Serbët e Kosovës frikësohen të ankohen publikisht për shërbimet në sistemin shëndetësor të Serbisë
Rajoni dhe Politika

Serbët e Kosovës frikësohen të ankohen publikisht për shërbimet në sistemin shëndetësor të Serbisë

13.Aug.2020 07:44
0

Gazetarët të cilët raportojnë nga mjediset me shumicë serbe në Kosovë, gjithnjë e më vështirë po ia dalin të marrin informata në lidhje me gjendjen e shëndetësisë në këto mjedise.

Zorica Vorguçiq, gazetare e RTV KIM nga Çagllavica, ka deklaruar për Radio Evropa e Lirë (REL) se pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë refuzojnë të flasin për probleme, sepse frikësohen nga pasojat. Pasojat kryesore kanë të bëjnë me rrezikun e humbjes së vendeve të punës, meqë shumica e tyre janë të punësuar në sistemin paralel serbe, kryesisht në shëndetësi dhe në arsim.

Vorguçiq ka thënë se ka raste kur banorët e komunës së Graçanicës shpesh kërkojnë të hulumtohet ndonjë çështje e rëndësishme, por ata vetë nuk janë të gatshëm të dëshmojnë për çështjet që i preokupojnë.

“Janë paraqitur dy pacientë. Njëri është konfirmuar pozitiv me virus, kurse tjetrit kanë refuzuar t’ia bëjnë testin. Mirëpo, ata refuzuan t’u publikohet identiteti. Këto dy raste nuk përfaqësojnë ndonjë përjashtim, sepse rastet e tilla janë të shumta. Ne jemi të vetëdijshëm se nuk ka kushte në institucionet shëndetësore, por nuk e di përse kjo gjë po mbahet sekret”, deklaroi Zorica Vorguçiq.

Ajo tha se gazetarët nga Graçanica nuk kanë mundur të marrin asnjë informatë nga organet kompetente shëndetësore, derisa nuk ka reaguar një grup i përfaqësuesve të mediave dhe të shoqërisë civile. Sipas saj, vetëm pas këtyre reagimeve janë mbajtur gjithsej dy konferenca për shtyp të Shtabit të Krizës dhe drejtuesve të Spitalit të Graçanicës.

“Tani ne marrim komunikata nga të cilat nuk mund të marrim përgjigje në lidhje me procesin e shërimit dhe me situatën reale”, deklaroi Vorguçiq.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Serbisë në Kosovë, Budimir Niçiq, tha se gazetarët serbë nuk kanë qasje tek zyrtarët e Qendrës Spitalore në Graçanicë.

“Ata janë krejtësisht të mbyllur për gazetarët, konkretisht drejtori i kësaj Qendre Spitalore, Bratislav Llaziq, i cili duket se është i vetmi person i autorizuar për të komunikuar me gazetarët. Kur ne u drejtohemi mjekëve të tjerë në institucionet shëndetësore, ata na thonë se nuk mund të flasin pa pëlqimin e drejtorit Llaziq”, tha Niciq.

Drejtori Bratislav Llaziq nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike të Radios Evropa e Lirë, përkundër përpjekjeve të shumta.

Budimir Niçiq tha sipas të dhënave jozyrtare situata në institucionet shëndetësore në këtë pjesë të Kosovës është alarmante dhe në to nuk ka teste, nuk ka mjekë dhe as pajisje esenciale për punë.

“Jemi në një lëmsh. Në njërën anë mjekët na e tregojnë një version, por nuk guxojnë të flasin publikisht, ndërsa Llaziq i përgënjeshtron të gjitha”, theksoi Niçiq.

Sipas tij, bëhet fjalë për një komunitet të vogël dhe identiteti i burimeve të gazetarëve mund të zbulohet lehtë, edhe nëse ata prezantohen vetëm me iniciale.

Aleksandar Antonijeviq, specialisti i epidemiologjisë në Qendrën për Shëndetin Publik në Mitrovicën e Veriut, e cila funksionon në kuadër të sistemit shëndetësor të Serbisë, ka deklaruar më herët për Radion Evropa e Lirë se Graçanica dërgon për testim mesatarisht dhjetë mostra në ditë dhe ka vlerësuar se ku numër testimesh është “i mjaftueshëm”.

Në Kosovë, krahas sistemi shëndetësor Kosovar, funksionon edhe sistemi shëndetësor i Serbisë. Qendra Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut funksionon në kuadër të sistemit shëndetësor serb, andaj mostrat e mbledhura i dërgon në laboratorët në Serbi. Ndërkaq, spitalet rajonale që funksionojnë në kuadër të sistemit shëndetësor të Kosovës, i dërgojnë mostrat për testim në laboratorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës në Prishtinë.

Qytetarët serbë janë të lirë të zgjedhin se ku dëshirojnë t’i bëjnë testet për COVID-19 dhe ku duan të trajtohen nga kjo sëmundje.

Darko Dimitrijeviq, gazetar nga Graçanica, ka thënë se qytetarët e komunitetit serb janë të pakënaqur me shërbimet shëndetësore në u ofrohen atyre në institucionet që veprojnë në kuadër të sistemit shëndetësor të Serbisë, por ata nuk kanë guxim ta shprehin këtë publikisht.

Ivan Vuçkoviq, gazetar shumëvjeçar i Radio Televizionit të Kosovës nga Leposaviqi, ka thënë se refuzojnë të flasin për shkak të sfondit politik të çështjes.

“Nëse nisim ndonjë temë politikë apo ngrisim çështjen e përgjegjësive, këtu përfundon historia. Ka frikë. Këtë e kemi vërejtur edhe më herët, duke kryer punën tonë. Ata (qytetarët) gjykojnë se ky është ‘terren’ i rrezikshëm dhe se mund t’i shkaktojnë vetes probleme”, ka thënë Vuçkoviq.

Sipas informatave të fundit, në mjediset serbe në Kosovë, nga fillimi i pandemisë e deri më tani janë regjistruar 899 raste me koronavirus. Prej tyre, 34 pacientë kanë vdekur, ndërkaq raste aktive janë 474.

Sipas informacioneve jozyrtare, shumë prej serbëve të infektuar me COVID-19 që kanë pasur nevojë për trajtim spitalor më të specializuar janë dërguar në klinikat e Serbisë, kryesisht në Nish dhe në Krushevc. Disa prej tyre kanë vdekur në spitalet e Serbisë.

Serbi që shëtiti botën dhe lumturinë e gjeti në Shqipëri
Liderët takohen në Bruksel më 7 shtator, temë Asociacioni (video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration