Rëndësia e gjuhës së nënës kujtohet në Ditën e Gjuhës Amtare
Kulturë

Rëndësia e gjuhës së nënës kujtohet në Ditën e Gjuhës Amtare

23.Feb.2019 21:44
0

Nën patronazhin e UNESCO-s dhe të Byrosë Rajonale për Shkencë dhe Kulturë në Evropë tash e sa vjet shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, 21 Shkurti. Mbrojtja e gjuhëve në botë, lufta kundër zhdukjes së tyre dhe ruajtja e identitetit të kombeve nëpërmjet gjuhës janë qëllimet kyçe të manifestimeve që sot do të organizohen në suaza botërore. Analizat e UNESCO-s tregojnë se mund të zhduken rreth 2.500 gjuhë nga pothuajse 6.000 sa fliten në botë. Në 90 vjetët e kaluara janë zhdukur rreth 200 gjuhë, ndërsa 199 i flasin më pak se dhjetë njerëz. E fundit që është zhdukur është gjuha ajake, të cilën e folur një grua që ka vdekur në vitin 2008 në Aljaskë, shkruan Gazeta Zëri.

Arsyet kryesore për zhdukjen e gjuhëve janë luftërat dhe dëbimi i detyrueshëm.  Shkrimtari Ndue Ukaj ka thënë për gazetën “Zëri” se në këtë ditë meritojnë të kujtohen ata që e ruajtën gjuhën tonë amtare, shqipen.

“Meqë sot është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare dhe ajo është ‘shprehja e parë e kombësisë’ (Mitrush Kuteli), atëherë është e udhës që ta kujtojmë historinë e gjuhës shqipe, peripecitë e saj dhe heronjtë që e ruajtën atë: që nga zanafilla e hershme e gjer në ditët tona, kur ajo tanimë është bërë pjesë e kulturës së përbotshme nëpërmjet fuqisë së fjalës artistike të shumë shkrimtarëve, por mbi të gjitha të shkrimtarit më në zë, Ismail Kadaresë”, theksoi Ukaj. Ai më tutje ka theksuar se nëse kthehemi prapa dhe kujtojmë se Formula e Pagëzimit (1462) vlerësohet të jetë dokumenti i parë i shqipes së shkruar, atëherë kuptojmë se kjo gjuhë e shkruar qe ngjizur nëpërmjet një fraze, e cila semantikisht duket sikur të jetë shkruar me një qëllim të përtejmë: të pagëzojë gjithë kulturën shqipe dhe proveniencën e saj të palëkundur perëndimore.

“Heronjtë e gjuhës dhe të kulturës shqiptare përgjatë shekujve të shumtë janë ata prijës që shkruan ‘en sëh dashunit së botës sënë’ (Gjon Buzuku) dhe nuk lejuan që të dvarej gjuha e dija shqipe  (Pjetër Bogdani), por i kënduan asaj, ashtu siç bëri Fishta në poezinë e bukur ‘Gjuha shqype’”, thekson Ukaj, i cili si faktorë të rëndësishëm për ruajtjen e shqipes përmend arbëreshët e Italisë, sidomos apostulli i Rilindjes Kombëtare Jeronim de Rada, ashtu sikurse edhe e rilindësit e mëdhenj: Naum Veqilharxhi, Naim Frashri, Ndre Mjeda... dhe më vonë plejada e shkëlqyer: Gjergj Fishta, Faik Konica, Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi, Lasgush Poradeci, Martin Camaj, Eqrem Çabej, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Frederik Rreshpja...dhe shumë e shumë kolosë të tjerë. Data 21 shkurt është caktuar për të përkujtuar vitin 1952, ku ndodhi vrasja e disa studentëve të universitetit “Dhaka” me origjinë Bengali, të cilët qenë vrarë nga policët pakistanezë derisa protestonin për të drejtën e gjuhës së tyre bengleze.

Hoxhaj në gazetën austriake: Vijë e kuqe për ndryshim kufijsh
Marrëveshja Kosovë – Serbi, në funksion të stabilitetit në rajon
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration