Surroi: Kosova duhet të ndryshojë qasjen ndaj dialogut me Serbinë
Rajoni dhe Politika

Surroi: Kosova duhet të ndryshojë qasjen ndaj dialogut me Serbinë

16.Sep.2018 21:09
0

Publicisti Veton Surroi, tha të mërkurën se përfundimi i konfliktit me Serbinë është thelbësor për Kosovën dhe duhet të shërbejë si motiv themelor për ndryshimin e qasjes ndaj dialogut të saj me Serbinë në Bruksel. Gjatë një debati të organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur “Forum 2015” ku temë kryesore ishin negociatat Kosovë-Serbi, zoti Surroi tha se është koha që të ndryshohet qasja ndaj këtyre negociatave.

“Aderimi në NATO, anëtarësimi në Bashkimin Evropian, anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara janë procese shumë të nevojshme dhe domosdoshme për Kosovën e ardhmërisë, por ajo çka nevojitet tash është që të përfundojë konflikti mes Kosovës dhe Serbisë dhe ekziston një nevojë e jashtëzakonshme që Kosova ta bëjë këtë. Jo vetëm sepse kjo i hap rrugë pastaj edhe këtyre proceseve integrative por sepse i kthehet vetvetes”, tha ai.

Zoti Surroi, theksoi qëndrimin kundër mundësisë që ideja për korrigjim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë të hidhet në tryezën e bisedimeve.

“Tërësia, sovraniteti, identiteti, balanca identitare e Kosovës shumë etnike, shumë kulturore, dhe aspirata që të jemi vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian nuk mund të negociohen apo të vihen në tryezën e bisedimeve. Rrjedhimisht, duhet të gjejmë kompromis mes kësaj që jemi ne sot si Kosovë dhe kësaj që është Serbia sot”,tha ai.

Marrëveshja përfundimtare, ligjërisht e detyrueshme në mes Kosovës dhe Serbisë, sipas zotit Surroi duhet të jetë një marrëveshje e paqes e cila nuk lë hapësirë për probleme në të ardhmen në mes dy shteteve.

Publicisti Surroi tha se arritja e një marrëveshjeje të tillë kërkon unitet politik në Kosovë ngaqë sipas tij, mos prezantimi i një platforme të përbashkët, e cila madje mund edhe të mos jete publike por në mirëbesim, e vë Kosovën në një qorrsokak.

Në përpjekje për të arritur këtë, nesër në Prishtinë pritet të mblidhen përfaqësuesit e partive në pushtet dhe atyre në opozitë, me ftesë të kryetarit të parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli.

Javën e kaluar udhëheqësit e partive politike në pushtet hartuan një projekt-rezolutë për siç thuhet, përmbylljen e bisedimeve në mes të Kosovës e Serbisë, në të cilën theksohet pos tjerash se kufijtë e Kosovës saj janë të pacenueshëm dhe të panegociueshëm”.

Idetë për prekjen e kufijve të cilat nxitën ndarje të thella në skenën politike në Kosovë, nxitën reagime edhe në skenën ndërkombëtare. Derisa një pjesë thekson se do të ishte e pranueshme çdo marrëveshje ndërmjet palëve edhe nëse preken kufijtë, një pjesë e vendeve të Bashkimit Evropian, posaçërisht Gjermania dhe Britania e kundërshtojnë ndryshimin e kufijve nga droja për pasojat në pjesën tjetër të rajonit të Ballkanit.

 
Ndeshja ndaj Jordanisë, testi i fundit i Shqipërisë para Izraelit
Një parti gjermane është kundër hyrjes së vendeve të Ballkanit në BE
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration