“Shtetet e Ballkanit peshojnë efektet e mundshme të Brexit”
Rajoni dhe Politika

“Shtetet e Ballkanit peshojnë efektet e mundshme të Brexit”

14.Apr.2019 05:42
0

Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë larg qendrës së skenës në dramën e ndërlikuar midis Londrës dhe Europës, dhe brenda parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, në lidhje me Brexit-in. Liderët europianë të martën shmangën skenarin më të keq, një dalje pa marrëveshje, duke shtyrë një vendim përfundimtar për “divorcin” e Britanisë deri në tetor dhe duke i dhënë kështu vendit më shumë kohë për të vendosur se si – apo nëse – do të dalë dhe në çfarë mënyre. Shumica e ekspertëve rajonalë dhe britanikë janë dakord se një dalje e parregulluar e Britanisë do të kishte një efekt të dëmshëm në rajonin e tensionuar dhe të ndarë të Ballkanit ku si BE-ja ashtu edhe Britania kanë qenë tepër të përfshira.

Ndërsa departamenti i Ballkanit i Ministrisë së Jashtme Britanike nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN në lidhje me implikimet e mundshme të Brexit në rajon, disa zyrtarë britanikë që folën në kushte anonimati e siguruan BIRN-in se Ballkani do të qëndronte lartë në axhendën e Mbretërisë së Bashkuar qoftë nëse Britania e Madhe del apo qëndron në BE. Ekspertët britanikë gjithashtu nuk e fshehën përbuzjen e tyre për sjelljen e politikanëve britanikë, disa duke e krahasuar atë me sjelljet groteske që shpesh lidhen me vendet e Ballkanit. Britania e Madhe dëshiron të mbetet e përfshirë në rajonin e Ballkanit “Brexit është bërë një poshtërim kombëtar. Britania kishte një reputacion të mirë për logjikë pragmatike. E gjithë kjo nuk ekziston më. Shumica e miqve të saj në Ballkan thjesht nuk arrij ta kuptojnë se çfarë ka ndodhur me këtë vend,” tha për BIRN-in James Ker Lindsay, një profesor në Shkollën e Ekonomisë në Londër, LSE, dhe një ekspert kryesor britanik për Ballkanin.

“Brexit është rezultat i një referendumi të pa shqyrtuar si duhet që iu parashtrua një elektorati të keq-informuar. Është një rast klasik i diçkaje të bërë keq, jo një komplot,” shtoi ai. Ker Lindsay tha gjithashtu se Ballkani do të mbetej në axhendën e Britanisë pavarësisht rezultatit, megjithatë, duke shtuar se kjo ishte qartësisht e dukshme në aktivitetet në rritje dhe fondet në dispozicion të shumicës së ambasadave britanike në rajon. Në korrik 2018, Britania e Madhe tha se në vitin 2019 do të dyfishonte financimin e saj për Ballkanin Perëndimor në rreth 90 milionë euro dhe do të rriste stafin e saj të sigurisë në rajon për të luftuar krimin e organizuar. “Është e qartë se Ballkani Perëndimor do të mbetet një fushë e rëndësishme e vëmendjes për Britaninë, pavarësisht Brexit,” tha Ker Lindsay për BIRN. “Në përgjigje të Brexit, Britania e Madhe po kërkon të forcojë rolin e saj në Ballkanin Perëndimor në mënyra të tjera. Ajo po rrit ndjeshëm buxhetin e ndihmës dhe të zhvillimit në rajon,” shtoi ai.

“Rajoni mbetet një shqetësim serioz për sigurinë në Mbretërinë e Bashkuar. Përveç shqetësimeve mbi tensionet rajonale, Londra është e shqetësuar për krimin e organizuar, trafikimin dhe ngritjen e formave të ndryshme të ekstremizmit,” vazhdoi Ker Lindsay. Megjithatë, ai këmbënguli gjithashtu se largimi i Britanisë nga BE-ja do të dobësonte pozicionin e saj në rajon, edhe nëse ajo rri financimin e saj në rajon. “Brexit do të dëmtojë në mënyrë të pashmangshme rolin e Britanisë në Ballkanin Perëndimor. Qëllimi kryesor i çdo vendi në rajon është t’i bashkohet BE-së. Pasi Britania e Madhe nuk do të jetë më në gjendje ta formësojë atë proces, kjo domosdoshmërish do të thotë se ajo do të humbasë ndikimin,” vuri në dukje ai.

“Duke pasur parasysh mënyrën në të cilën BE-ja ka mbrojtur anëtarët e saj më të vegjël, sidomos Irlandën, avantazhet e anëtarësimit duhet të jenë më të dukshme për shtetet e Ballkanit Perëndimor,” përfundoi ai. Kërcënim i mundshëm për forcën paqeruajtëse në Bosnje Pasojat më të menjëhershme të mundshme të një Brexit pa marrëveshje në rajon do të ishin tërheqja e Britanisë nga operacioni ushtarak i udhëhequr nga BE-ja në Bosnje, EUFOR/Althea, konfirmuan zyrtarët e BE-së. EUFOR përfshin rreth 600 ushtarë në vendin e brishtë dhe të ndarë, të cilët mund të përforcohen shpejt nga forcat e NATO-s në rajon. Maja Kocijanciç, zëdhënëse e BE-së, ka thënë se Brexit mund të ketë një ndikim në operacionet e BE-së, duke përfshirë edhe operacionin Althea. Për të parandaluar problemet, komanda operacionale e EUFOR-it u transferua javën e kaluar nga gjenerali britanik Sir James Everard te nënkoloneli francez Olivier Rittimanna, shtoi ajo.

Disa ekspertë janë gjithashtu të shqetësuar se Brexit mund të ushqejë qëndrimet anti-BE në rajon dhe në Bosnjë. “Ata që janë kundër të ardhmes së Bosnjës në BE, ka gjasa ta përdorin këtë situatë, duke thënë se nëse një vend i asaj pozite në BE po largohet, atëherë përse Bosnja duhet të bëhet anëtare?” tha analistja nga Sarajeva Ivana Mariç, duke shtuar se BREXIT gjithashtu mund “të diskreditojë çdo përpjekje” të bërë nga Britania në Bosnjë kohët e fundit. Ambasada britanike në Sarajevë, megjithatë, ka këmbëngulur se punët do të vazhdojnë si zakonisht. “Dalja nga BE-ja nuk do të zvogëlojë interesin e Britanisë së Madhe apo angazhimin në këtë rajon, përfshirë Bosnjën,” tha ambasada në një deklaratë për BIRN. “Siç lajmëroi kryeministrja britanike Theresa May në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër vitin e kaluar, ne po dyfishojmë mbështetjen tonë të projektit dhe po afrohemi gjithnjë e më shumë me shpresat dhe aspiratat e njerëzve në këtë vend,” shtoi ajo.

Serbia indiferente ndaj së ardhmes së tregtisë së parëndësishme Pas referendumit të Brexit të vitit 2016, kryeministri i atëhershëm i Serbisë, tani presidenti, Aleksandër Vuçiç tha se Serbia do të mbetet në rrugën e BE-së pavarësisht nga ky zhvillim. Tre vjet më vonë, tema është pak interesante për mediat dhe publikun serb, dhe zyrtarët serbë rrallë komentojnë për këtë çështje. Të preokupuar nga problemet e tyre, shumë njerëz në Serbi mbeten indiferentë ndaj procesit të trazuar. “Nuk e kam menduar. Në Serbi kemi probleme të tjera,” tha për BIRN Danijel Miliç, një student në Beograd. “BE-ja do të shpërbëhet para se Serbia të mund të anëtarësohet në të. Është një projekt i dështuar,” tha një tjetër student i Beogradit, Branko Belceviç. Në Serbi, efektet anësore të Brexit konsiderohen kryesisht nëpërmjet ndikimit të tij të mundshëm në ekonomi.

Në rast të një Brexit pa marrëveshje, Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asocimit e Serbisë, MSA, nuk do të rregullonte më tregtinë e saj me Britaninë. Si të gjitha vendet e tjera, ajo do të duhej të negocionte një marrëveshje të veçantë me Londrën, shpjegoi Strahinja Subotiç, një studiuese në Qendrën e Politikave Europiane me qendër në Beograd. Subotiç nënvizon se tregtia me Mbretërinë e Bashkuar arrin vetëm 2 për qind të tregtisë totale të Serbisë, kështu që Britania nuk është një partner i rëndësishëm ekonomik për vendin. Kjo do të thotë edhe nëse kjo tregti zvogëlohet, kjo do të ndikonte pak në standardet e jetesës ose çmimet në Serbi.

Megjithatë, analisti politik Dragomir Andjelkoviç thekson se një Brexit pa marrëveshje mund të shkaktojë “vështirësi serioze ekonomike” në Europë, gjë e cila në mënyrë të pashmangshme do të prekte Serbinë dhe Ballkanin. Ai gjithashtu përsëriti se Brexit mund të ushqejë euro-skepticizmin në Serbi dhe në rajon. Maqedonia e Veriut shqetësohet për humbjen e partnerit kyç Maqedonia e Veriut është shumë më e shqetësuar sesa Serbia për dëmtimin e mundshëm të tregtisë me Britaninë. Në vitin 2018, Mbretëria e Bashkuar u bë partneri i dytë më i madh tregtar i Maqedonisë së Veriut, me një vëllim tregtar vjetor prej rreth 660 milionë euro. Çuditërisht, zyrtarët dhe ekspertët lokalë po shpresojnë për një Brexit të butë, i cili nuk do të ndikonte shumë apo aspak në marrëdhëniet tregtare.

Falë Marrëveshjes së saj të Stabilizim Asocimit, SAA, me BE-në, Maqedonia e Veriut – edhe pse jo një anëtare e BE-së – importon dhe eksporton mallra në dhe nga Britania e Madhe pa paguar taksa. Në rast të një Brexit pa marrëveshje, tregtia midis dy vendeve do të shihte rivendosjen e taksave doganore derisa ata të negociojnë marrëveshje të reja bilaterale. “Ne po shpresojmë për një Brexit të butë që do të garantonte një periudhë tranzicioni tregtie të lire prej dy vjetësh. Por ne po përgatitemi gjithashtu edhe për një skenar të dytë më pak të favorshëm,” tha për BIRN Gjoko Tanasoski, kreu i Zyrës Doganore të Maqedonisë së Veriut. “Është ngritur një grup pune që po harton një marrëveshje të re tregtie të lirë midis dy vendeve, në mënyrë që kompanitë që eksportojnë ose importojnë mallra nga dhe në Mbretërinë e Bashkuar të mos kenë shpenzime shtesë,” shtoi ai.

Disa ekspertë gjithashtu druhen se Brexit do ta privojë Maqedoninë e Veriut nga një nga përkrahësit e saj më të fuqishëm në Bruksel. Por një ish-ambasadori maqedonas në Londër, Gjorgi Spasov, beson se një dalje e Britanisë nga BE-ja nuk do të dëmtojë marrëdhëniet bilaterale apo do të dëmtojë ndikimin rajonal të Britanisë. “Mbretëria e Bashkuar do të mbetet mbështetëse e madhe e anëtarësimit tonë në NATO. Mbretëria e Bashkuar është një vend i madh, i cili do të vazhdojë të ndërtojë një pozitë të një ure midis SHBA-së dhe BE-së,” tha ai për BIRN. Mbështetja e maqedonasve për anëtarësimin në BE duket se nuk ka ndryshuar nga përvoja e Brexit këto dy vitet e fundit. Sondazhet e fundit, në fakt, treguan një rritje të mbështetjes për BE-në.

Kjo reflekton përpjekjen e suksesshme të qeverisë së re për të ringjallur aspiratat europiane të ngrira më parë. Rumania, Moldavia të shqetësuara për fatin e punëtorëve në Britani të Madhe Ndërkohë, Rumania dhe fqinja e saj Moldavia janë kryesisht të fokusuara në fatin e komuniteteve të tyre të mëdha të emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar. Shumë moldavë kanë nënshtetësi rumune dhe jetojnë dhe punojnë në Britani, duke dërguar një fluks të rëndësishëm të ardhurash në shtëpi. Në vitin 2018, shtetasit rumunë i kapërcyen ata irlandezë dhe indianë duke u bërë kështu komuniteti më i madh jo britanik në Mbretërinë e Bashkuar. Të dhënat nga Zyra për Statistikat Kombëtare e Mbretërisë së Bashkuar, ONS, nga maji 2018 treguan se 411,000 rumunë tani jetojnë në Britani. Ekspertët moldavë besojnë se deri në 100,000 prej tyre, në fakt, vijnë nga Moldavia.

Shqetësimet mbi ndikimin e mundshëm të Brexit nxitën ambasadën rumune në Londër që të mbante një takim për anëtarët e komunitetit rumun në Britani më 22 mars. Ambasadori Dan Mihalache i siguroi shtetasit e shqetësuar rumunë se ata do të ishin ende të aftë të udhëtonin midis dy vendeve duke përdorur karta identiteti edhe pas Brexit. Megjithatë, jo të gjithë ishin të sigurt për këtë. “Për momentin, kjo është gjithçka që dimë, që do të mund të udhëtojmë në Mbretërinë e Bashkuar. Nuk dimë asgjë përsa i takon punës apo se çfarë të drejtash do kemi,” tha për BIRN Oana Manolache, 37 vjeçe, një rumune që jeton në Londër që prej vitit 2014. Ndërsa rumunët në Mbretërinë e Bashkuar ndihen të shqetësuar, çështja e Brexit është shpërfillur nga publiku dhe qeveria në Rumani.

“Çështja e Brexit mungon nga hapësira publike rumune si në nivel formal ashtu edhe në atë informal,” tha për BIRN drejtoresha e Qendrës Rumunë për Politikë Europiane, Bianca Toma. “Nuk besoj se po zhvillohen bisedime me dyer të mbyllura,” shtoi ajo. Problemi i mundshëm është më i keq për moldavët që punojnë në Britaninë e Madhe, por nuk kanë dokumente rumune. Pa një pasaportë të BE-së, ata mund të duhet të largohen ose të gjejnë një status tjetër ligjor që do t’u lejojë atyre të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Një 33-vjeçar moldav që punon në ndërtim në Britani tha BIRN se druhej se e ardhmja e tij ishte e pasigurt.

“Kam punuar këto për rreth dy vjet dhe nuk e di se si do të ndikoj statusin tim çështja e Brexit,” tha ai për BIRN. Për këtë arsye, ekspertët besojnë se Brexit thjesht do të inkurajojë më shumë moldavë që të marrin nënshtetësi rumune ose bullgare. Nëse numri i moldavëve në Mbretërinë e Bashkuar bie si rezultat i Brexit, fluksi i parave të dërguara nga moldavët që punojnë në Mbretërinë e Bashkuar gjithashtu do të bjerë në mënyrë të pashmangshme. “Ekonomia moldave do të preket gradualisht nga rënia e parave të dërguara nga Mbretëria e Bashkuar për shkak të largimit gradual të shtetasve moldavë që nuk kanë dokumentet e nevojshme apo burime për të qëndruar pas Brexit,” tha analisti politik Mihai Isac për BIRN.

Kroacia i druhet efektit në ekuilibrin e pushtetit në BE Ekspertët në Kroaci, një ish-republikë jugosllave që iu bashkua BE-së në vitin 2013, druhen se përveç problemeve të tregtisë dhe udhëtimit, Brexit do të krijonte një mungesë ekuilibri të ri politik në Europë, duke forcuar boshtin Paris-Berlin me përjashtim të të tjerëve. “Bashkimi Europian do të reduktohet në marrëveshje të bëra nga Berlini dhe Parisi,” tha për BIRN analisti politik Zarko Puhovski. Ai tha se kjo do të dobësonte vendet si Kroacia të cilat nuk janë Eurozonë. “Deri më tani, një lloj ekuilibri garantohej nga ndikimi i fuqishëm i Mbretërisë së Bashkuar, e cila ishte një nga lojtarët kryesorë në Bashkimin Europian, por jo në Eurozonë,” tha Puhovski. Analisti ekonomik Luka Brkiç, megjithatë, thotë se Kroacia nuk do të vuajë shumë në aspektin ekonomik, edhe nga një Brexit i ashpër, pasi Mbretëria e Bashkuar nuk është një partner tregtar kryesor.

“Pas Brexit, një fluks më i vogël turistësh nga Mbretëria e Bashkuar mund të pritet përveç disa problemeve më të mëdha ose më të vogla me shtetasit që aktualisht punojnë në Mbretërinë e Bashkuar,” tha ai. Por Brkiç tha se dalja e Mbretërisë së Bashkuar nuk do të dëmtonte vetë pozicionin e BE-së në rajon. “Problemi me daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja nuk është problem i BE-së, por i Mbretërisë së Bashkuar. Problemi nuk qëndron te Brukseli, por në Uestminister,” tha ai. “Problemet e komunitetit britanik, çështjet politike, çështja irlandez, çështja e emigracionit dhe e marrëdhënies së Mbretërisë së Bashkuar me Komonuelthin, janë të gjitha probleme të brendshme të Mbretërisë së Bashkuar,” shtoi ai. Duke iu referuar rrugës pa krye në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, ai vazhdoi: “Ajo që po ndodh sot ka të bëjë më shumë me pamundësinë dhe paralizën e vendimmarrjes të Mbretërisë së Bashkuar.”/birn/

Reka: Erdhi koha që president i shtetit të jetë shqiptar
Vetëm shtatë gra në botë mund të vishen me të bardha para Papës
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration