori. Të gjithë këngëtarët ishin punëtorë, zanaçinj të ndryshëm që kishin pasion dhe talent këngëtari. Bashkimi i tenorit Toli Adham e kompletoi “Korin Lira” në 12 këngëtarë.

Populli nga ana e vet, i ngazëllyer prej këngëve virtuoze, për të shprehur admirimin dhe respektin e tij, e emëroi korin me një emër të ri, me emrin “Kori i dymbëdhjetë apostujve”. Kurse dirigjenti cilësoi Gaqo Jorganxhiun, solistin me zë bas/baritoni “Këmbana e Korit” dhe tenorin Toli Adham e quajti “Bilbili i Korit”.

Lëvizja muzikore në qytetin e Korçës kishte filluar që në vitet e Rilindjes me grupin “Banda Liria” (tetor 1908-nëntor 1912) nën drejtimin e kompozitorit arbëresh Paskale de Anibale, të cilin e dërgoi Thanas Tashkoja nga Egjypti, vijoi me “Bandën Vatra” (1920-1922), por “Kori i 12 Apostujve” ishte formacioni më i përsosur. Në vijim të traditës së Rilindjes, pjesëmarrja në këtë kor ishte vullnetare. Si këngëtarët dhe orkestrantët bashkë me dirigjentin jepnin shfaqje falas për popullin si në qytet dhe në fshatra të ndryshëm të mbarë zonës juglindore të Shqipërisë. Ai i dha jetës kulturore e artistike të qytetit, një ngritje që nuk ishte përjetuar më parë, e cila vijon edhe sot. Kjo arritje i ka nxitur shumë njerëz për ta konsideruar këtë kor “Simboli i këngës qytetare korçare”, ose “Ikona muzikore e qytetit të Korçës”.

Gjatë viteve 1932-1933 Toli kreu shërbimin ushtarak në Elbasan dhe pasi u kthye në qytetin e tij, rifilloi menjëherë veprimtarinë te vullentare “Korin Lira”.

Gaqo Jorganxhiu dhe Tole Adhami ishin jo vetëm këngëtarë të këtij kori, por dhe solistët e tij për mbi 60 vjet. “Bilbili” i korit u shqua si solist i shumë këngëve si “Dua më shumë Shqipërinë”, “S’ kam ç’ e dua pasurinë”, “O moj korçare”, “Kënga e mullirit”, “Dashuria është djallush”, “Muaji i majit”, etj. Në vitin 1936 tenori Toli Adham këndoi vetë në skenë Arjen e Druvarit nga opera Turandot të G. Puccini-t, arritje që nuk është regjistruar.

Në vitet 1934-1944 “Kori Lira” në bashkëpunim me poetin satirik Kapa (Kristaq Cepa) krijoi e këndoi mjaft këngë humoristike e satirike me të cilat thumboheshin vese e të meta të shoqërisë së kohës. Në po ato vite ky kor dha shumë koncerte me pjesëmarrjen në të edhe të këngëtareve lirike Tefta Tashko Koço, Jorgjia Truja, Kristaq Antoniu, dhe në vitet 1960-1980 Gaqo Cako, etj. Pas vitit 1944 dirigjenti i ri Kostaq Osmanlliu e zmadhoi korin me këngëtarë dhe orkestrantë të rinj, por solistë mbetën po ata.

John-i (Xhoni) Athanas pasi këndoi me Tolin në Korçë iu lut që të vintë në Tiranë për t’u punësuar në trupën e Operas, se atje do të kishte një të ardhme shumë më të mirë, por Toli iu përgjigj: “Unë kam dy pasione prej të cilëve nuk mund të heq dorë, sepse të dy më japin kënaqësi. Si rrobaqepës, sa herë pres dhe qep xhaketa, kostume, pallto, pandallona, marr falenderime prej myshterinjve. Si këngëtar, sa herë këndoj te “Kori Lira” marr duartrokitje nga dëgjuesit. Po të vij në Tiranë  do të punoj vetëm si këngëtar. Këtu në Korçë ndjehem me dy këmbë, kurse në Tiranë do të ndjehem si me një këmbë. Xhoni, këtu kam fisin, shoqërinë, publikun tim, të cilët nuk mund t’i braktis.”

John-i kuptoi se bilbili i “Korit Lira” dhe rrobaqepsi i talentuar nuk mund të rronin pa njëri tjetrin, prandaj i tha punonjësit të kuadrit që të mos e formulonte kërkesën zyrtare.

Tole Adhami binte në sy për bukurinë fizike, ndershmërinë dhe qytetarinë e lartë. Askush nuk mban mend që ky rrobaqepës të jetë grindur me ndonjë qytetar, ose të ketë gënjyer a mashtruar. Zotnillëku ishte tipar i tij me të cilin mburret sot gjithë fisi dhe qyteti i Korçrës. Karakteri i tij prej zotnie ishte në harmoni edhe me bukurinë trupore. Toli ishte një burrë i gjatë e i pashëm që të bënte për vete sapo ta shikoje, të bënte ta doje pasi të qepte ndonjë veshje me duart e tij të arta dhe të bënte ta admiroje pasi ia dëgjoje zërin e ëmbël si këngëtar serenatash ose solist i “Korit Lira”. Këto karakteristika dhe talenti i tij prej këngëtari bënë që një nga vajzat më të bukura të qytetit të Korçës, Manda, të binte në dashuri me këtë djalosh të kompletuar si njeri, profesionist dhe artist.

Kur e takoja Tolen, dora ime mbështillej prej pëllëmbës së tij të madhe sa zhdukej krejt. Në dorën e tij të djathtë binin në sy nyjet e gishtit tregues dhe gishtit të madh që bashkonin këto gishta me pëllëmbën. Këto nyje ishin shumë shumë të zmadhuara nga puna e tij si rrobaqepës, sepse ai punonte kryesisht si modelist e prerës dhe duke prerë me gërshërët e mëdha copat e trasha dhe shajaqet, nyjet e këtyre dy gishtave ishin zmadhuar. Një dukuri profesionale e rrobaqepësve që punonin shumë.

Regjisori Mevlan Shanaj në vitin 1981 realizoi një film dokumentar televiziv kushtuar “Korit Lira” të Korçës, ku spikat dhe figura e solistit dhe koristit Tole Adham Pano. Kjo ishte e vetmja punë kinematografike ku u përjetësuan deri diku vlerat e këngëtarëve të atij kori. Tenori Toli Adham dhe basi Gaqo Jorganxhiu e arritën kulmin e cilësisë zanore si këngëtarë në vitet 1935-1975, por incizimet e asaj kohe nuk ishin të cilësisë së lartë. Cilësia e këtyre pllakave sot le për të dëshiruar, prandaj ato duhen rigjeneruar me teknikën e sotme.

Këngët e atij kori ishin këngë lirike, patriotike dhe qytetare, ku nuk i këndohej partisë dhe udhëheqësit të saj. Për pasojë jeta dhe krijimtaria e këtij kori, e solistëve kryesorë dhe orkestrantëve të talentuar të tij në vitet 1945-1991 nuk morën vlerësimet që meritonin. Nuk u shkrua për jetën dhe krijimtarinë e tyre asnjë studim monografik, madje as ndonjë temë për mbrojtje diplome prej studentëve të Institutit të Lartë të Arteve. Kjo mendësi nënvlerësimi vijoi edhe në vitet e pas ndërrimit të regjimit, si dhe deri sot edhe pse të gjithë e dijmë se “Kori Lira” është një thesar i madh i papësëritshëm i kulturës dhe muzikës sonë kombëtare. Ai nxiti dhe ndikoi në krijimin dhe lulëzimin e koreve popullore karakteristike të qyteteve të tjerë si Berati, Kruja, Elbasani, etj.

Gjatë jetës artistike të “Bilbilit” të “Korit Lira” u ndëruan jo vetëm shumë koristë e instrumentistë, por dhe tre dirigjentë: Sotir Kozmo, Kristaq Osmanlliu e Jorgji Nano, kurse Toli qëndroi aty si garanci e suksesit, si një lis shekullor.

Toli Adham Pano u nda nga jeta më 6 korrik 1998, në moshën 85-vjeçare, duke lënë dy vajza e një djalë të martuar e me fëmijë. Të tre fëmijët e Tolit, të edukuar për t’u marrë me punë krijuese dhe jo me punë zyrash e pushteti, studiuan për ingjineri e mjekësi dhe i qëndruan larg aktivizimit në politikë. Vajza e madhe ing. Nori Dashi (Pano) ka një djalë e një vajzë, vajza tjetër Natasha Dhono (Pano) pedagoge matematike ka dy vajza, dhe djali ing. Gjergji Pano ka tre djem.

“Kori Lira” në ditët e sotme po e vijon traditën duke u zëvendësuar për arsye të ndryshme, ose arsye moshe shumë përbërës të tij, veçse elementët më të talentuar të së kaluarës së këtij kori duhen vlerësuar me tituj nderi, sepse kështu traditat kulturore e artistike kombëtare çmohen, pasurohen dhe shpien përpara.

Tole Adham Pano dhe Gaqo Jorganxhi meritojnë të shpallen “Nderi i qytetit të Korçës” dhe “Nderi i Kombit” sepse ata me talentin e tyre të shquar i shërbyen artit shqiptar vullnetarisht mbi 60 vjet, pa ndonjë investim nga shteti, dukuri e rallë në historinë e artit tonë mbarëkombëtar.

Pique, për zënkën e Messit me Abidalin: S’është momenti t’i nxjerrim të palarat
Shkencëtarët gjejnë mënyrën për prodhimin e energjisë elektrike nga errësira
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration