“Skënderbeu” në kantier!
Kulturë

“Skënderbeu” në kantier!

04.Mar.2019 17:59
0

Shemben punimet e para për vendosjen e shtatores së Skënderbeut në Lezhë, për shkak të neglizhencës së lejes nga IMK prej Bashkisë. Specialisti i trashëgimisë Paulin Zefi thekson se një akt i tillë është i turpshëm dhe politik, pasi mund të ishin mjaftuar me pezullimin deri në pritje të një vendimi. Edhe banorët të indinjuar

Anila Dedaj

Në 2 mars të 575-vjetorit e Besëlidhjes, ishte menduar që Lezhës t’i kthehej e derdhur në bronz figura e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Shtatorja që do të vendosej në sheshin kryesor të qytetit, karshi Memorialit të heroit ishte përzgjedhur që në 15 dhjetor të vitit që lamë pas, falë një projekti të mbajtur në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, si iniciativë i kreut të Bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj. Po në atë periudhë u bë publike edhe vendi ku memoriali do të vendosej. Mirëpo vetëm një ditë para inaugurimit të veprës fituese të skulptorit Ardian Pepa, ndërkohë që qyteti përgatitej të festonte “rikthimin” e heroit, si dhe e mbërritjen e përfaqësuesve të Diasporës, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit vendos që të shembë dy shkallët e para, mbi të cilat do të vendosej bazamenti. Bashkë me aktin, do të vinte edhe reagimi i Ministrisë së Kulturës. “Me datë 19.02.2019 Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër konstatoi kryerjen e punimeve pa leje nga ana e Bashkisë Lezhë në sheshin “Gjergj Fishta” dhe mori masat për pezullimin e çdo punimi deri në marrjen e miratimit pranë instancave përkatëse”.  Banorët dhe artisti vetë do të mësonin kështu se Bashkia e Lezhës, kishte neglizhuar në mënyrë të paqëllimshme, një hallkë të domosdoshme, lejen përkatëse nga Instituti i Monumenteve.  E domosdoshme përsa kohë vendi i menduar për shtatoren, në sheshin “Gjergj Fishta” ndodhet brenda zonifikimit arkeologjik, zona “A”. Menjëherë pas një vendimi të tillë, Paulin Zefi, specialisti i trashëgimisë kulturore dhe historian pranë Bashkisë Lezhë ka reaguar, duke përgatitur dokumentacionin përkatës, për ta dorëzuar në datë 26 shkurt pranë IMK-së personalisht. Pasi institucioni do të vërente mangësira, ai do të rikthehej përsëri vetë në Tiranë një ditë më vonë për të plotësuar procedurat. Gatishmëria e zotit Zefi nuk do ta pengonte që po në datë 27, IMK-ja të vendoste “për pezullimin e punimeve dhe marrjen e masave të menjëhershme për prishjen e punimeve të kryera në kundërshtim me ligjin nga Bashkia Lezhë dhe kthimin e territorit në gjendjen e mëparshme”. Një akt, që specialisti dhe banorët e Lezhës do ta konsideronin si të turpshëm. “Mund të pezullohej puna, pa u shembur punimet”, shprehet Zefi për “Shekullin”, duke e konsideruar skandaloz veprimin. Ndërkohë që projekti për vendosjen e shtatores parashikohet të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar të Restaurimit dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, specialisti shprehet se nuk do të ketë negociata për ndryshimin e vendit. Një vendim i tillë nuk do t’i bënte mirë as punës së artistit. “Aty është vendi ideal që shkon në harmoni me memorialin që do ketë në sfond”, tregon Pepa, duke nënvizuar se kjo ngjarje nuk duhet të përdoret për arsye politike.

Ardian Pepa: Punuam natë e ditë, që shtatorja të ishte gati në kohë!

Shtatorja e Skënderbeut, realizuar me mjeshtëri nga skulptori Ardian Pepa ndodhet ende në fonderi, kësaj here ajo që mund ta çlirojë “heroin” është vendimi i IMK-së, për ta lejuar të qëndrojë në sheshin “Gjergj Fishta”,  për ku edhe është projektuar. I trishtuar nga rrjedha që mori, ajo që duhet të ishte një festë jo vetëm për lezhjanët, por për të gjithë shqiptarët, Pepa pohon për “Shekullin” se edhe pse e mira do të qe që leja të ishte bërë më përpara dhe kjo neglizhencë të mos kishte ndodhur, do të ishte pozitive që nga elementët e tjerë që patën ndikim në këtë ngjarje të kishte sadopak mirëkuptim dhe dashamirësi. “Kjo edhe sepse bëhet fjalë për një figurë kombëtare, për simbolin tonë të lirisë”.  Artisti pohon se për vendosjen e bazamentit dhe shtatores nuk është bërë asnjë gërmim, ndryshe nga sa ndodhi me memorialin e një tjetër figure të madhe si Fishta (që përpos të tjerave siç specialisti i trashëgimisë Paulin Zefa pohon është bërë pa leje të IMK-së), e megjithatë  përsëri me vendim të IMK-së vendosën që të shembnin dy shkallët e para të ngritura për bazamentin.  Një ngjarje që ngjalli jo vetëm keqardhjen e artistit por edhe reagime të forta tek qytetarët, jo vetëm në Lezhë. Vetë Pepa i ka dedikuar mund e kohë të gjatë kësaj vepre, me dëshirën e mirë që të bënte më të mirën për 575-vjetorin e Besëlidhjes  duke arritur një rezultat që është vlerësuar nga artistë dhe njerëz të thjeshtë. “Ishte një punë shumë impenjative ngaqë koha ishte e kufizuar.  Kemi punuar ditë e natë për të arritur datën 2 mars. Të njëjtën gjë kanë bërë dhe fonderia e bronzit dhe fabrika e gurit”.  Ajo që skulptori kërkon të shmanget është edhe shfrytëzimi i kësaj ngjarje, për motive personale apo politike.  Duke shpresuar në bashkëpunimin e palëve, kur Pepën e pyesim se si do të ishte për të nëse IMK-ja zgjidhte një tjetër vend për shtatoren, ai përgjigjet se: “Nuk do të më vinte mirë nëse merrej një vendim i tillë. Memoriali është realizuar për në sheshin kryesor. Aty është vendi ideal, ku qëndron në harmoni me memorialin që do të ketë në sfond”.

Specialisti i trashëgimisë: Shembja e punimeve për “Skënderbeun”, turp dhe fatkeqësi kombëtare!

 

Paulin Zefi, historian dhe specialist i trashëgimisë kulturore, pranë bashkisë së Lezhës rrëfen ndërhyrjen e IKMT-së duke prishur punimet e kryera në sheshin kryesor, që do të mundësonin vendosjen e shtatores së Skënderbeut.  Ai pohon se dokumentacioni për projektin, që më pas do të bënte të mundur dhënien e lejes edhe nga IMK-ja është është dorëzuar me vonesë. “Pasi është përgatitur nga zyra e Planifikimit Urban, e kam dorëzuar vetë unë dorazi”.  I vetdijëshëm edhe si profesionist për vlerat që ka kjo zonë, Zefi është një nga ata qytetarë të Lezhës që ka bërë betejën më të fortë për ruajtjen e saj nga betonizimi, gjatë punimeve që janë bërë në 2014-ën. “E di fort mirë se vlera arkeologjike e kësaj zone është e madhe. Mirëpo vendosja e shtatores nuk do ta vendoste në rrezik. Në rastin konkret nuk janë bërë gërmime. Është mbivendosur një shtresë betoni. Kemi të bëjmë me një shtatore 5 m e 62 cm të lartë. (3 metra e 62 centimetra është shtatorja dhe 2 m piedestali bashkë me shkallën monumentale)”.  Pas vendimit të Drejtorisë Rajonale të Kulturës në Shkodër për të pezulluar punimet, Zefi, siç tregon ka bërë përpjekjet maksimale për të plotësuar të gjitha hallkat e nevojshme ligjore. “Sapo u përgatit dokumentacioni në datë 26 shkurt kam shkuar vetë personalisht për t’i dorëzuar. Kur u konstatuan disa mangësira, kam përshpejtuar për t’i plotësuar në datë 27, duke shkuar përsëri vetë nga Lezha në Tiranë. E kam dorëzuar projektin në përputhje me kriteret e IMK-së”. Gjatë këtyre peripecirave Paulin Zefi, përgjegjës i Trashëgimisë Kulturore, Muzeut Historik dhe Memorialit në Bashkinë e Lezhës, rrëfen se drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës është treguar e gatshme për të dhënë ndihmesën e saj. Mirëpo ai shprehet se nëse pezullimin e vendosjes së objektit do ta kuptonin, prishja e punimeve të para shkon jashtë çdo logjike. “Është një akt skandaloz! Turp dhe fatkeqësi kombëtare!”.  Ai shprehet se nëse IMK-ja do të kishte vërtetët një ndjeshmëri kaq të lartë ndaj zonave arkeologjike, duke ndërmarrë akte kaq të forta, atëherë do të kishte thënë të sajën, në raste kur ndalimi i punimeve ishte realisht i nevojshëm. “Do të kishte reaguar edhe për Velierën në Durrës, për shtresat e betonit që janë hedhur. Po ashtu për sheshin në fjalë, gjatë rikonceptimit që i’u bë në 2014-ën, ku unë vetë i kam sinjalizuar 6 herë. Mirëpo ata të 6-ta herët lejuan të vijonte punimi. Pra, ata në fakt nuk i shqetëson betoni ynë, betoni ynë për Skënderbeun. Problemi është tjetër! Është skandaloze!”. Sipas specialistit të trashëgimisë, një akt i tillë, që zgjon ndjeshmëri të lartë për shkak se bëhet fjalë për heroin kombëtar mund të ishte shmangur.  Dy shkallët e shembura,  mund të ishin lënë sipas Zefit të paprekura dhe të pritej të mbahej mbledhja e radhës së Këshillit Kombëtar të Restaurimit dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë. “Le të prisnin sa të miratohej projekti, të merrej një vendim. Por të mos ishin prekur!”. 2 marsi shënonte ndër të tjera ditën e tretë të Samitit të Diasporës. Edhe pse nuk ndodhi ashtu siç ishte planifikuar, pasi  inaugurimi i shtatores së shumëpritur nuk u bë, lezhjanët i mirëpritën “miqtë”. “U mblodhën më shumë se 3000 persona në aktivitet. Do të kishte qenë mirë që gjithçka të ndodhte ndryshe, festës t’i shtohej entuziazmi i shtatores, por nuk u bë! Kryeministri nuk erdhi. Natyrisht e si të vijë ai në Lezhë?! Me atë veprim që ka ndodhur mund të konsiderohet person ‘non grata’ në qytetin tim”.  Zefi shton, se përpos të tjerave dëshirën e mirë dhe financimin, që heroit tonë kombëtar t’i bëhej një nderim i tillë e ka pasur kryetari i Bashkisë së Lezhës. “Ndërsa kryeministri nuk ka dhënë asnjë kontribut për këtë punë. Mirëpo pavarësisht pengesave, unë dua të theksoj këmbënguljen tonë për ta vendosur shtatoren, duke qenë se i bën vetëm mirë vendit, qytetarëve dhe lartësimit të vlerave të heroit!”.  Përsa i përket mundësisë që pas mbledhjes së radhës të Këshillit Kombëtar të Restaurimit dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, të vendoset për një tjetër vend që ata do të konsiderojnë të përshtatshëm për shtatoren, specialisti thekson se: “Ne nuk negociojmë për vendin se ku do të vendoset shtatorja. Nëse Këshilli do të vendos për një tjetër vend, nuk do ta pranojmë. Shpresoj që Ministria e Kulturës të thërras Këshillin dhe ata të marrin vendimin më të mirë për të gjithë…”. Duke qenë se ngjarja ka ngjallur reagime të forta edhe nga ana e qytetarëve të Lezhës, shumë prej tyre ndërsa festohej 575-vjetori i Besëlidhjes, janë mbledhur në formë proteste në sheshin “Gjergj Fishta” për të shfaqur indinjatën e tyre ndaj aktit të IMK-së. “Ka qenë një gjest i tyre vullnetar. Si ngaherë po mundohet të krijohet përshtypja se qytetarët në fjalë kanë qenë punonjës të Bashkisë, por i vetmi përfaqësues nga ky institucion në këtë protestë kam qenë unë. Si çdokush nga ne ata donin të kundërshtonin në formë paqësore një akt të tillë të turpshëm!”,  shprehet specialisti i trashëgimisë.

Ministria: Projekti parashikohet të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Këshillit

Fill pas shembjes nga IKMT në datë 1 mars, të bazamentit ku do të vendosej busti i Skënderbeut, ka reaguar Ministria e Kulturës.

Reagimi i Ministrisë:

Në lidhje me ndërhyrjet në sheshin “Gjergj Fishta” në Bashkinë Lezhë, Ministria e Kulturës Ju bën me dije se:

Me datë 19.02.2019 Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër konstatoi kryerjen e punimeve pa leje nga ana e Bashkisë Lezhë në sheshin “Gjergj Fishta” dhe mori masat për pezullimin e çdo punimi deri në marrjen e miratimit pranë instancave përkatëse. Sheshi “Gjergj Fishta” në qytetin e Lezhës ndodhet brenda zonifikimit arkeologjik, zona “A”, sipas Vendimit e Këshillit të Ministrave Nr. 728, datë 01.09.2010 “Për shpalljen e zonave arkeologjike A dhe B të qytetit të Lezhës dhe miratimin e rregullores së administrimit”, për këtë arsye Instituti i Monumenteve të Kulturës kërkoi nga Bashkia Lezhë dorëzimin e projektit për shqyrtim.  Projekti “Vendosja e shtatores së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut”, në sheshin “Gjergj Fishta”, u dorëzua me mangësi nga Bashkia Lezhë me datë 26.02.2019 si dhe me datë 27.02.2019. Duke vlerësuar situatën Instituti i Monumenteve të Kulturës i drejtohet Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit me datë 27.02.2019 për pezullimin e punimeve dhe marrjen e masave të menjëhershme për prishjen e punimeve të kryera në kundërshtim me ligjin nga Bashkia Lezhë dhe kthimin e territorit në gjendjen e mëparshme. Aktualisht, projekti për vendosjen e shtatores të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut në sheshin “Gjergj Fishta”, Lezhë, parashikohet të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar të Restaurimit dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.

Ligji për zonat arkeologjike “A”

Sipas Nenit 3 të vendimit Nr.728, datë 1.9.2010 “Për shpalljen e zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Lezhës,  ndërhyrjet në zonën arkeologjike “A” të këtij qyteti duhet të zbatojnë pikat e mëposhtme.

Në zonën arkeologjike “A” të qytetit të Lezhës lejohet:

  1. Restaurimi dhe konservimi i monumenteve dhe strukturave arkeologjike, kryerja e sondazheve arkeologjike me synim studimin e plotë të zonës, mbi bazën e projekteve të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve.
  2. Rikonstruksioni i rrugëve dhe të gjitha punimet në rrjetin inxhinierik ujësjellës-kanalizime, ndriçim, telefoni, mbi bazën e projekteve të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve.
  3. Vendosja e konstruksioneve të lehta (dru, xham, plastikë, metal) me lartësi maksimale 3 m, të cilat duhen realizuar larg mureve dhe strukturave të tjera të dallueshme apo të supozuara. Konstruksionet vendosen dhe përdoren nga institucionet shtetërore të specializuara, duhet të jenë të lëvizshme (të çmontueshme) dhe që në asnjë rast nuk duhet të dëmtojnë nëntokën dhe peizazhin, në funksion të ruajtjes, ekspozimit, informimit publik dhe nevojave të tjera që lidhen me veprimtarinë arkeologjike në veçanti dhe trashëgiminë kulturore në përgjithësi. Projekti miratohet nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve dhe për çdo rast duhet të përcaktojë saktësisht qëllimin, kohëzgjatjen, vendndodhjen e strukturës brenda zonës, si dhe plan-projektin e saj.
Perez ka në listë tre trajnerë për të pasuar Solarin
Tesla zbulon modelin e ri më 14 mars, më i shtrenjtë se Model 3
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration