Serbia “ringjall” dy brigadat që bënë krime në Kosovë e në Bosnjë
Rajoni dhe Politika

Serbia “ringjall” dy brigadat që bënë krime në Kosovë e në Bosnjë

25.Dec.2019 11:40
0

Beograd, pas 13 vjetësh Armata e Serbisë ua kthen statusin dy brigadave të cilat mbahen në mend për krimet në Bosnjë dhe në Kosovë. Bëhet fjalë për Brigadën 63 parashutiste dhe atë 72 për operacione speciale, bëjnë me dije mediat e Beogradit, transmeton koha.

Që të dyja kanë marrë pjesë në luftëra gjatë viteve të nëntëdhjeta, ndërkaq më 2006, kur u formua Armata e Serbisë, iu ul rangu i tyre në batalion dhe u shkrinë në Brigadën Speciale, rikujton Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, duke njoftuar në lidhje me këto ndryshime, tha se “Sa herë që popullit serb i kërcënohej rreziku nga masakrat dhe shkatërrimi, këto që mbanin këta emra ishin me të. Vetëm një popull mosmirënjohës dhe vetëm një ushtri jo çlirimtare, që komandohet nga të huajt, do të vendoste të humbë emrat Brigadës së lavdishme 72 dhe asaj 63, dhe t’i hedh në të kaluarën...”

Këto dy brigada si njësi elitare, fillimisht të APJ-së (Armatës Popullore të Jugosllavisë – sqarim ynë) e pastaj të Ushtrisë Jugosllave, nga viti 1991 deri më 1999 kanë marrë pjesë në luftëra në ish-Jugosllavi, ka thënë hulumtuesi i Fondit për të Drejtën Humanitare Jovan Kollariq.

“Ajo për çka mbahen në mend më së shumti pa dyshim është pjesëmarrja e Brigadës 72, e pastaj edhe pjesë të Brigadës 63 parashutiste, në rrethimin e Sarajevës, përkatësisht që të dy këto brigada u dërguan atje në dhjetor të vitit 1993 në zonën e Vogoshqës me detyrë që të marrin kontrollin e malit Zhuç, një pikë me rëndësi strategjike për forcat serbe në Bosnjë e Hercegovinë. Këtë të dhënë e kemi marrë vesh nga aktgjykimi i Tribunalit të Hagës ndaj Momçillo Perishiqit”, ka thënë Kollariq.

Po ashtu Brigada 63 Parashutiste mbahet në mend për pjesëmarrjen në operacionin “Reka” më 27 prill të vitit 1999 në Kosovë.

“Kur kjo njësi, bashkë me njësi të tjera të Ushtrisë së Jugosllavisë dhe MUP-it të Serbisë merrte pjesë në operacionin “Reka”, në të cilin u vranë së paku 350 civilë shqiptarë, nga territori i luginës së Rekës, në perëndim të Gjakovës, u dëbua thuaja e gjithë popullsia shqiptare” , ka thënë Kollariq, duke rikujtuar se trupat e 309 viktimave nga ky operacion janë gjetur në varrezat masive në Batajnicë, në periferi të Beogradit, transmeton Koha.net.

Ai ka shtuar se ky operacion është dokumentuar në aktgjykimet e Tribunalit të Hagës, me të cilat janë dënuar zyrtarët ushtarakë e policorë të Serbisë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, Dragolub Ojdaniq, shefi i Armatës së Tretë Nebojsha Pavkoviq, shefi i Shtabit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për Kosovën, Srten Llukiq, shefi i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq dhe shefi i Drejtoratit të resorit të Sigurimit Publik të MUP-it të Serbisë, Vllastimir Gjorgjeviq.

Brigada 63 Parashutiste dhe Brigada Speciale 72 janë dekoruar me Urdhrin e Heroit të Popullit në tetor të vitit 1999 dhe me Urdhrin e Flamurit Luftarak në qershor të vitit 2000 në kohën e regjimit të presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviqit, rikujton Koha.net.

Mustafa: Viti 2019 i jashtëzakonshëm në bujqësi dhe bizneset lokale në komunën e Bujanocit
“Unë nuk shkruej urime, as për Krishtlindje as për Bajram, as për ditëlindje…”
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration