SHBA: Më 2019 mund të arrihet marrëveshja Kosovë - Serbi
Rajoni dhe Politika

SHBA: Më 2019 mund të arrihet marrëveshja Kosovë - Serbi

08.Feb.2019 07:35
0

Përfaqësuesi i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit, Jonathan Cohen, ka deklaruar se një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, është e mundshme të arrihet në vitin 2019.

Këtë deklaratë përfaqësuesi i SHBA-së e bëri në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit që është duke u mbajtur për Kosovën.

“Është momenti i duhur që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe kjo është e arritshme në vitin 2019. Për Kosovën kjo nënkupton anulimin e tarifave për Serbinë dhe Bosnjës”, tha ai.

Ai po ashtu ka pohuar se UNMIK-u ka përmbushur mandatin e vet, dhe përmes zyrës së OKB-së mund të bëhen punë të tjera, por jo përmes UNMIK-ut dhe duhet të ketë një rivlerësim për praninë e OKB-së në Kosovë, raporton KosovaPress.

Përfaqësuesi i Gjermanisë në OKB i thotë Serbisë se s’mund të hyjë në BE pa e njohur Kosovën

Ambasadori i Gjermanisë në Këshillin e Sigurimit ia ka thënë Serbisë, se e vetmja mënyrë që ajo të hyjë në BE, është njohja e Kosovës.

Këtë deklaratë ambasadori, Christoph Heusgen e bëri në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit që është duke u mbajtur për Kosovën.

Ai madje është tallur me punën që po bënë Serbia për të penguar njohjen e Kosovës.

“Duke i shtyrë vendet që ta tërheqin njohjen e Kosovës, ju jeni duke e goditur vetën me duart tuaja dhe unë nuk e kuptoj këtë”, tha ai.

Ai ka folur edhe kundër arritjes së një marrëveshje me ndryshimin e kufijve, duke e quajtur këtë të rrezikshme.

“Asnjë në marrëveshje e Brukselit nuk flet për ndryshimin e kufijve apo ndryshimin e territoreve. Ne në Gjermani mendojmë se këto përpjekje janë të rrezikshme për regjionin dhe e destabilizojnë regjionin”, tha ai.


Pierce: Serbia, asnjë keqardhje a pranim të fajësisë për krimet e luftës në Kosovë

Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në OKB, Karen Pierce ka theksuar suksesin që është arritur në Kosovë, ndërsa ka pohuar se nuk duhet të ketë takime kaq të shpeshta të Këshillit të Sigurimit për Kosovën.

Këtë ajo këtë e ka arsyetuar me stabilitetin dhe të arriturat në Kosovë, “pasi Kosova nuk është më ne konflikt, nuk është një vend në krizë akute”.

Ajo kujtoi se njeh mirë zhvillimet në Ballkan, e tregoi se ka qenë në Kosovë dhe në Veri, ku tha se janë të koncentruar komuniteti serb.

“Ka tensione ende në komunitete dhe komunitetet nuk e kanë trajtuar gjithmonë njëri tjetrin me miqësi e respekt. Por më vjen keq që dëgjova sot nga njëri prej folësve që do të thotë në mosnjohjen e ngjarjeve që na çuan neve te Rezoluta 1244, praninë e UNMIK-ut në Kosovë. Asnjë keqardhja, asnjë pranim të fajësisë dhe krimeve të luftës që janë bërë në terren dhe krimet që janë përcaktuar dhe përkufizuar nga Tribunali ndërkombëtar që u themelua nga ky Këshill”, tha ajo

Pierce pohoi se BE-ja ka ofruar një zgjidhje për integrimin në BE, si të barabartë.

“Apeloj të udhëheqësit politikë në Prishtinë dhe Beograd që të shfrytëzoni mundësinë që ofron dialogu i BE-së, këtë bëjeni për hir të popujve tuaj, historisë dhe për hir të fqinjësisë suaj. Kërkoj nga të dyja palët që të ndaloni provokimet që mos rrisni tensionet”, tha ajo.

Ajo ka përshëndetur formimin e delegacionit të Kosovës për bisedime.

Ambasadorja ka përsëritur se është e drejtë e Kosovës i një shtet i pavarur dhe sovran që të krijojë forcat e saj të sigurisë.

Pierce ka folur edhe për formimin e ushtrisë së Kosovës, duke e cilësuar këtë si të drejtë të shtetit sovran.

Seancat për Kosovën në OKB janë kthyer në teatër për përralla të Serbisë, thotë Çitaku

Ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, gjatë fjalimit të saj në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ia ka përkujtuar shefit të diplomacisë së Serbisë, Ivica Daçiqit represionin serb ndaj popullit të Kosovës.

“Vendi ynë u ngrit nga pluhuri i luftës dhe gjatë viteve të administrimit të UNMIK-ut në Kosovë, ishte emisari special Marti Ahtisaari, i cili rekomandoi pavarësinë si status final. GJND solli vendime se Kosova bart të drejtën e vet dhe nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare kur shpalli pavarësinë. Me gjithë këto fakte, ju adresohem juve me korrektësi dhe them se pse jemi mbledhur sot këtu për herë të tretë për katër muaj. Është e pabesueshme që ky Këshill ka mbajtur më shumë sesione për Kosovën, se sa për Sirinë dhe Venezuelën. Është e papranueshme që ky Këshill është shndërruar në teatër nga Serbia përmes gënjeshtrave që as ata nuk iu besojnë. Kjo dhomë është duke u keqpërdorur për të treguar përralla e tregime fiktive nga Serbia. UNMIK-u nuk ka rol dhe as mandat për ta ushtruar në Kosovë. Kjo që po ndodh është se Serbia nuk është i sinqertë për dialogun me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve”, tha Çitaku.

Ajo ka paralajmëruar se Kosova kurrë nuk do të negociojë për shtetësinë e Kosovës, por vetëm si dy shtete të pavarura, derisa Serbia vazhdimisht kundërshton idenë që Kosova është shtet dhe krijon drama kudo që vendi ynë paraqitet si shtet.

“Pse ne duhet të takohemi këtu kaq shpesh dhe të diskutojmë për një univers paralel për të cilin kanë zgjedhur vetë ata. Kërkoj që të mos ia mundësoni vazhdimësinë e kësaj parodie Serbia çdo ditë krijon dramë artificiale për t’iu shmangur pranimit të realitetit, duke vazhduar me absurditete të tilla. Ne nuk do ta ngrimë ekzistencën tonë derisa Serbia ta pranojë Kosovën si shtet të barabartë”, porositi Çitaku.

Image

Formimin e Ushtrisë së Kosovës, ambasadorja Çitaku e ka quajtur vendim të drejtë dhe që demonstron pjekurinë e Kosovës si shtet. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës ndaj mallrave serbe, shtoi ajo, nuk ka qenë vendim i lehtë, por ai është marrë si përgjigje ndaj fushatave agresive të Serbisë kundër Kosovës. Çitaku ka përmendur edhe barrierat që Serbia ka vendosur ndaj prodhimeve kosovare, duke mos i lejuar ato të kalojnë nëpër Serbi.

“Vetëm tre për qind të eksporteve të Serbisë janë në Kosovë. Këtu nuk ka krizë humanitare. Ejani dhe shikoni realitetin”, tha ajo.

Ambasadorja Çitaku tha se dialogu nuk mund të kushtëzohet me arsyetimet e tilla të Serbisë, pasi edhe pala kosovare ka 20 mijë femra të dhunuara gjatë luftës në Kosovës, mijëra të vrarë dhe mbi 1 mijë persona të pagjetur.

Ajo tha se luftërat në ish-Jugosllavi ndodhën para syve të botës dhe të gjithë e dinë se kush i kreu ato, “dhe ajo adresë është Beogradi”.

“UÇK nuk ka qenë organizatë kriminele dhe terroriste, por ka pasur guxim të luftojë Millosheviqin dhe ne jemi krenar”, u shpreh Çitaku.

Vendimi për statutin e Trepçës, shtoi ambasadorja Çitaku, është legjitim, pasi është resurs i shtetit të Kosovës dhe porositi se koha kur vendimet janë marrë në Beograd tashmë kanë marrë fund.

Ajo ka folur edhe rreth vrasjes së liderit serb Oliver Ivanoviq, duke thënë se policia e Kosovës ka punuar për sjelljen e autorëve para drejtësisë, duke bërë arrestime, por i dyshuari për vrasje vazhdon të fshihet në Serbi, e cila nuk dëshiron ekstradimin e tij në Kosovë.

Ambasadorja Çitaku porositi se Kosova është për arritjen e paqes së qëndrueshme dhe se është koha që Serbia ta pranojë realitetin për njohjen e shtetit të Kosovës.

Daçiq e quan politik vendimin për taksën, “s’ka dialog pa heqjen e saj”

Shefi i diplomacisë së Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se vendimi i Prishtinës për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe është politik.

Ai në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ka deklaruar se vendosja e kësaj takse është e “palogjikshme, ndërkohë që Serbia është përmbajtur nga aktet e njëanshme për shkak të mos themelimit të asociacionit serb dhe vendimit të Kosovës rreth statutit të Trepçës”.

“Vendimi për taksën është i motivuar politikisht dhe ka penguar vazhdimin e dialogut. Serbia beson se dialogu është e vetmja mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura”, ka thënë Daçiq.

Duke folur për rishqyrtimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë, shefi i diplomacisë serbe tha se stafi i këtij misioni së fundi është reduktuar së bashku me buxhetin e tij, duke kërkuar nga vendet e OKB-së që të mos nguten me rishqyrtimin e vendimit rreth këtij misioni në Kosovë.

Image

Ai ndërkaq ka rikujtuar se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka akuzuar UNMIK-un se po shkruan raporte të shpikura, duke akuzuar edhe BE-në se ka ngulfatur dhe mbytur procesin e dialogut.

Daçiq përsëriti se Serbia është për vazhdimin e dialogut, por sipas tij kjo do të ndodhë vetëm kur Prishtina të heqë taksën. “Është koha për një paqe të qëndrueshme mes serbëve dhe shqiptarëve”, tha ai.

Ai ka thënë se i mbështesin akuzat e Gjykatës Speciale dhe presin që akuzat të behën zyrtare sa më shpejtë.

Shefi i diplomacisë serbe tha se Serbia ka paguar 750 milionë dollarë dhe do të paguajë edhe mbi 200 milionë dollarë në emër të borxhit që kishin marrë për Trepçën.

“Ne jemi të përkushtuar në dialog, por ne këtë do ta bëjmë pas vendimit që do të marrë Prishtina për heqjen e taksës. Ne i përshëndesim të gjitha shtet që kanë kërkuar heqjen e taksës, por ne kërkojmë që të bëhet më tej presion për heqjen e taksës. Ne nuk do të vazhdojmë dialogun pa hequr taksën. Ne jemi të vendosur që çështja të zgjidhet përmes dialogut, duke e ndjekur kursin e paqes dhe kërkojmë që edhe pala tjetër të përmbahet nga provokimet”, raporton KsP.

Tanin: Kosova dhe Serbia të zbusin qëndrimet për vazhdimin e dialogut

Image

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka nisur sonte seancën e rregullt në New York mbi raportin e punës së UNMIK-ut për periudhën 16 tetor 2018 deri më 15 janar 2019, të cilin e prezantoi shefi i këtij misioni, Zahir Tanin.

Deri te seanca erdhi pas kundërshtimit të mprehtë të disa vendeve perëndimore dhe vendimit të Kosovës për të ndërprerë komunikimin me UNMIK-un, në shenjë pakënaqësie me letrat e dërguara nga ana e këtij misioni në Kombet e Bashkuara.

Në raport thuhet se sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres shfaq brengosjen për kundërshtimet e ashpra mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe sheh kërcënim për sigurinë në terren, sidomos në veri të Kosovës.

Me këtë rast iu bëhet thirrje liderëve të dyja palëve që të zbusin qëndrimet për krijimin e kushteve për vazhdimin e dialogut dhe normalizimin e raporteve.

“Është me rëndësi që liderët e të dyja palëve t’i shmangen veprimeve që mund të shtojnë tensionet, të tërhiqen nga vendimet e tilla dhe të gjejnë mënyra për zhvillimin e dialogut nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian, me synim të normalizimit të raporteve”, tha Tanin.

Ai ka ftuar liderët e të dyja palëve që ta transformojnë dinamikën kundërshtare në dinamikë të zgjidhjes së problemeve.

“Para kësaj është e rëndësishme të lëvizin nga pozicionet e tanishme dhe të shfaqin gatishmëri për marrëveshje, duke punuar në tejkalimin e pengesave dhe krijimin e kushteve të nevojshme për vazhdimin e dialogut. Prishtina ka vënë kushte për heqjen e taksës. Qasjet progresive janë esenciale për nisjen e negociatave politike. Duhet bërë më shumë për arritjen e marrëveshjes mesa palëve dhe kjo kërkon përkrahje nga një numër i madh i akterëve, duke përfshirë pjesëmarrjen e grave në dialog”, tha Tanin.

Ai po ashtu ka shfaqur brengosjen për kalimin e projektligjit për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës, derisa zhvillimet e fundit në marrëdhëniet Kosovë-Serbi tha se kanë komplikuar përpjekjet për kompromis.

Tanin ka theksuar se në raport Guterres ka përmendur edhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, që sipas tij erdhi pas përpjekjeve të Beogradit për dobësimin e integrimit ndërkombëtar të Kosovës, duke marrë shembullin e aplikimit të pasuksesshëm në Interpol.

Shefi i UNMIK-ut ka folur edhe për rreth çështjes së të pagjeturve, duke thënë se ka përparim, por duhet të bëhet më shumë në këtë drejtim.

Ndryshe, mbajtja e seancës së Këshillit të Sigurimit mbi Kosovën ishte deri në momentin e fundit në pikëpyetje, pasi disa vende perëndimore e kundërshtuan praktikën e diskutimit të kësaj çështjeje katër herë në vit.

Britania e Madhe kërkoi që Kosova të hiqet përgjithmonë nga rendi i ditës, ndërsa SHBA beson se seancat duhet të mbahen dy herë në vit.

Kundër debatit rreth situatës në Kosovë është edhe Franca, ndërsa Rusia dhe Kina nuk e mbështesin këtë nismë.

KSP

Vuçiq: Serbët të qëndrojnë në Bujanoc, ky është vendi jonë?
Ishulli me 500 banorë, ku fliten 9 gjuhë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration